Nga Gen Kelmendi
Ky shkrim është reagim ndaj deklaratave të Sadri Ramabajes në lidhje me hipotezat që ai ngritë për atë që ai e quan “islam politik”, dhe gjithashtu shkrimi u referohet atyre që bashkëmendojnë me orientimet dhe qendrimet e Ramabajes.
Në vend të Prologut
Ndonjëherë, përballë njerëzve të vegjël kur ata vërsulen pamendësisht, reagimi më i mirë është injorimi i tyre. Fenomeni ‘Sadri Ramabaja’ që mori përmasa të mëdha mediatike, është produkt i reagimeve të ngutshme të disa individëve, të cilët iu vërsulën pasi ishin ndjerë të ofenduar nga një shkrim i tij. Sikur ta injoronin zërin e tij, kush do t’a dinte se ai ekziston?! Ai fitoi vëmendjen falë reagimeve të të tjerëve, përderisa deri në atë kohë ishte një zë në periferi të botës që askush nuk dëgjonte për sindromin Ramabaja. Pasi ishte aq i panjohur për këtë botë aq të vogël të vendit tonë, ai përdori strategjinë e Arbana Xharrës dhe disa të tjerëve për të fituar vëmendjen: kritiko që të bëhesh i njohur.
Kështu, pasi u shkaktua gjithë ajo rrëmujë e medializua aq shumë ajo çështje, atëherë dëshiroj t’i them edhe unë disa fjalë dhe t’i qasem këtij problemi në një mënyrë më akademike.
Pasi Ramabaja doli nga hiçi, është e vështirë të flasim për personalitetin dhe jetën e tij pa e njohur, mirëpo do të komentoj vetëm mbi postimin e tij në rrjetin social dhe deklaratat e tija të thëna në emisionin “Info Magazine” të TV Klan Kosovës.
Dilemat mes lirisë së shprehjes dhe nxitjes së urrejtjes
Çështja e religjionit u aktualizua sërish në diskursin publik e mediatik. Ajo mori përmasa të mëdha sa në të u përfshinë krerë të subjekteve politike, akademikë, profesorë, publicistë dhe si çdo herë, injorantë. E gjitha filloi me një postim të kandidatit për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili në profilin e tij në rrejtin social komentoi mbi një iftar të shtruar në sheshin e Kamenicës, shkrim i cili nga shumica u konsiderua si ofendues dhe nxitës i urrejtjes fetare, dhe një grup tjetër që konsideronin se shkrimi i tillë ishte liri e shprehjes!
Të komentosh me ironizëm mbi një darkë-iftar të një grupi besimtarësh përderisa ata përmes saj konsiderojnë se po kreyjnë një rit shpirtëror-fetarë (agjerimin) është paturpsisht ofendim në vete. Pastaj, të njejtëve që në mënyrë paqësore kanë dalë në shesh për të ngrënë darkë-iftar, me të drejtat të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjin mbi tubimet publike, t’u drejtohesh atyre me termin “haxhiqamilësh” për t’i konsiderosh ata si të njejtë me të ashtuquajturin ‘antikombëtarin’ Haxhi Qamilin, veprimtarin shqiptarë që udhëhoqi kryengritjen kundër pavarsisë së Shqipërisë dhe që insistonte në qëndrimin e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, – është marrëzisht një gjuhë e ulët që provokon dhunë dhe nxitje të urrejtjes.
T’ia kapësh faqen vetës
Ramabaja është personaliteti i vetëm që e konsideron dhe e shpall vetvetën “intelektual” – ku në një emision njëzet-minutësh më shumë se dy-tri herë thoshte: “unë jam intelektual!” Kësaj i thonë t’i bësh lajka vetës!
Si i ofendoi Ramabaja rilindasit shqiptarë?
Në një rast, intelektuali i vetëshpallur, Sadri Ramabaja, tha: “Unë jam intelektual dhe religjionin e marr si çështje të dorës së tretë, të katërt apo edhe më poshtë”!
Të bësh dallimin mes besimit fetar dhe intelektualizmit si vetëdije e lartë emancipuese, duke pretenduar se nuk mund të jesh në të njejtën kohë intelektual dhe fetar, është teori markiste-komuniste, e vërtetuar si e dështuar.
Çfarë do të thoshte për këtë mizori komuniste shkrimtari i madh rus Leo Tolstoi, i cili nuk pranoi të vdiste ndryshe pos me rite fetare, ngase religjionin e kishte pasuri shpirtërore e artistike, saqë edhe ia kushtoi disa libra çështjes së religjionit dhe besimit, duke e konsideruar atë akt të lartë emancipues!
Çfarë do të thoshte për këtë sindromë marksiste, filozofi i madh Platoni, që besonte në Zot dhe konsideronte se besimi nuk bie në kundërthenie me vetëdijën e arsyeshme njerëzore, pra me “intelektualizmin” e Sadri Ramabajes!
Si do të ndjeheshin të ofenduar rilindasit shqiptarë, që nga Ismail Qemaili, Hasan Prishtina, Ymer Prizreni, vëllëzërit Frashëri, e shumë të tjerë, të cilët ishin frymë e emancipimit politik, historik e kuluror shqiptar, e që në të njejtën kohë religjionin e kishin sistem të jetës së tyre shpirtërore! Si do të ofendoheshin ata nga kjo marëzi, nëse do u thoshte dikush se për një intelektual religjioni është çështje e dorës së fundit! E shumë shembuj të tjerë të kësaj natyre, që historia njerëzore është e dominuar me raste të tilla të figurave të shquara intelektuale që njëkohësisht besimin fetar e kishin pjesë të pandashme të identitetit të tyre – por që po kursej hapsirën e shkrimit ngase për t’i sjellur gjithë shembujt e tillë do të duhej një libër i tërë.
Tërbimi i Ramabajes nga rritja e frymës fetare në një shoqëri demokratike
Juristët francezë, që historikisht shquhen si juristët më të mirë e më të aftë, madje më superiorë se rivalët e tyre, juristët anglezë, në valën e globalizmit të terrorizmit, si masë preventive kanë ndërmarrë një projekt të financimit dhe ndërtimit të xhamive, duke obliguar qeverinë që të rrisë sa më shumë numrin e xhamive në mënyrë që shoqëria franceze, konkretisht ajo e besimit Islam, të edukohet nga mësimet e xhamive dhe mos të edukohen në rrugë apo nga rrejetet sociale. Kjo strategji është parë si shumë e qëlluar nga shumë njohës të sigurisë në mbarë eurozonën dhe më gjërë.
Ndërsa intelektualin e vetëshpallur, Sadri Ramabajen, e shqetëson jashtë mase numri i xhamive në Kosovë, duke folur me gjuhë shqetësuese se që nga paslufta numri i xhamive në Kosovë është rritur frikshëm shumë! Këtë marrëzi e tha në emisionin “info magazine” të TV Klan Kosovës.
Si e hyjnizonte Rambaja komunistin Ismail Kadare
Intelektuali i vetëshpallur, Sadri Ramabaja, gjatë arsyetimit të gjuhës së përdorur nga ai vetë ndaj qytetarëve që kishin dalur të hanin iftar në njërin nga sheshet e qyteteve të Kosovës, i referohej disa herë Ismail Kadares. Madje, në një rast i konsideroi destruktiv e antikombëtarë ata që flasin kundër Kadaresë!
Por kush është në të vërtetë Ismail Kadare dhe çfarë përfaqëson ai, pasi që hynjëzohet kaq shumë nga Ramabaja?!
Ismail Kadare ishte përfaqësues i realizmit socialist, përfaqësuesi më ekspresiv (më i dukshëm, më i shquari), i cili e mbronte me shkrim dhe në praktikë letrare realizmin socialist. Ai ka shkruar vepra që flasin dhe anojnë në këtë drejtim siç është “Kështjella”, “Piramidat” dhe ka shkruar shumë vepra të cilat janë eksemplar të realizmit socialist, konkretizim i realizmit socialist dhe ato janë shumë. Nuk mund të hedhim poshtë “Dasmën” që ka shkruar Kadere, “Dimri i madh” e as “Publicistikën” që ka shkruar Kadareja që është fund e krye realizëm socialist, mbrojtje shumë e angazhuar e realzmit socialist.
Ismail Kadare në një intervistë të dhënë për mediat europiane, thoshte se “shqiptarët që po ikin nga Shqipëria në vitin 1997, po djeginn dhe shkatrrojnë çdo gjë, që të thonë pastaj europianëve se nuk kemi ku të qëndrojmë, pranonani në vendin tuaj”. Kjo ishte fyerje për qytetarët e Shqipërisë, ngase ata nuk iknin duke e djegur e shkatërruar Shqipërinë, por iknin për shkak të situatës politike në vend nën udhëheqjen e Sali Berishës.
Më pas, po atë vit, 1997, shkrimtari Rexhep Qosja i shkruan letër Ismail Kadares duke i thënë: “Shkrimtarët asnjëherë s’janë vënë në anën e politikanëve për të mbrojtur dhunën e regjimeve, por shkrimtarët gjithmonë janë vënë në anën e popullit. Mbroje popullin, jo Sali Berishën”.
Ismail Kadare për Gjergj Fishtën kishte shkruar se Fishta ishte: “fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift” (“Zëri i Popullit”, 13 janar 1974, f. 3).
Pastaj kur ndodhi eksodi i vitit 1990, Ismail Kadare kishte thënë “u lirua Shqipëria nga jashtëqitja”.
Nocioni “Islam Politik” dhe kuptimet e gabuara që i mvishen
Intelektuali i vetëshpallur, Ramabaja, gjithë frustimin e tij apo urrejtjen e pakuptueshme që kishte ndaj religjionit, e arsyetonte me shqetësimin që kinse e kishte për Islamin politik, për lëvizjet fetare që sipas tij mund të krijojnë probleme të mëdha, deri në atë masë sa atë e ndërlidh edhe me fashizmin! Por, çfarë është në të vërtetë Islami politik, ky term aq i përdhunuar nga një klasë injorantësh që nuk ia kanë as haberin?!
Teoricientët perendimorë, që kanë jetuar në luksin e shtypjeve të të tjerëve dhe që intolerancën e kishin akt kushtetues, ku i dhunonin të drejtat e njerëzve me ngjyrë dhe i diskriminonin femrat të cilat nuk kishin as të drejtë vote, ndërsa religjionin e instrumentalizonin duke ia imponuar teoritë e dështuara shkencore të Çarls Darvinit, – kur ata filluan të kuptonin se shoqëritë dhe sistemet po evulonin, dhe të drejtat e shoqërive, respektivisht të njerëzve, po sublimoheshin, filluan që lëvizjet e grupeve që kërkonin të drejtat e tyre universale t’i konsideronin lëvizje politike dhe armiqësuese. Kështu, kur shoqëritë e shtypura fetare filluan t’i kërkonin të drejtat e tyre, teoricientët dhe studiuesit perendimorë lëvizjet e tilla filluan t’i quanin lëvizje politike. Kur shoqëritë Islame që kishin jetuar për qindra vite nën kolonizimin e egër europian, dhe po ashtu muslimanët emigrantë që jetonin në shtetet europiane, filluan ta shfaqin fetarizmin në diskursin publik, ku feja nuk mund të qëndronte më brenda mureve por kërkonte bashkëjetesën me kulturat e tjera dhe të përshtatej me puluralizmin shoqëror, – atëherë këto lëvizje dhe këto tendenca, për laikët u panë armiqësuese dhe u etiketuan si “Islam politik” – Islam që në fakt kërkonte të drejtat e veta të plota si shoqëritë dhe kulturat tjera.
Kështu, sa herë që laikët i referohen termit “islam politik”, kanë për qëllim Islamin i cili i kërkon të drejtat fundamentale, që kërkon të bashkëjetojë me multikulturalizmin. Dhe kur thonë se duhet luftuar Islami politik, kanë për qëllim që religjinon ta kthejnë në margjinat e tyre, që feja të mbyllet brenda katër mureve dhe mos të shfaqet në diskursin publik – pra, si sindromi i marksizëm-komunizmit që fenë-religjionin e konsideronin primitive-mesjetare, dhe si të tillë do të duhej të mbyllej apo të mbetej e izoluar.
Intoleranca e një intelektuali
Sadri Ramabaja, në rolin e një intelektuali, duke e arsyetuar gjuhën që kishte përdorur kundër komunitetit musliman të Kosovës, në emision mbante leksione rreth moralit të vlerave dhe lirisë së të shprehurit, duke e konsideruar gjuhën që kishte përdorur si liri të shprehjes, bindje personale dhe që në asnjë mënyrë ajo nuk ishte intolerancë! Por, sa është i sinqertë është ai në këto pretendime, tregon një studente e tij. Ajo pasi kishte parë emisionin në “Klan Kosova” ku ishte i ftuar Ramabaja, ishte ndjerë e fyer nga deklaratat e tij dhe e kishte penguar qasja e tij të cilën ai konsideronte se kishte të drejtë t’i shprehte bindjet e tija në atë formë siç kishte shkruar dhe deklaruar në media. Ajo në profilin e saj kishte shkruar duke thënë: “Ai (S.Ramabaja) është, i njëjti që kur më pa ulur në fund të sallës, me tha: Dil nga salla sepse, këtu nuk është Xhami por është universitet. Dil sepse, me mbulesë nuk lejohet të studiohet këtu në Kosovë”.
Atëherë, ku mbeti liria e kësaj studente, përse ajo nuk paska në këtë rast të drejtë që t’i shprehë bindjet e saj, njëspj siç ka të drejtë Ramabaja t’i shprehë bindjet e tij në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut?! Dhe, ku mbeti toleranca e një intelektuali në këtë rast?! A nuk është kjo gjithashtu vepër penale, për shkak të mosdurimit fetarë?!
Iftari në rrugë, tubimi që u asociua me fillimet e nazi-fashizmit!
I gjithë ky diskutim filloi nga një iftar-darkë që u shtrua në sheshin e Kamenicës nga disa besimtarë të komunitetit musliman. Kjo bëri që Sadri Ramabaja të reagojë dhe të shkruajë rreth kësaj, gjë që nxiti reagime të mëdha. Pasi u ftua në televizorin e Klan Kosovës që të komentonte rreth reagimeve që kishte nxitur ky debat, ai në disa raste tha: “fashizmi gjerman ka filluar pikrisht nga tubimet në sheshe”.
Kjo çmenduri është ofendimi më i rëndë që i bëhet në rradhë të parë komunitetit Islam të Kosovës, pastaj Institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, BIK-ut, i cili çdo vit organizon tubime të tilla publike në sheshe, qoftë duke shtruar iftare, apo duke falur bajramet! Për këto deklarata Ramabaja do të duhej të mbante përgjegjësi penale, ngase të konsiderosh një darkë të shtruar në shesh të qyteti si element të fashizmit, kjo e tejkalon çdo racionalitet të shëndosh njerëzor!
Po ashtu, kjo deklaratë bie ndesh me vetë subjektin politik që Ramabaja është pjesë e saj, Vetëvendosjes, ngase Vetëvendosje u bë e njohur dhe fitoi pushtetin politik falë protestave kundër UNMIK-ut dhe kundër institucioneve shtetërore të Kosovës, që më pas eskalonin në protesta të dhunshme, madje jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe bizneset private dhe qytetarët e thjeshtë kanë pësuar nga protestat e tubimet e tilla të dhunshme që organizonte Vetëvendosje për t’a marrur pushtetin me dhunë. Sipas kësaj logjike të marrë, a nuk paska edhe Lëvizja Vetëvendosje elemente të fashizmit, ngase fillet e para të fashizmit kanë qenë nga pushtimi i shesheve?!
Muhamet Hoxhaj, një veprimtar i palodhshëm nga diaspora, gazetar dhe redaktor i portalit “kosovarimedia.com”, si përfaqësues i mediave të lira kishte reaguar duke ironizon me qëndrimin e ngritjes së fashizmit të Sadri Ramabajës, duke shkruar në rrejtin e social: “Po Sadri, fashizmi është ngritur duke shtruar iftar në kompanin e birrave ku i ka mbajt fjalimet më pas Hitleri!!”
Mendoj që me rastin e fenomenit të Sadri Ramabajes nuk duhet të merren individët, por përgjegjësija shtetërore duhet ta ndiqte atë dhe të përballej me përgjegjësinë penale, për shkak të nxitjes së urrejtjes ndërfetare dhe mosdurimit fetar. Një qasje e këtillë si e Ramabajës padyshim se nxitë një luftë fetare në vend, dhe pastaj pasojat nuk do t’i bartë karta ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, por shteti dhe qytetarët e Kosovës.