1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Përgjigje e një intelektuali serb për shkrimin “A është Thaçi Tarzani shqiptar?”

Më të lexuarat

Milivoje Mihajlloviç

Titulli i artikullit tënd „A është Hashim Thaçi, Tarzani shqiptar“ (artikulli në fjalë është përgjigje ndaj artikullit të Belul Beqajt: https://kossev.info/is-hashim-thaci-an-albanian-tarzan), parë në kontekstin rajonal, është dhimbshëm asociativ. Sepse të gjithë e kemi të qartë se sa Tarzanë kemi në këto anët tona. Krahas tyre, e vetmja gjë e sigurtë është se ne jetojmë në xhungël. Bashkëpunimi rajonal do të mund të cilësohej si: „akte të disa Trazanëve nga disa xhungla në territorin e Europës Juglindore“.

Thënë me dorë në zemër, „Tarzani“ është bërë sinonim i udhëheqësve, që nga Amerika deri në Rusi, deri në Britani dhe në Itali. Vetëm se atje xhunglat janë disi më të zbutura sesa te ne. Nga njëra anë e botës në tjetrën qeverisin gjysëm-analfabetë dhe arrogantë, mashtrues të ndërlidhur me botën kriminale dhe shitës mjegulle, shumë prej të cilëve do ta kishin vendin në çmendinë, madje edhe pa një rekomandim mjeku.

Këta janë njerëz më të fortë se sistemi. Për shumicën prej tyre nuk ka rëndësi se janë „më shumë heronj sesa njerëz të Zotit“, siç do të thoshte Marko Miljanovi. Nuk ka institucione, nuk ka drejtësi, nuk ka parime, nuk ka përgjegjësi… E gjithë fuqia është në një dorë, kontrollohen të gjitha levat… edhe çekiçi edhe kudhra. Sistemet në të cilët jetojmë janë trofe e „Tarzanëve“ të rinj. Ata kanë ndaluar dinamikën normale shoqërore dhe e kanë reduktuar në iluzion dhe mashtrim. Në injorim të qytetarëve dhe në përbuzje të realitetit. Bota normale është larguar shumë prej nesh.

Shtypi beogradas është plot e përplot me artikuj mbi faktin sesi testet për ‘Maturën e vogël’ i ruajnë pjestarët e Policisë dhe madje edhe të Policisë së fshehtë. Kamerat, njësitë speciale dhe helikopterët ndjekin flesh-et e memories në të cilët ruhen testet për nxënësit e klasës së tetë, që nga vendi ku janë prodhuar e deri te ku do të shtypen. Këto teste kanë sigurim më të mirë sesa kishte Presidenti rus Putin kur para pak kohwsh vizitoi Beogradin. Nxnësit do t’i zgjidhin këto teste nëpër klasa që janë plotësisht të sigurta dhe të mbuluara, aparate speciale pengojnë telefoninë mobile, gjithçka do të vëzhgohet nga kamerat…

E pabesueshme! Në vendin në të cilin ish Presidenti nuk e dinte t’i përgjigje pyetjes së gazetarëve – si quhet Fakulteti ku ai ishte diplomuar në vitet e moshës së shtyrë (aluzion për ish Presidentin Tomisllacv Nikoliç-shën. i përkthyesit) dhe ku dyshohet se ministrat kanë blerë diplomat e fakultetit dhe të doktoraturës (aluzion për Ministrin aktual të Financave Sinisha Mali), testi për nxënësit e shkollave tetëvjeçare ka sigurim më të mirë sesa Presidenti amerikan Tramp.

Leva kryesore e mashtrimit janë mediat. Lajmet e gënjeshtërta janë bërë lajme kryesore. Një tabloid beogradas vitin e kaluar në 320 faqet e para të tij botoi 362 lajme të gënjeshtërta. Ka edhe disa tabloidë të tjerë në kryeqytet që luftojnë për vendin e parë në publikimin e informacioneve të pasakta, konstruksioneve të pa menduara dhe helmojnë kësisoj opinionin publik. Kaq gënjeshtra dhe helm ka në to, saqë besoj se nëse vetëm disa numra të këtyre tabloidëve të hidheshin në lumin Sava ose Danub do t’i shfarosnin peshqit.

Nga 960 lajmërime mediatike në gazeta, në televizione, në rrjetet sociale në Serbi, aq sa analizoi një agjensi, vetëm 4 përqind e teksteve ishin për ekonominë. Përfshirë këtu edhe deklaratat e politikanëve mbi tema ekonomike. Politika si fat! Jemi të prangosur nga politika. Jemi të mbyllur në një dhomë virtuale spinesh. Shoqëritë ballkanike janë nën efektin e sedativëve.

Refleksi totalitar krijon nevojën për të kontrolluar gjithçka, që të ndërtohet një rend që i përgjigjet vetëm një grupi njerëzish që pasurohen vazhdimisht. Të tjerët mund të zgjedhin- ose të durojnë dhe heshin, ose të shkojnë në kurbet.

Në Prishtinë, ambasadori amerikan duhet të paralajmërojë se nuk duhen emëruar në funksione të lartë njerëz me akuza. Në Tiranë ka disa muaj që lajmet kryesore, nën efektet e gazit lotsjellës, kanë të bëjnë me trekëndëshin: kryeministër, president dhe gjykata kushtetuese që nuk ekziston, e këtu bëjnë pjesë edhe bosët mafiozë që blejnë votat për Edi Ramën. Në Mal të Zi pushteti „bën Kishën në rrugë“ dhe krijon një krizë të pa arsye me synimin që mentorëve perëndimorë t’ua ofrojë lëshimin si zgjidhje. Beogradi po mbytet nga spinet me „luftën në Veri të Kosovës“, mbi grabitjet e vendeve të shenjta serbe në Mal të Zi në mënyrë që regjimi ta shtyjë edhe ndonjë muaj.

Në Shkup edhe më tej Gruevski vazhdon të jetë fajtor për gjithçka. Në Bosnjë e Hercegovinë- dy nga tre „Valterët“ (aluzion për filmin kult jugosllav me temë nga Lufta e Dytë Botërore, „Valteri mbron Sarejevën“- shën. i përkthyesit) bëjnë garë për deklarata grindavece. E gjitha kjo ndodh në një kohë që ushtria e të rinjve të shkolluar presin në radhë para konsullatave të vendeve perëndimore. Reale, por virtuale- pothuajse si dialogu në Bruksel.

Por, këta „Tarzanët“ tanë, dalngadalë janë bërë robër të sistemit që ata vetë kanë vendosur. U kanë mundësuar pjestarëve të grupeve mbështetëse kriminale që të fitojnë pasuri të madhe, kanë krijuar rivalitet të ashpër mes krerëve të tyre, ortakëve dhe kushërinjve, e kanë tëhuajsuar „ekipin“ e tyre nga pjesa tjetër e shoqërisë. Kanë fituar pasuri shumë më të madhe sesa mendonin. Kanë zvogluar numrin e miqve dhe kanë rritur numrin e armiqve. Sistemi që kanë ndërtuar, që të shpëtojë vetveten, do të përpiqet t’i bëjë ata kurban. Kanë koketuar me nëntokën dhe vendimet i kanë marrë vetë, kësisoj kumbarët dhe miqtë e dinë se prenë e tyre do ta ruajnë më mirë nëse, në fund të përrallës, „shefi“ do të jetë faktori i vetëm dhe kryesor për gjithçka. Preja është e madhe, dhe janë të gjitha shanset që atë ta pëlqejnë kundërshtarët politikë, mafia ndërkombëtare politike, nëntoka e spiunazhit dhe shumë të tjerë që dëshirojnë lavdi, fuqi dhe para.

Për vite të tëra kanë simuluar konflikte, kanë bërë regjinë e krizave artificiale, kanë nxitur urrejtjen dhe frikën mes popujve, pa kurrfarë qëllimi kombëtar dhe racional. Shoqëria në të cilën jetojmë është preja e tyre. Por gjahtari shpesh herë bëhet edhe vetë prè.

*Milivoje Mihajloviç ka lindur në vitin 1958 në Prishtinë. Ka informuar mbi ngjarjet në Kosovë nga gazeta „Jedinstvo“, Tanjugu, RTV Beograd, BBC, APTN, Agjensia Franc Press, CBS-në. Ka qenë kryeredaktor i Radio-Prishtinës, themelues i Media –Center, redaktor i programit informativ i YU-info TV, aktualisht është drejtor i radio Beogradit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit