2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Përgatitjet për zgjedhje të reisit të ri pritet të fillojnë pas Kurban Bajramit

Më të lexuarat

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut pritet që të fillojë përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të ri të BFI-së pas Kurban Bajramit, gjegjësisht 31 korrikut. Këtë për Portalb.mk, e tha shefi i kabinetit të u.d. kryetarit reis ul ulema, Shaqir efendi Fetahut, Selver Xhemaili, njofton Portalb.mk.

U.d. kryetari i BFI-së, Shaqir efendi Fetahu mund të vazhdojë në këtë pozitë prej gjashtë muaj deri në 1 vjet që nga dita e ardhjes në detyrë, ndërkaq pastaj duhet të shpallen zgjedhjet. Megjithatë nga BFI thonë se ndoshta nuk do ta presin të kalojë 6-mujori i parë për të organizuar zgjedhje.

Shefi i Kabinetit të reisit, Selver Xhemaili, për Portalb.mk thotë se për shkak të aktiviteteve të shumta në BFI, përgatitjet zgjedhore duhet të fillojnë pas Kurban Bajramit, ndërkaq të njëjtat do të bëhen sipas rregullores për zgjedhjen e reisit.

“Komisioni Zgjedhor e përpilon rregulloren për zgjedhjen e reisit të BFI-së, në bazë të Kushtetutës së BFI-së. Në çdo zgjedhje përpilohet rregullore e re dhe e njëjta vlen deri në zgjedhjet e ardhshme. Deri më tani nuk ka asnjë aktivitetet për zgjedhjet e reja, brenda 6 muajve dhe deri në 1 vjet do të mbajmë zgjedhje. Ndoshta s’e presim edhe 6 muaj, por ende nuk kemi filluar aktivitetet. Presim që të kalojë Kurban Bajrami pasi që kemi shumë aktivitete dhe pasi të kalojë atëherë shpresoj të orientohemi në lidhje me zgjedhjet, pra të nisim përgatitjet”, tha Xhemaili.

Kush dhe si e zgjedh reisin e BFI-së?

Sipas Kushtetutës së BFI-së, Reis ul Ulemaja është organ dhe kryetar i BFI-së i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit. Zgjedhja e Reis ul Ulemasë behet konform Rregullores për zgjedhje të Reis ul Ulemasë. Kjo rregullore hartohet nga Komisioni Zgjedhor dhe ndryshon në çdo cikël zgjedhor.

Për Reis ul Ulema mund të propozohen dhe të zgjedhen personat të cilët kanë të kryer fakultete islame, që kanë përvojë pune të suksesshme dhjetëvjeçare në radhët e BFI-së dhe kanë moshë mbi dyzetvjeçare. Sipas nenit 36 të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Rijaseti i BFI-së e propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë.

Kompetencat e reisit:

  • përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;
  • jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit;
  • emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.
  • organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.
  • konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;
  • ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës.
  • nënshkruan aktet e Rijasetit;
  • nënshkruan aktet për punësim në BFI;
  • viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avancimin e jetës fetare;
  • lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikëqyrje të Rijasetit;
  • ka të drejtë të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njëjtat janë kundërshtim me parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.
  • dekreton vendimet e marra nga Rijaseti i BFI-së.

Më 27 maj, Rijaseti i Bashkësia Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepin. Pavarësisht se Rijaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media. Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 58 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.

Në po të njëjtën ditë, në vend të Rexhepit u emërua Efendi Fetahu, i cili do të jetë në krye të BFI-së deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja për reis të ri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit