-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Përgjegjësia e intelektualit

Më të lexuarat

BEKIR HALIMI

Dija është elementi kryesor, e cila e dallon njeriun prej krijesave të tjera. Njeriu lind injorant, mirëpo me kalimin e kohës mëson dhe e largon nga vetja këtë ves. Aq sa më shumë mëson njeriu, aq edhe më lart ai do të ngjitet. Aq sa më shumë di njeriu, po aq edhe përgjegjësitë e tij rriten. E kur flasim për fenë, atëherë ata që e mësojnë fenë dhe ata që flasin në emër të fesë, përgjegjësitë edhe më shumë iu shtohen atyre, kjo për disa arsye:

Mundësia e gabimit në atribuimin e disa qëndrimeve Fesë.
Mundësia e heshtjes të disa gjërave të rëndësishme nga Feja.
Mundësia e keqkuptimit të gjërave që i sqaron Feja.
Mundësia e gabimit në përzgjedhjen e mënyrës së komunikimit me masën, sidomos masën tonë, e cila për një kohë të gjatë ka jetuar nën komunizëm e ateizëm dhe akoma infrastruktura e informacionit të tyre është kryesisht ateiste dhe jofetare.

Për këtë shkak dijetarët në përgjithësi dhe ata të fesë në veçanti e kanë detyrë të veçantë sqarimin e qëndrimeve fetare dhe mos heshtjen e tyre, sidomos të gjërave që kanë të bëjnë me elemente themelore të besimit, sepse për këtë edhe janë zotuar: “Dhe kur Allahu mori zotimin nga ata që iu pat dhënë libri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshihni, por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe”. (Ali Imran: 187).

Kurse ata që e thyejnë këtë zotim dhe nuk janë në nivelin e përgjegjësisë, të cilën e kanë marrë automatikisht me nxënien e dijes dhe arritjen e gradave të larta në dije i gjen ajo që na tregohet nga Allahu, në Kuranin Fisnik: “Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të forta (të shtangura). Ata i ndryshojnë fjalët nga domethënia e tyre dhe braktisën një pjesë me të cilën ishin urdhëruar. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre, përpos një pakice nga ata. Pra, falju dhe hiqju tyre. Allahu i do ata që bëjnë mirë.” (Maide: 13). Intelektuali i vërtetë nuk guxon as t’i shtrembërojë faktet për të fituar lëvdata ose duartrokitje, por ai duhet t’u mbetet besnik parimeve shkencore dhe argumenteve mbi të cilat ndërtohet feja, në emër të së cilës flet.

Çdo intelektual që mundohet ta kryejë detyrën e tij sinqerisht dhe përgjegjësinë që ka marrë përsipër, e në këtë rast dijetarët e Fesë Islame, të cilët këtë përgjegjësi e kanë marrë nga Allahu Fuqiplotë, ata do të ballafaqohen me sfida dhe peripeci, me kurthe dhe lajka, mirëpo duhet ta kenë vazhdimisht parasysh këtë porosi hyjnore: “Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo pejgamberi i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët e djallëzuar, që me fjalë të shkëlqyeshme në mënyrë të fshehtë nxisin njëri-tjetrin në mashtrime. E sikur të donte Zoti yt, ata nuk do ta bënin atë (armiqësi), po ti lëri ata me ato trillime. Dhe që të anojnë (tek ato fjalë mashtruese) zemrat e atyre që nuk besojnë botën e ardhshme dhe që të kënaqen e ngarkohen me atë që janë duke u ngarkuar (ty nuk të dëmtojnë asgjë). (Thuaj) A pos Allahut të kërkoj unë gjykatës (mes meje dhe juve)? Kur Ai është që ua zbriti librin në mënyrë të shkoqitur? Atyre që u dhamë librin e dinë se ai (Kurani) është i zbritur prej Zotit tënd saktësisht, pra, mos u bëj prej atyre që dyshojnë. Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (për ato që lajmërojnë) dhe plot të drejta (për ato që gjykojnë). S’ka kush që të ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij. Ai është që dëgjon e di. Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e Allahut. Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëm se rrenacakë. S’ka dyshim, Zoti yt e di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai është më i dijshmi për të udhëzuarit”. (Enam: 112- 117). Është e vërtetë se këto porosi Allahu Famëmadh ia ka dhënë Muhamedit, sallallahu alejhi ue selem, mirëpo ato vlejnë për çdo njeri, i cili mundohet të ketë rol konstruktiv në ndërtimin e popullit dhe të shoqërisë së vet.

Përgjegjësia e dijes na jep edhe një detyrë e obligim, e kjo është që çdo intelektual dhe hoxhë duhet t’i ndërtojë prioritetet e aktivitetit të tij, të cilat duhet t’i mbështesë në bazë të parimeve themelore të fesë dhe në bazë të nivelit të dijes që ka populli i vet dhe duke pasur parasysh çdo herë gatishmërinë e qarqeve të caktuara për të nxjerrë nga konteksti fjalët dhe idetë, qëndrimet dhe veprimet. E gjitha kjo që mos t’i lejojmë, smirëzinjtë e këqij shteg për të sulmuar figurat e rëndësishme të popullit tonë.

Dija e mirëfilltë dhe durimi i fuqishëm e bëjnë njeriun prijës, edhe pse mund të zgjasë pak kohë kjo gjë!

Mars/2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit