1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Për të tretën javë, nxënësit mbesin jashtë bankave shkollore – SBASHK-u e MASHTI vazhdojnë përplasjet në distancë

Më të lexuarat

Ka hyrë në javën e tretë greva në arsim, ku nxënësit e shumë shkollave kanë mbetur ende pa filluar procesin mësimor këtë vit. Ndonëse disa shkolla kanë marrë vendim për ndërprerjen e grevës, shumë të tjera janë duke e vazhduar një gjë të tillë.

E arritja e një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut duket të jetë larg. Pavarësisht takimeve të shumta, në mes të dy këtyre akterëve kemi parë vetëm akuza e kundër akuza.

Së fundmi kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha dje për Telegrafin se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është duke u bërë shantazh e presion mësimdhënësve për ndërprerjen e grevës, dhe se për këtë arsye disa shkolla e kanë bërë atë.

Pas kësaj, SBASHK përmes një reagimi për media theksoi se kryeministri Albin Kurti nuk është për dialog, por për do rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit, linçimit përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen nga militantë në Facebook.

“Një kryeministër që vërtetë e do vendin e tij kurrë nuk do t’i nënshtrohej tekave të tij, që në vend të debatit e zgjidhjes së kërkesave të grevistëve, të merrte një fjali e të përqeshte atë që shkoi në takim bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevist e që kishin qëllimin më të mirë që të debatohej sinqerisht dhe që të arrihej te marrëveshja e pranueshme”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Lidhur me situatën në arsim ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili u ka bërë thirrje palëve që të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje për ndërprerjen e grevës.

Avokati i Popullit ka rikujtuar palët se çdo qëndrim apo veprim, në qendër të çdo prioriteti duhet ta ketë interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi. Çdo orë e humbur e mësimit ka pasoja të pandreqshme për fëmijët dhe vazhdimi në mospjesëmarrje në mësim është i dëmshëm në shumë aspekte”, ka deklaruar Avokati i Popullit.

Pas kësaj deklarate nuk ka munguar as reagimi i SBASHK-ut, duke thënë se shkresa e Avokatit të Popullit nuk solli asgjë të re dhe se greva vazhdon.

ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sërish ka bërë thirrje që mësimdhënësit të kthehen në shkolla. Ajo ka akuzuar SBASHK-un se po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë dhe ndërmjetësit për të gjetur një zgjidhje për grevën në arsim.

“Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHK-u dhe të vazhdojmë dialogun social e të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qëndrim se greva vazhdon”, ka shkruar Nagavci.

Ministrja ka theksuar se si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që nga nesër (sot) t’u kthehen shkollave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit