0.3 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Përballja me të papriturat

Më të lexuarat

  Falënderimi i takon vetëm Allahut që ia shpalli robit të Vet librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. I falënderuar qoftë Allahu, i Cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim. Falënderimi i qoftë Allahut dhe shpëtimi qoftë mbi robërit e Tij, që Ai i zgjodhi (Pejgamberët). Falënderimi i takon Allahut, i të Cilit është çka ka në qiej dhe çka ka në tokë dhe i tërë falënderimi i takon Atij në botën tjetër.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e mëshirës, Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, kurse çdo lajthitje të çon në zjarr.
Shumë ajete të librit të Allahut të Lartësuar i kalojmë duke i lexuar, dëgjuar dhe studiuar. Ne po lexojmë dhe po i kalojmë ajetet, por disa prej selefit (brezit të parë), kur i lexonin fjalët e Allahut, ndikoheshin dhe për disa ditë nuk dilnin nga shtëpia. Me të vërtetë ata e përjetonin fjalën e Allahut. Vallë, a po përfitojmë nga fjalët e Gjithëmëshirshmit!?
Pa dyshim që ekziston një dallim i madh mes nesh dhe gjeneratës së sahabëve. Kur e lexonin Kuranin ata ndikoheshin nga fjalët e Allahut dhe kjo shihej qartë në ibadetin (adhurimin) e tyre, në sjelljet e tyre, në modestinë ndaj dynjasë dhe në afrimin më të madh me ahiretin. Duke medituar për fjalët e Allahut të Lartësuar, sahabët u bënë brezi më i artë, gjenerata e tyre është shëmbëlltyra e njerëzimit, shoqëria e krenarisë dhe e mburrjes, një komunitet i përulur vetëm ndaj Allahut e ndaj askujt tjetër pos Tij, shoqëri e dashurisë dhe e besës, e qartësisë dhe e besnikërisë.
Një ajet i Kuranit i zbardh kokat e të devotshmëve, gjatë leximit i trondit zemrat e evliave, gjatë shikimit në mus’haf u rrjedhin lotët e frikës respektuesve dhe gjatë dëgjimit u rrëqethen trupat këshilluesve. O robër të Allahut! Të kujtojmë së bashku fjalën e Allahut: “Sikur keqbërësit të kishin çdo gjë që gjendet në Tokë, edhe po kaq më tepër, të gjitha këto do t’i flijonin (për të shpëtuar) prej dënimit të ashpër në Ditën e Kiametit. Atëherë do të përballen me atë që nuk kanë llogaritur.”1
Ajeti i lartpërmendur na flet për diçka që është shumë serioze dhe vendimtare në Ditën e Gjykimit; na paraqitet një pasqyrë të gjendjes së atyre që nuk besuan dhe për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm, që i pret për shkak të mohimit, ata do të shpresonin të jepnin për kompensim gjithçka që gjendet në Tokë, madje edhe më tepër. Por ata do të përballen patjetër me dënimin e Allahut, me po atë dënim që nuk e kanë llogaritur e as nuk e kanë menduar aspak.
Momente befasuese janë ato kur njeriu përballet me të papritura. Është e trishtueshme kur njeriu përballet me diçka të tillë në këtë botë, po vallë ç’bëhet në Ditën e Gjykimit?!
Fudejl bin Ajadi, Allahu e mëshiroftë, për fjalën e Allahut: “Atëherë do të përballen me atë që nuk kanë llogaritur”, thotë: “Kanë punuar punë dhe i kanë llogaritur si vepra të mira, por ato vlerësohen si vepra të kundërta.

O besimtar!
Sot je i gjallë, kurse tjetri ka vdekur!
Ti sot e lexon Kuranin, por një ditë nuk do të mundesh!
Ti sot ke mundësi të përmirësohesh dhe të bësh llogarinë, kurse tjetri jo!
A mendove një ditë prej ditëve për qëndrimin tënd në Ditën e Gjykimit para Allahut të Lartësuar?

Sot ndoshta dikush mashtrohet se është musliman, se fal namaz dhe është i shpëtuar dhe nuk e ka dert dhe shqetësim veprën haram dhe lënien e vaxhibit, mendon se është i sigurt dhe aspak nuk merakoset. Disa madje bëjnë mëkat dhe e injorojnë atë duke mos e llogaritur si të shëmtuar, ndërkohë që kjo ndikon për përfundimin e keq, Allahu na ruajttë!
“Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.”2

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Ju mund të punoni punë që mund t’u duken shumë të imëta (të vogla), ndërsa ne në kohën e të Dërguarit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i llogaritnim me pasoja të dëmshme (të rrezikshme).”3
Allahu qoftë i kënaqur me ty, o Enes! Ua the këto fjalë atyre që ishin sahabë e tabiinë! Vallë si do ta vlerësosh gjendjen tonë? Si do të reagosh ndaj atyre që injorojnë urdhrat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Si do të reagosh ndaj atyre që mbjellin helmin e ateizmit, të imoralitetit, të degjenerimit nëpërmjet kanaleve televizive satelitore? Si do të reagosh edhe ndaj atyre që u kalon java, muaji, viti dhe nuk e falin namazin e sabahut me xhemat në xhami?
Vetëm sa për ilustrim përmenda disa gjynahe, ndërsa numri i atyre gjynaheve të cilave nuk u kushtohet kujdes dhe vëmendje është edhe më i madh. “Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.”4
Dikush mendon se qëndrimi para ekranit televiziv është çështje pa peshë të rëndë, kurse qëndrimin nëpër lokale ku bëhet harami, udhëtimin nëpër vende ku tubohen për t’u dëfryer në mënyrat më të shfrenuara nuk e konsiderojnë gjë të madhe.
Ata vazhdojnë në këtë gjendje duke i menduar këto si pa peshë, duke shprehur se është gjë e vogël dhe e lehtë dhe se këto janë gjynahe të vogla. E vërteta është se këto mëkate të quajtura të vogla janë shkaktare për shkatërrimin dhe humbjen e njeriut, Allahu na ruajttë. Allahu na ka treguar duke thënë: “Atëherë do të përballen me atë që nuk kanë llogaritur.”5

Të nderuar muslimanë!

Ajo që më tepër duhet ta shqetësojë të mençurin është se nuk guxon ta vlerësojë veprën e keqe si të mirë. Allahu na lajmëron për ata që do të dëshpërohen për veprat e tyre:  “Thuaj: A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?”6
O njeri! Mos u çudit me veprën tënde, me adhurimin që bën, por lute Allahun të ta pranojë dhe të të shpërblejë. Kujdes dhe vetëm kujdes! I Dërguari i Allahut thotë: “Disa nga umeti im do të vinë me vepra të mira e të mëdha sa kodrat, por ato Allahu do t’i shndërrojë në pluhur dhe hi.”  Sahabët shprehën habi se si mund të ndodhë kjo. Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Ata janë nga mesi juaj, flasin gjuhën tuaj, adhurojnë vetëm një pjesë të natës, ndërsa kur vetmohen i shkelin kufijtë (ligjet) e Allahut.”7 Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.”8
E mbyllim me fjalët e arta të Abdullah ibën Mesudit, i cili thotë: “Vërtet besimtari i sheh gjynahet të mëdha si kodra, duke u frikësuar se do t’i bien, kurse mëkatari i injoron dhe i konsideron si miza kur i kalon afër.”
I lutem Allahut të na falë gjynahet dhe gabimet, të na udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e të parëve tanë.

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
13.6.2008

1 Zumer, 47.
2 Nur, 15.
3 Transmeton Buhariu.
4 Nur, 15.
5 Zumer, 47.
6 Kehf, 103-104.
7 Transmeton Ibni Maxhe.
8 Furkan, 23.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit