1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përgëzimi për ardhjen e muajit të Ramazanit.

Më të lexuarat

Ebu Hurejra dhe Enesi radiallahu anhuma tregojnë:
Hyri muaji i Ramazanit dhe i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për ti përgëzuar shokët e tij u tha:

“Ky është muaji i Ramazanit! Ju ka ardhur një muaj i bekuar në të cilin Allahu ua ka bërë detyrë agjërimin.
Kur të jetë nata e parë e Ramazanit, prangosen shejtanët, ata të tërbuarit prej tyre. Mbyllen dyert e Xhehenemit dhe s’hapet asnjë derë e tij. Hapen dyert e Xhenetit dhe s’mbyllet asnjë derë e tij. Dhe një thirrës thërret: O ti që do të mirën, hajde për tek mirësia! Dhe o ti që do të keqen ndalo!
Allahu në këtë muaj ka njerëz që i çliron nga robëria në çdo natë, derisa të përfundojë Ramazani.
Në këtë muaj është një natë më e mirë se një mijë muaj. Kujt privohet nga mirësia e saj i është privuar çdo mirësi dhe nuk i pengohet mirësia e saj veçse atij që në origjinë është privuar”

▪️E shënon Nesaiu, Ibn Maxhe, Imam Ahmedi, dhe është saktësuar sipas këtij versioni të plotë nga Shejh El-Albani, dhe origjina e tij është në dy Sahihët.

🔘Në këtë hadith shohim se Profeti alejhi selam gëzohet me ardhjen e Ramazanit dhe i përgëzon për të edhe shokët e tij.
➖Fjala “Përgëzim” apo “Bishara” sipas gjuhës arabe në origjinë do të thotë çelja e fytyrës dhe përdoret për lajmin e gëzuar sepse njeriu kur gëzohet i çelet atij fytyra dhe i duket atij gëzimi në fytyrë.
➖Profeti alejhi selam përmend pastaj shkakun e përgëzimit të tij duke përmendur disa arsye si:
1- Begatia e madhe e muajit të Ramazanit
2- Lehtësimi i njerëve nga ndikimi i shejtanëve
3- Hapja e dyerve të Xhenetit
4- Mbyllja e portave të Xhehenemit
5- Thirrja e melaikeve për në mirësi
6- Lirimi i njerëve nga robëria e zjarrit dhe falja e gjynaheve të tyre
7-Shumfishimi i sevapeve në Natën e Kadrit
➖Këto mirësi janë mirësi të mëdha dhe secila prej tyre mjafton për tu kënaqur besimtari e aq më tëpër të gjitha së bashku, prandaj ia vlen që njerëzit të përgëzohen për to me qëllim që ata ti kushtojnë atyre rëndësinë e duhur.

Ky hadith tregon gjithashtu se urimi për begatitë fetare në përgjithësi është i pëlqyeshëm.
➖Një gjë e tillë është përmendur edhe në hadithin e teubes së Ka’b bin Malikut, radiallahu Allahu anhu historia e të cilit është përmnendur në suren El-Teube, kur ai nuk mori pjesë në betejen e tebukut dhe kur atij i erdhi lajmi i mirë i faljes së gabimit thuhet në hadithin e tij:
“Atëherë njerëzit filluan të më takojnë grupe grupe dhe më uronin për pranimin e pendimit nga Allahu i madhëruar” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
➖Ibn El-Kajjim -Allahu e mëshiroftë thotë në lidhje me këtë ngjarje: Ka thënë: “Kjo ngjarje dëshmon se është e pëlqyeshme përgëzimi i atij që i vjen ndonjë mirësi fetare, përgëzim i cili lejohet gjithashtu edhe kur atij i vjen ndonjë mirësi e kësaj bote”

Atëherë bazuar në këtë që përmendin hadithet, i lutemi Allahut të madhëruar me rastin e ardhjes së këtij muaji të na japë sukses për arritjen e begative të tij, të na falë dhe pastrojë nga gjynahet tona dhe të na i lartësojë gradat tonë në Xhenet! Amin!

Dr. Abdullah Nabolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit