Justinian Topulli
Duke kërkuar nëpër internet tekstin e plotë të himnit të Kongresit të Lushnjës, i cili mbushi 100 vjetorin e tij këto ditë, hasa në një lajm të çuditshëm ku thuhej se ripërpunohej himni i Kongresit!
Ç’kuptim ka që vargje të shkruara njëqind vjet më parë, të kuptueshme qartësisht edhe sot të ndryshohen me kaq lehtësi?! Tekstet historike janë ashtu siç janë dhe askush nuk ka të drejtë morale as ligjore të fusë duart për t’i ndryshuar ato, apo për t’i bërë më bashkëkohore apo më të pranueshme ideologjikisht për disa. Maksimumi që mund të bëhet është që këto tekste të shoqërohen me shpjegime të jashtme, nëse ka nevojë për to. Mirëpo rasti me himnin e Kongresit të Lushnjës është fare flagrant, aty me vetëdije hiqet fjala Zot për ta përçudnuar jo vetëm përmbajtjen e vargut, por edhe rimën e tij.
U mundova të kërkoja në internet vargjet origjinale dhe ndonjë dokument të asaj kohe, por përpara më dilnin vetëm versioni i përçudnuar, kështu që do ta riprodhoj atë nga memoria familjare nga gjyshi im (që ishte një nga shkruesit e dokumenteve në Kongresin e Lushnjës) dhe do t’i isha mirënjohës kujtdo që do më gjente një provë dokumentare të asaj kohe që provon vërtetësinë e kësaj që po shkruaj:
ë sa humbet drejtësi e Zotit,
aq dhe humbet shpresa jonë.
Nuk pushtohet tokë e Kastriotit,
trimërinë e kanë zakon, e kanë zakon.
Ndërkohë versioni që qarkullon online sot, edhe i kënduar, dhe shpallur si himn i qytetit të Lushnjës është:
Me sa humbet drejtësia,
Aq shuhet shpresa jonë,
Nuk pushtohet toka e Kastriotit,
Trimërinë e ka zakon.
Ndryshimi pra thelbësor në këtë rast është heqja e fjalët Zot, e cila duket qartë se përçudnon tekstin, sepse mos humbja e drejtësisë lidhet pa diskutim me ekzistencën e Zotit dhe vendosjen e saj prej Tij. Drejtësia në duart e njerëzve humbet, por edhe nuk ka drejtësi absolute mes njerëzve, kështu që autori nuk e lidh shpresën e përhershme të shqiptarëve me një ekzistencë njerëzore apo abstrakte të drejtësisë, por e lidh atë me drejtësinë e pacenueshme dhe të përhershme të Zotit.
Veç kësaj fjala Zot aty rimon me fjalën Kastriot, kështu që heqja e saj aty prish rimën dhe e përçudnon artistikisht vargun.
Autori i këtyre vargjeve ishte Ferid Vokopola, i cili krahas vlerave të tjera intelektuale dhe patriotike ishte dhe besimtar mysliman dhe një nga themeluesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, dhe një përkthyes i Kuranit. Mirëpo komunizmi që hante edhe pjellat e veta, nuk donte t’ia dinte për të tjerët dhe për ruajtjen origjinalitetin e veprave të tyre, e rëndësishme për të ishte të ruhej boshti ideologjik, i cili në mënyrë absurde fuste duart edhe në histori, duke e retushuar dhe deformuar atë, sipas pikëpamjeve të tij, në këtë rast edhe ateiste.
Nuk është rasti i vetëm kur njerëzit e historisë e të artit të frymëzuar dhe dirigjuar me frymën e partisë komuniste kanë bërë deformime të tilla, mjafton të kujtojmë këtu heqjen e vargut nga himni kombëtar kur përmendet Zoti, i cili për fat të mirë me vendim shtetëror tashmë është kthyer, për të kuptuar sesa të paturpshëm dhe amoral kanë qenë këta njerëz, dhe vazhdojnë të jenë pjellat e tyre të “njeriut të ri socialist”.
Fjalët: Zot, Perëndi, Allah, Hyj, kanë qenë pjesë e ligjërimit të përditshëm të njerëzve, madje edhe pjesë e ligjërimit publik dhe intelektual dhe këtë e konstatojmë lehtësisht nga literatura e asaj kohe, kështu që ajo që bëri ideologjia marksiste këtu tek ne, ndër të tjera, ishte edhe zhveshja nga kjo pjesë e identitetit tonë shpirtëror, filozofik, fetar, emocional dhe historik të trashëguar ndër shekuj, në favor të një rrobe ideologjike denatyruese të çmendur.
Kriza më e madhe që vuajnë sot shqiptarët, është pikërisht kriza identitare morale, prej saj rrjedhin shumica e veseve të këqija që ne kemi sot dhe nuk i kishim dikur me shumicë. Kombet ngrihen mbi identitetin e tyre moral dhe filozofik, e moral dhe filozofi pa Zot nuk ka. Për aq kohë sa shqiptarët nuk i japin Zotit dhe emrit të Tij vendin e duhur në jetën e tyre private dhe publike, të harrojnë se do të bëhen ndonjëherë komb me dinjitet dhe i respektuar nga të tjerët.