1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Për vaksinën e tretë nuk e kam kohën, për PCR nuk i kam 30 euro”

Më të lexuarat

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që kërkon nga qytetarët që duan të hyjnë në shtet të paraqesin dëshminë e vaksinimit kundër koronavirusit me tri doza, ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët e shteteve fqinje të Kosovës.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë, Qeveria e Kosovës, më 21 janar, ka miratuar masa të reja kundër pandemisë. Sipas tyre, qytetarët që hyjnë në Kosovë, duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit. Ata që nuk e kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.

Disa qytetarë të Kukësit të Shqipërisë – qytet afër kufirit me Kosovën – kanë protestuar të hënën në pikën kufitare të Morinës, që lidh dy vendet. “I kemi bërë dy vaksina. Ata kërkojnë të tretën. E treta nuk bëhet nëse nuk e ka kohën, (domethënë) pa u bërë gjashtë muaj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Afrim Muja, njëri nga protestuesit. Sipas tij, ky është problem i shkaktuar nga Qeveria e Kosovës. “Ky është problem qeveritar. Vetëm në Kosovë e kemi këtë kusht, se në shtetet e tjera jo, as në Greqi, as në Maqedoni [të Veriut] nuk e kemi këtë kusht”, ka thënë ai.

Organizatori i protestës, Rakip Matmuja, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për kushtet e hyrjes në Kosovë, ka shkaktuar problem për shumë qytetarë.

“Ne e kemi një protestë paqësore për t’i kërkuar Qeverisë së Kosovës, presidentes, kryetarit të Parlamentit, që të hiqet vaksina e tretë [si kusht për hyrje në Kosovë]. Të njihet dokumenti i shtetit shqiptar, certifikata e vaksinimit, të hiqet tamponi [testi për koronavirus], njerëzit të lëvizin lirshëm”, ka thënë ai. “Po kërkojnë PCR. Ku t’i marrim ne 30 euro për PCR që ta kalojmë kufirin”, ka thënë Fatjon Matmuja, i cili po ashtu ka protestuar në Morinë. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit