E shoh të nevojshme të deklaroj që në fillim se për arsye botëkuptimore fetare, por edhe familjare, e gjej veten më pranë të djathtës sesa të majtës. Natyrshëm urrej komunizmin me themel, por refuzoj gjithashtu edhe çdo lloj ideologjie apo sistemi diktatorial e racist, çfarëdo emri që të ketë. Për mua si besimtar, në thelb dhe përtej çdo krahu apo pikëpamje politike bashkëkohore, është besimi im fetar, ai që formaton fund e krye edhe pikëpamjen mbi politikën.
Pas kësaj hyrje, gjykoj të nevojshme, dua të ngre disa shqetësime, të cilat mendoj se janë të domosdoshme për ata që ndjehen si të djathtë mes shqiptarëve dhe që sot kërkojnë votën duke qenë në opozitë, jo për të mu përgjigjur mua me premtimet e tyre elektorale, por për t’i pasur parasysh për veten tyre në atë që ata mendojnë se përfaqësojnë.
Natyrisht gjërat parësore, për të cilat shqetësohet çdo shqiptar sot janë vendosja e shtetit të drejtë ligjor, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, meritokracia e munguar, përmirësimi i gjendjes ekonomike, arsimore, shëndetësore etj. Këto janë hallet e mëdha që ka ky vend, por unë si besimtar më duhet të vë theksin te disa shqetësime, po kaq të mëdhaja dhe të rëndësishme për ne si shqiptarë. Dhe disa prej tyre janë:
– Së pari, drejtësia është themeli i shtetit dhe parimi më i lartë, mbi të cilin ngrihet mbrothësia e një kombi. Shoqëria shqiptare ka vite që vuan problemin e pronave, me të cilat deri më sot janë ndjekur më së shumti politika të padrejta, edhe nga ata që pretendojnë se janë të djathtë, duke nisur që nga njohja dhe zbatimi i ligjit kriminal alla-komunist, të 7501-shit.
Prona i takon pronarëve të ligjshëm dhe trashëgimtarëve të tyre legjitim, dhe jo grabitësve të tyre që e panë veten pronar me vendime dhe ligje për të cilat janë përgjegjëse të dyja partitë e mëdha politike në vend. E djathta e vërtetë duhet të ketë në agjendë të saj vendosjen e drejtësisë dhe kthimin e pronës tek i zoti dhe nuk duhet të jetë pre e politikave që thith marrjen e votave dhe lë drejtësinë në plan të dytë. E njëjta gjë vlen edhe për trajtimin e shtresës së të burgosurve dhe persekutuar politik nga regjimi i kaluar, duke i kthyer atyre dinjitetin e nëpërkëmbur dhe keqpërdorur politikisht.
– Së dyti, morali i shëndoshë i një shoqërie është garanti më i mirë i jetëgjatësisë dhe begatisë së një kombi. Shoqëria jonë vuan nga kriza të mëdha morale, të trashëguara dhe të reja, të cilat janë shkaku kryesor i problemeve tona si komb, por ato janë edhe pasojë e një politike kulturore, arsimore, mediatike, liberale, që cenon moralin e shoqërisë, dhe promovon sjellje dhe agjenda që në themel prishin traditat dhe pjesën e mirë të kulturës tonë tradicionale morale, qofshin këto nën sloganin e kauzave të drejta apo atyre të stisura artificialisht. E djathta që ka në fokus besimin në Zot dhe familjen duhet ta ketë patjetër në agjendën e saj parësore këtë betejë të vështirë shoqërore në përpjekje për përmirësimin moral të shoqërisë.
– Së treti, Islami është identiteti fetar i shumicës së pjesëtarëve të kombit shqiptar, pa të cilët ky komb nuk do të ishte formuar. Është e vërtetë se ne jetojmë në Evropë, e cila në themel të saj i përket me shumicë një feje tjetër, e cila nuk përbën shumicën e shqiptarëve, por që me të shumica myslimane në këto troje ka ditur të bashkëjetojë në paqe dhe mirëkuptim. E djathta shqiptare duhet jo vetëm ta njoh dhe pranoj me krenari këtë identitet, ashtu siç pranon edhe identitetin fetar të pakicës, me të cilin identifikohet shumica perëndimore, por nuk duhet kurrsesi të përfshij në gjirin e saj agjenda islamofobe të importuara nga jashtë, apo të toleroj brenda saj zëra që i fryjnë këtij zjarri.
– Së katërti, interesi jonë kombëtar afatgjatë qëndron përtej të gjitha agjendave perëndimore apo lindore. Të duash, atdheun, kombin dhe popullin tënd, është në natyrën njerëzore që na ka falur Krijuesi, kështu që është më se e natyrshme dhe tepër e ligjshme që ne si shqiptarë të kërkojmë de fakto dhe de jure bashkimin e trojeve tona. Duhet të jetë e papranueshme për të djathtën, që të ketë dy shtete shqiptare në Ballkan, që jetojnë të ndara edhe pse gjenden përbri njeri-tjetrit. Ne nuk nënçmojmë dhe as nuk përbëjmë rrezik nacionalist për asnjë komb tjetër të Ballkanit, por kërkojmë vetëm të drejtën tonë natyrale për të mos jetuar si një trup i copëtuar me gjysmën tonë, e drejtë kjo që është në interes të paqes në rajon dhe përparimit tonë si komb. Përtej të gjitha mesazheve dhe diktimeve që na vijnë nga jashtë, e djathta shqiptare duhet të ketë në agjendë të saj, qartë dhe publikisht, bashkimin kombëtar, bashkohemi ose jo në të ardhmen në Bruksel apo përmbushet ose jo ëndrra e bashkimit evropian.
Këto janë vetëm disa pika të përgjithshme dhe jo shteruese të asaj që duhet të kenë në ideologjinë dhe strategjinë e tyre të djathtët shqiptarë, pas të cilave vijnë domosdo detaje dhe pika të tjera, të vetëkuptueshme.