0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Përhapja e Islamit në trojet shqiptare gjatë shek. XVI

Më të lexuarat

Zejni Mazllami

Përmbajtja:

Hyrje……………………………………………………….……….………3

Ç’është Islami dhe Islami zyrtar…………………………………..……..4

Prezenca e Islamit në truallin shqiptar para shek. XIV-XV………..….4

Paragjykimet, e verteta dhe laramanët………………………….…..…5

Ishujt e vegjël muslimanë në detin e krishterë………………………..6

Përhapja e Islamit në shek. XVI…………………………….……..……7

Përfundim………………………………………………………..….…….9

Literatura e shfrytëzuar………………………………………….……..10

Hyrje

Tema e cila trajtohet në këtë projekt hulumtues është: “Përhapja e Islamit në trojet shqiptare gjatë shek. XVI”.

Studimi i kulturës dhe historisë islame në përgjithësi, dhe përhapjes së Islamit ndër shqiptarët në veçanti paraqet një orvatje dhe punë komplekse e serioze. Shkrimet e deritanishme nga ky rrafsh janë të mangëta edhe në sasi edhe në cilësi dhe nuk plotësojnë as nevojat elementare shkencore. Disa përpjekje në këtë drejtim kohëve të fundit japin shpresë për një të nesërme më të mirë, përkundër paragjykimeve etnocentriste, evrocentriste dhe tendencave nacional-romantike në pjesën dërmuese të literaturës ndër ne.

Shumica e studiuesve shqiptarë prezencën e Islamit dhe muslimanëve nuk e shohin para shek. XV, kurse disa te tjerë mendojnë se kontaktet e Islamit me truallin shqiptar janë shumë me të vjetra. Pushteti qendror dhe provincial osman e nxiti dhe përkrahu përhapjen e Islamit, por nuk e detyroi asnjë të krishterë të pranonte atë, për arsye se kjo binte ndesh me parimet Islame.

Përhapja e islamit në trojet shqiptare u zhvillua me ritme të ngadalshme duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat politike.

Në shek. XV, muslimanët në trojet shqiptare nuk ishin tjetër vetëm se disa ishuj të vegjël në detin e krishterë. Islami fillimisht u përqafua nga popullsia qytetare, ndoshta për shkak të kontakteve të përditshme të administratës osmane me esnafet dhe aristokracinë vendase.

Në shek. XVI, përhapja e Islamit tregoi ritme te shpejta, sidomos në Shqiperinë e Mesme dhe në Kosovë. Arsyet e pranimit të Islamit dhe ndikimi i tij në jetën e shqiptarëve, duhet të shihen nga më shumë këndveshtrime, sado që një këndvështrim te duket i kompletuar, ai eshtë i paradënuar të jetë i gabuar.

Ç’është Islami dhe Islami zyrtar

Fjala Islam (ٳﺴﻻﻢ) eshtë fjalë arabe që do të thotë “ t’i dorëzohesh, të vihesh nën kontrollin e”. Në terminologjinë fetare ajo do të thotë “t’i dorëzohesh, t’i nënshtrohesh Zotit dhe vullnetit të Tij”. Në kuptimin me të gjerë Islam do të thotë “nënshtrim ndaj Zotit” si fakt i pamohueshëm i ekzistencës.

Nënshtrimi (Islami) nuk eshtë i njëtë si besimi (Imami), meqenëse nënshtrimi nënkupton bindje ndaj Zotit dhe Pejgamberit kurse besimi eshtë diçka me thellë, që ka të bejë me dijen dhe përkushtimin.(1)

Me fjalën Islami zyrtar nënkuptohet vendi që kishte Islami në ideologjinë shtetërore të Perandorisë Osmane dhe më pas imazhi që ai pati në burokracinë qendrore ashtu edhe provinciale dhe së fundmi rolin që Islami luajti në politikën e jashtme dhe të brendshme të Perandorisë.

Procesi i politizimit të Islamit në Perandorinë Osmane eshtë shumë i rendësishëm për të kuptuar çështje të shumta të historisë osmane.(2)

Prezenca e Islamit në truallin shqiptar para shek. XIV-XV.

Thuaj se asnjë studiues shqiptar praninë e Islamit në trojet iliro-shqiptare nuk e sheh para shek. XIV. Kulturën, qytetërimin dhe praninë e muslimanëve e kemi të pranishme në viset bregdetare shqiptare që në shek. VIII. Nga këto kontakte tregtare, ushtarake, diplomatike e religjioze kemi ndikime të mëdha reciproke.(3)

Rreth viteve 30-ta të shek. XIII. Kur Durrësi ishte nën pushtetin e Epirit, peshkopi i Durrësit i drejtohej superiorit të vet, kanonistit Demetrius Komantianos, peshkop i Ohrit një pyetje e cila kishte të bënte me mënyrën e trajtimit të pakicave fetare në Epir.

Peshkopi i Ohrit e këshilloi peshkopin e Durrësit që: “Grupet fetare, duke përfshirë çifutët dhe muslimanët duhet të kenë liri të kufizuar… vendet e kultit nuk duhen toleruar jashtë vendbanimeve të tyre”.(4)

Konsiderohet se paraqitja e Sari Salltëkut dhe puna misionare e tij paraqesin një përiudhë shumë të rendësishme për përhapjen e Islamit në Rumeli, e veçanerisht në trojet tona shqiptare, para ardhjes së osmanëve. Historia nuk e ka dhenë fjalën e fundit për çështjen e Sari Salltëkut.(5)

Paragjykimet, e vërteta dhe laramanët

Vendosja e sundimit osman në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella jo vetëm ne fushat politike, ekonomike, shoqërore, por edhe në strukturën fetare të popullsisë. Përkatësia e krishterë e shqiptarëve (katolikë dhe ortodoksë) filloi të cenohej në dobi të Islamit, fe zyrtare e Shtetit Osman.(6)

Kur një shkrimtar shqiptar paditi osmanët se kishin përdorur mjete nga me të turpshmet për shndërrimin e shqiptarëve në muslimanë, përgjigjja zyrtare ishte kjo : ”Sikur Perandoria Osmane të kishte përdorur metoda të tilla, do të kishte arritur të krijonte një unitet të plotë fetar. Megjithatë, feja Islame nuk lejon metoda të tilla”. Osmanët shpeshherë thonin: “Për pesë shekuj më radhë kombet e Ballkanit jetuan nën sundimin osman dhe askush nuk u detyrua ta ndërronte fenë dhe gjuhën, përveç atyre që dëshironin ta bënin këtë me vullnetin e tyre”.(7)

Shek XV. Njihet si periudha e përhapjes së Islamit në trevat ballkanike, pavarësisht se ai në këtë kohë shfaqej i izoluar. Nga 44 qendrat qytetare të Ballkanit, vetëm në 28 prej tyre kishte muslimanë. Depërtimi në shkallë të gjerë i fesë Islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete. Me vendosjen e sundimit osman, qytetet shqiptare filluan të funksionojnë si qendra administrative, ekonomike dhe kulturore të sistemit të ri politik.

Në përshtatje me rolin e tyre ekonomik e shoqëror, në qytete u përqendrua jo vetëm shumica e personelit administrativ e ushtarak, por edhe misionarët, ulematë e predikuesit Islamë, në fillim të ardhur e më vonë vendas së bashku me institucionet e kultit (xhamitë, mejtepet) numri i të cilave gjithnjë ishte në rritje.(8)

Ndër shqiptarët ka qenë shumë i përhapur edhe i ashtuquajturi kriptokristianizëm. Ka pasur shqiptarë që kundrejt zyrtarëve deklaroheshin si muslimanë, ndërsa në të vërtetë mbeteshin të krishterë. Ata vazhdonin si më parë të ndiqnin meshën e krishterë, martoheshin në kishë, respektonin të kreshmet dhe të kremtet fetare. Kjo ekzistencë e dyfishtë muslimano-krishterë praktikohej natyrisht në ato vise që nuk ndodheshin në afërsi të qendrave administrative osmane. Të pazbuluar për një kohë të gjatë nga autoritetet, kriptokristianët (shqip: laramanët) duroheshin në heshtje edhe nga kleri i dy konfesioneve të krishtera, edhe pse binte ndesh me udhëzimet e peshkopatave.(9)

Ishujt e vegjël muslimanë në detin e krishterë

Në trevat shqiptare numri i përgjithshëm i vendbanimeve (fshatra, qytete) në shek. XV. ishte 3608, kurse ai i shtëpive 82810. të dhëna për besimin fetar në tokat shqiptare, për këtë periudhë na japin defterët osmanë. Në shek. XV, besimit të krishterë i takonin mbi 95% e popullsisë në trojet shqiptare. Popullsia e pakët muslimane pothuaj se e gjitha jetonte nëpër qytete.(10)

Gjatë viteve 1421-1455, në Manastir kishte 2265 shtëpi(familje) gjithsej, prej të cilave 1390 ishin muslimane; në Shkup jetonin 4275 familje, 2580 ishin muslimane; Tetova numëronte 1095 shtëpi, nga të cilat 300 ishin muslimane; kurse Kërçova numëronte 930 shtëpi, vetëm 65 prej tyre ishin muslimane.(11)

Përhapja e Islamit në shek. XVI

Në shek. XVI, tokat shqiptare bënin pjesë në elajetin e Rumelisë. Ato u ndanë në disa sanxhaqe. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ka ndryshuar herë pas herë. Sanxhaqet ku bënin pjesë tokat shqiptare ishin : Sanxhaku i Vlorës, Dukagjinit, Elbasanit, Ohrit, Shkodrës, Prizrenit, Vuçitërnës, Shkupit dhe Manastirit.(12)

Në regjistrimin e vitit 1506, sanxhaku i Vlorës, numëronte 41.753 shtëpi, prej të cilave vetëm 253 shtëpi muslimane. Sanxhaku i Shkodrës, në vitet 1529-1536 numëronte 19.774 shtëpi, nga të cilat 372 shtëpi ishin muslimane. Sipas burimeve të deritanishme të historiografisë shqiptare, në sanxhakun e Dukagjinit , gjatë viteve 1529-1536 nuk ka jetuar asnjë shtëpi muslimane.(13)

Sanxhaku i Elbasanit, gjatë viteve 1529-1536 kishte 9.442 shtëpi gjithsej, 526 ishin muslimane. Sanxhaku i Ohrit, gjatë viteve 1529-1536 kishte 33.271 shtëpi, prej të cilave 623 ishin muslimane. Sanxhaku i Prizrenit, në vitet 1430-1431numëronte 13.918 shtëpi, vetëm 297 ishin muslimane. Në vitin 1530, në sanxhakun e Vuçitërnës nga 22.612 gjithsej, 496 ishin muslimane. Situatë gati e njetë ishte edhe në sanxhakun e Korçës, i cili numëronte 3.547 shtëpi, prej të cilave 211 ishin muslimane.(14)

Në gjysmën e parë të shek. XVI, tokat shqiptare ruanin pamjen e tyre të krishterë. Popullsia muslimane rritej në menyrë të ngadalshme nëpërmjet pranimit të Islamit nga banorët vendas. Gjatë gjysmës së parë të shek. XVI. përhapja e Islamit eci ngadalë. Kjo dëshmon se osmanët nuk e përdorën dhunën e drejtpërdrejtë për kthimin e të krishterëve në muslimanë dhe se përhapja e Islamit nuk u krye përmes kolonializimit.

Në vazhdim do të japim disa të dhëna, për përhapjen e Islamit në trojet shqiptare gjatë pjesës së dytë të shek. XVI. Gjatë viteve 1566-1574, në sanxhakun e Vuçitërnës nga 21.600 shtëpi gjithsej, 968 ishin muslimane. Në vitin 1583, sanxhaku i Vlorës, numëronte 53.041 shtëpi, prej të cilave 4780 ishin muslimane. Sanxhaku i Korçës, gjatë viteve 1568-1591 numëronte 14.652 shtëpi, 2.113 ishin muslimane.

Në vitin 1583, sanxhaku i Delvinës numëronte 23.364 shtëpi gjithsej, vetëm 202 shtëpi i takonin besimit Islam, që përfaqësonte vetëm 0.8% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Në vitin 1583, në sanxhakun e Elbasanit nga 17.424 shtëpi gjithsej, 3.043 ishin muslimane. Brenda gjysmë shekulli popullata muslimane në këtë sanxhak ishte trefishuar.(15)

Sipas regjistrimit të vitit 1583, sanxhaku i Ohrit numëronte 28.700 shtëpi, prej të cilave 4.354 ishin muslimane. Në vitin 1591, sanxhaku i Dukagjinit numëronte 7.847 shtëpi, prej të cilave 1.644 ishin muslimane, që përfaqësonin jo më pak se 20% të numrit të përgjithshëm. Duhet rikujtuar, se në këtë sanxhak gjatë vitevev 1529-1536, nuk ka jetuar asnjë familje muslimane. Në vitin 1582, sanxhaku i Shkodrës numëronte 20.319 shtëpi gjithsej, prej të cilave 2.467 ishin muslimane. Sipas regjistrimit të vitit 1591, në sanxhakun e Prizrenit nga 12.020 shtëpi, 845 ishin muslimane.(16)

Në vitet 1519-1523 në Manastir jetonin 560 shtëpi, nga të cilat 50 ishin muslimane; në Shkup jetonin 4.820 shtëpi gjithsej, 3115 ishin muslimane; Tetova numëronte 1.295 shtëpi, prej të cilave 420 ishin muslimane; Kërçova kishte 1205 shtëpi, 480 ishin muslimane. Në vitet 1566-1582, Manastiri numëronte 935 shtëpi gjithsej, 275 ishin muslimane; në këtë kohë Shkupi kishte dyfishuar numrin e popullsisë, prej 10.425 shtëpive sa numëronte 7.425 ishin muslimane; Tetova kishte 2160 shtëpi, 1600 ishin muslimanë; Kërçova tashmë kishte ngelur vetëm me 580 shtëpi, edhe atë 375 muslimane dhe 205 të krishtera.(17)

Përhapja e fesë Islame në fund të shek. XVI, kishte shënuar sukses të madh, sidomos në qytete të rëndësishme, si: Shkodra (thuajse 100%); Peja (90%); Vuçitërna (80%); Elbasani (79%); Tetova (71%); Kërçova (65.5%); Kruja (63%); Berati dhe Prishtina (me nga 60%); Prizreni (55.9%); Dibra (51%); Tepelena (50%); Përmeti (41%); Novobërda (37%); Struga (24%); Vlora (23%); Korça dhe Trepça (me nga 21%); Janjeva (14%); Delvina (4%) etj.(18)

Përfundim

Në shek. XV. procesi i përhapjes së Islamit në trojet shqiptare ishte shumë i ngadalshëm.

Në shek.XVI. Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë së saj kurse shqiptarët të stërlodhur nga luftërat e vazhdueshme, jashtë vullnetit të tyre u detyruan që ta pranojnë “fatin e hidhur” që i ndiqte breza më radhë. Këto ishin rrethanat, kur ndër shqiptarët filloi përhapja masive e fesë Islame.

Në shek. XVI, Islamin e pranuan jo më shumë se 10-15% e popullatës së përgjithshme që jetonte në trojet shqiptare, por tashmë u bë e qartë se përhapja e Islamit do të vazhdojë edhe në shekujt e ardhshëm dhe në shkallë më të gjerë. Sidoqoftë, sot shqiptarët janë populli i vetëm në Evropë me shumicë muslimane.

Islami luajti një rol të rëndësishëm historik, ai i mbrojti shqiptarët nga presioni sllav, sikurse qe i mbrojti dikur katolicizmi nga helenizmi ortodokso-bizantin.

1). Sachiko Murata-William Chitick, Vizioni Islam, Tiranë 2008, f. 59-62

2). Qendra Kerkimore për Historinë, Artin dhe Kulturën Islame, Historia e Shtetit, Shoqerisë dhe Qytetërimit Osman, Tiranë 2009, f. 183

3). Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup 1999, f.208-209

4). Ali Basha, Nëpër gjurmët e Islamit, Tiranë 2005, f. 50

5). Nexhat Ibrahimi, Islami…., f. 236

6). Akademia e Shkencave e Shqiperisë, Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi I, Tiranë 2002, fq. 587

7). Edwin Jacques, Shqiptarët (nga lashtësia deri në ditet tona), Tiranë (pa vit botimi), f. 241

8). Ali Basha, Nëpër…, f. 256-257

9). Peter Bartl, Shqiptarët (nga mesjeta deri sot), Tiranë (pa vit botimi), f. 61

10).Petrika Thëngjilli, Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit (1506-1839), Tiranë 2003, f. 16-19

11). Аеқсaндaр Cтојaнносқи, Грaдоbите bо Мақедонија од XIV beқ до XVII bеқ, Сқопје 1981, ctp. 66

12). Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi I, f. 515

13). Petrika Thëngjilli, Shqiptarët…, f. 22-23

14). Po aty, 23-25

15). Petrika Thëngjilli, Shqiptarët…,f. 25-29

16). Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, Tiranë 1984, f. 620 ; Petrika Thëngjilli, Shqiptarët…, f. 23

17). Аеқсaндaр Cтојaнносқи, Грaдоbите…, ctp. 70-71

18). Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi I, f. 590

Literatura e shfrytëzuar :

1. Akademia e Shkencave e Shqiperisë, Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi I, Tiranë 2002.

2. Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, Tiranë 1984.

3. Petrika Thëngjilli, Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit (1506-1839), Tiranë 2003.

4. Ali Basha, Nëpër gjurmët e Islamit, Tiranë 2005.

5. Edwin Jacques, Shqiptarët (nga lashtësia deri në ditet tona), Tiranë (pa vit botimi).

6. Peter Bartl, Shqiptarët (nga mesjeta deri sot), Tiranë (pa vit botimi).

7. Аеқсaндaр Cтојaнносқи, Грaдоbите bо Мақедонија од XIV beқ до XVII bеқ, Сқопје 1981.

8. Qendra Kerkimore për Historinë, Artin dhe Kulturën Islame, Historia e Shtetit, Shoqerisë dhe Qytetërimit Osman, Tiranë 2009.

9. Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup 1999.

10. Sachiko Murata-William Chitick, Vizioni Islam, Tiranë 2008.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit