Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Nga Ibën Mes’udi radijallahu anhu transmetohet të ketë thënë: “Pas betejës së Hunejnit, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i dalloi disa njerëz në ndarjen e plaçkës së luftës. Ai i dha el Akra’ ibën Habisit njëqind deve, Ujejne ibën Hisnit po ashtu. U dha disa njerëzve autoritativë duke i dalluar atë ditë. Një njeri tha: “Për Allahun, kjo ndarje nuk u bë me drejtësi dhe me këtë nuk u synua kënaqësia e Allahut.” Unë thashë: -Për Allahun, do ta lajmëroj për këtë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Shkova tek ai dhe e lajmërova për atë që kishte thënë. Në moment i ndryshoi fytyra e tij derisa u bë e tëra si e kuqe, e më pas tha: ‚E kush do të mbajë drejtësi nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk mbajnë drejtësi?!” Pastaj tha: “Allahu e mëshiroftë Musain, është ofenduar edhe me më shumë se kjo, por bëri durim.‛ Thashë: -S’ka gjë, pas kësaj here nuk do t’i tregoj asgjë.” Muttefekun alejhi.
…Kur njëri nga shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem foli kështu, atëherë mos u çudit nëse dikush nga njerëzit flet e thotë për ndonjë dijetar se “ky dijetar është ashtu ose kështu” dhe i atribuon të meta sepse e nxit shejtani që të shpifë për dijetarët. Kur shpifin për dijetarët, atëherë fjalët e dijetarëve nuk pranohen nga njerëzit dhe nuk ka kush t’i udhëheqë njerëzit me librin e Allahut. Kush do t’i udhëheqë ata nëse nuk u besojnë dijetarëve dhe fjalëve të tyre? Do t’i udhëheqë shejtani dhe partia e tij. Kjo është arsyeja pse përgojimi i dijetarëve është mëkat më i madh se përgojimi i të tjerëve. Përgojimi i të tjerëve është përgojim personal, dëmton vetëm atë që është përgojuar, ndërsa përgojimi i dijetarëve i bën dëm gjithë Islamit sepse dijetarët mbajnë flamurin e fesë; nëse bie besueshmëria e tyre, fundoset flamuri i Islamit dhe dëmtohet ummeti. Nëse përgojimi i njerëzve është si ngrënia e mishit të të vdekurit, atëherë përgojimi i dijetarëve është si ngrënia e mishit të të vdekurit duke qenë i helmuar. Pra, mos u çudit nëse dëgjon dikë duke fyer dijetarët. Bëj durim dhe shpreso shpërblimin tek Allahu azze ve xhel-le dhe dije se përfundimi është në favor të devotshmërisë. Pra, përderisa njeriu jeton në devotshmëri dhe udhëzim nga Allahu, me të vërtetë fundi do të jetë për të.
Sherh Rijadus Salihin vëll. 1