Nga: Dr Selman Aude
Për Zotin, apo për robin e Zotit?
Transmeton imam Ahmed ibnu Huzejme dhe Bejhakij, se profeti Muhamed a.s ka thënë:”Asaj që i frikësohem më së shumti për ju, është shirku i fshehtë, dyfytyrësia.”
Nuk prish punë që njeriut ti bëhet qejfi kur e lëvdojnë njerëzit, pasi dyfytyrësia është kur nijeti nuk ka qenë për Zotin, pasi nëse do të kishte qenë vetëm, nuk do ta kishte vepruar atë vepër.
Dyfytyrësia është disa llojesh:
1. Dyfytyrësia në besim, e cila është hipokrizia, ku shfaqet besimi dhe fshihet mosbesimi.
2. Dyfytyrësia fizike, ku shfaqet mundi fizik në adhurim, preferohet të zbulohet dhe të flitet për njollën e sexhdes në ballë për shembull, apo tharjen e buzëve për shkak të agjërimit, varjen e kokës gjatë ecjes, apo dhe zhubrosjen e flokëve si shenjë zuhdi dhe asketizmi.
3. Dyfytyrësia me fjalë, si tregimi i historive dhe këshillave të ndryshme, për të thënë se u kushton rëndësi dhe vëmendje biografive të njerëzve të mirë, lëvizja e buzëve për dhikër, si dhe pëshpëritja e shkronjës “s” që njerëzit ta kuptojnë se po bën istigfar.
4. Dyfytyrësia me vepra, si zgjatja e qëndrimit në këmbë në namaz, zgjatja e rukusë dhe sexhdes, si dhe të shtirurit se je i përhumbur.
5. Dyfytyrësia në status, si ata që bëjnë çmos që të vizitojnë dijetarët dhe njerëzit e mirë, që të thuhet se edhe ata i përkasin kësaj shtrese.
Siç dhe duket, gjithçka ka të bëjë me motivin themeltar të veprës.
Thelbi i dyfytyrësisë është dashuria dhe pasioni për të lëvduar veten dhe për tu lëvduar nga njerëzit, por edhe urrejtja e kritikës dhe lakmia për të shtënë në dorë të mirat e të tjerëve.
Megjithatë, ndonjë “dyfytyrësi” aksidentale gjatë ritualeve, nuk është e dëmshme dhe nuk e prish adhurimin.
Ka njerëz që heqin dorë nga veprat e mira, nga frika se mos bien në dyfytyrësi, një gabim tjetër ky dhe një rivalizim i gabuar me shejtanin, duke ftuar për mos angazhim dhe punë të mira, me pretekstin e dyfytyrësisië. Prandaj, përderisa motivi i parë është i saktë, nuk lihet puna e mirë thjesht për ndonjë mendim aksidental që përmban dyfytyrësi. Prandaj dhe Fudejl ibnu Ijad thoshte:”Të veprosh diçka për hir të njerëzve, konsiderohet shirk. Kurse sinqeriteti është kur Zoti të ruan nga diçka e tillë.”
Një student në moshë të re, nxiton të japë feta, të ulet të japë mësim, të shfaqet serioz dhe autoritar, duke e pasur të vështirë të thotë ndonjëherë “Nuk e di”. Ai i vesh vetes personalitetin e të mëdhenjve dhe thotë:”Sipas mendimit tim, ajo që besoj si e vërtetë, mendoj që, ajo ku më gjen rehati zemra…” Ai rrëmbehet nga replikat që bën me të diturit, kritikon vend e pa vend të tjerët si të mos kishin asgjë të mirë, ndërkohë që ai nuk e pranon kritikën e tyre.
Një tjetër jepet me të gjithë arsenalin e tij pas gjërave dytësore, të cilat as që i hyjnë në punë miletit, veç ndonjë rasti të rrallë. Ai nuk flet pothuaj fare në lidhje me sinqeritetin, moralin dhe respektin.
Një i tretë ekzaltohet me polemikat dhe fjalët e shumta, gjithmonë gati për debat. Në fërkimin më të vogël, fillon mallkimin e tjetrit për shkak të bindjeve të prishura dhe paaftësisë.
Në bëftë vaki që të dëgjojë diçka të vërtetë nga kundërshtari, kjo ia ngushton kraharorin dhe menjëherë ngre barriera dhe stuhi në gotë, me qëllimin që ai të tërhiqet nga ajo që tha. Nëse sheh se ai insiston, i thotë: Tani do i kthehesh mendimit tim!” Me këtë, sikur të vërtetën e ka rrethuar me një mur, ku askush tjetër nuk mund të depërtojë veçse me lejen dhe miratimin e tij, sigurisht pasi ti jetë nënshtruar një kontrolli identiteti.
Përgjithësisht, debatet dhe polemikat përkojnë me atë që thoshte profeti Muhamed a.s:”Koprraci symbyllurazi, rendje pas epshi dhe secilit i pëlqen vetëm mendimi i tij.” (Ebu Daud, Tirmidhij)
Një të ditur e pyetën:”Si e interpreton faktin se fjalët e të parëve tanë, ishin më të dobishme se tonat?”
Ai u përgjigj:”Sepse ata flisnin për të lartësuar islamin, për shpëtimin e shpirtit dhe kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit. Kurse ne flasim për lartësimin e vetes, për të mirat tona materiale dhe për ti bërë qejfin miletit.”
Pasioni pas historive të çuditshme dhe hulumtimi në mendime e braktisura, po bëhet sikur të ringjallej një traditë profetike e vdekur apo një ligj i harruar. Shpesh herë dijetarët këshillojnë që të hiqet dorë nga gjërat bombastike dhe sensacionale, të cilat janë përjashtime dhe jo thelbi.
E ndonjëherë tjetër, vihet re një mbështetje fanatike e aktualitetit dominues, një qëndrim mbrojtës ekstrem madje dhe lidership në këtë fushë, edhe pse ky aktualitet bie ndesh me sheriatin.
Ka dhe të tjerë të cilët bëjnë çmos që ti shtojnë ithtarët e tyre, mes të cilëve nxisin fanatizmin dhe ngritjen e mureve izoluese, nën pretekstin e vela-së dhe berra-së, edhe pse bëhet fjalë për çështje dytësore dhe morale.
Imam Dhehebij, thoshte:”Ndërkohë që ti je persekutuesi, e sheh veten si të persekutuar. Ndërkohë që ti ushqehesh me haram, e sheh veten në kulmin e devotshmërisë. Ndërkohë që ti je i padrejtë, e sheh veten të drejtë. Ndërkohë që ti e kërkon dijen për interesa personale, e sheh se e kërkon për hatër të Zotit.”
Imam Ahmedi, kur e dëgjoi Ebu Daudin të thotë rreth librit të tij:”Këtë libër (sunen Ebu Daud), e kam hartuar për hatër të Zotit.”, iu përgjigj:”Të thuash për hatër të Zotit, është diçka e madhe, por thuaj:”Kjo gjë më pëlqeu dhe e bëra.”
Në disa transmetime të tjera, thuhet se imam Ahmedi e ka thënë këtë për veten e vet.
Përktheu: Elmaz Fida
…