Boshnjaku Haris Lagumdzija (29) prej vitesh ruan varrin e presidentit të parë të Bosnje dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviç, të cilin pavarësisht se nuk e ka parë asnjëherë ai e konsideron si “heroin e tij të fëmijërisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Lagumdzija, i cili nuk ka patur mundësinë ta shikojë, por që në fëmijërinë e tij është rritur duke i dëgjuar historitë heroike të Alija Izetbegoviçit, ai ka ndjerë një trishtim të thellë pas Alija vdiq më 19 tetor 2003.
Pasi në vitin 2010 gjeti mundësinë që të kryejë detyrën për ruajtjen e varrit të Alijas që ndodhet në varrezat e dëshmorëve Kovaçi, Lagumdzija që nga ajo ditë është bërë pothuajse si një “shok” me Alijan.
Duke e cilësuar si një “nder” detyrën e tij në krye të varrit të Alijas dhe të dëshmorëve të tjerë, 29 vjeçari tashmë është bërë një fytyrë e njohur edhe për vizitorët që vijnë në varrezat e dëshmorëve.
Për gazetarin e AA-së, Lagumdzija, është shprehur se është krenar që ruan varrin e Alija Izetbegoviç dhe dëshmorëve të tjerë dhe vë në pah se këtë detyrë e kryen me përkushtim dhe me ndershmëri.
Ndër të tjera ai ka theksuar se është një detyrë e veçantë ajo që kryen në një prej varrezave më të mëdha të dëshmorëve që ndodhet në Evropë, dhe se varrezat e dëshmorëve ku ndodhet varri i Alijas i cili është një personalitet i rëndësishëm janë një vlerë e veçantë.
Pasi ka theksuar se varrin e Izetbegoviç e vizitojnë shumë personalitete të rëndësishëm, Lagumdzija tha se “Shumë njerëz të vlerësuar në botë vijnë dhe e vizitojnë. Nga Turqia kanë ardhur persona të rëndësishëm si presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe ish-kryeministri Ahmet Davutoğlu. Gjithashtu kanë kryer vizita politikanë dhe ministra nga vendet si Pakistani dhe Irani.”
Duke theksuar se Alija ishte një njeri shumë i rëndësishëm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe botën, Lagumdzija tha se ai ishte një vizionar, bamirës dhe një personalitet që ka luftuar për pavarësinë e vendit të tij.
“Sikur të kisha mundësinë do të doja me të vërtetë që ta shikoja”, është shprehur i riu duke shtuar se Alija Izetbegoviçin nuk e ka parë asnjëherë kur ai ka qenë në jetë.
Kush është Alija Izetbegoviç
I lindur në qytetin Bosanski Shamats të Bosnjës dhe Hercegovinës më 1925, Alija duke dalë kundër ideologjisë fashiste gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas kundër regjimit komunist dhe praktikave të tij ai ishte një nga themeluesit e organizimit të studentëve të kolegjit dhe universitetit me emrin “Myslimanët e rinj”.
Gjatë luftës që ai dha për popullin e tij, Izetbegoviç u arrestua dy herë në 1946 dhe 1983, ndërsa u lirua duke përfituar nga amnistia në fund të vitit 1988.
Izetbegoviç, në vitin 1990 themeloi Partinë e Veprimit Demokratik (SDA), e cila edhe sot është partia më e fuqishme boshnjake në vend, dhe gjithashtu udhëhoqi popullin e tij në luftën midis viteve 1992 dhe 1995 në Bosnjë.
Duke nënshkruar Traktatin e Paqes të Dejtonit më 21 nëntor 1995, Izetbegoviç me këtë marrëveshje i la një shtet të njohur ndërkombëtarisht popullit të tij.
Izetbegoviç, i cili u largua nga posti i tij në Këshillin Presidencial në vitin 2000 për shkak të problemeve shëndetësore, ndërroi jetë në Sarajevë më 19 tetor 2003.