1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Për prindërit dhe mësuesit: përse Halloween-i nuk duhet kaluar me një “hajt mo”…

Më të lexuarat

Nga Klodi Smajlaj

Më habisin reagimet e disa prindërve për festimet e Halloween-it nëpër shkolla nga fëmijët e tyre. Le që një pjesë e tyre as nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë e ç’kuptim kanë shpërfytyrimet që krijesat e Zotit i bëjnë vetes në këtë ditë, por edhe ata që e dinë, nja dy ditë para, i dëgjon tek thonë: “Aman, ça janë këto festa që i kanë saju?!” Pastaj, kur vjen dita, të gjendur nën presionin e fëmijëve (e tmerrshme kur e mendon këtë fakt!), justifikohen po vetë, e thonë: – Hajt mo, po ia blej një maskë se s’u bë nami! – Hajt mo, po ia vizatoj ene içikë surratin, se mos t’ndahet nga shokët! – Hajt mo, se kalamaj janë! “Hajt mo” këtë e “hajt mo” atë…

Historikisht kemi ecur me “hajt mo!”, prandaj edhe jemi këta që jemi, njerëz pa shtyllë kurrizore e me kriza të forta identiteti. Frymojmë pa lidhje, ushqehemi pa lidhje, festojmë pa lidhje, e në fund, edhe vdesim pa lidhje.

Halloween tani për tani mund të jetë vërtet një gjë e futur artificialisht, por me këtë ritëm të frikshëm që po imponohet vit pas viti, nuk do të jetë ndonjë hata e madhe që një ditë, kjo farë maskarade të marrë përmasat e një feste kombëtare. Jam vërtet e shqetësuar që kjo lloj prirjeje e shpërfytyrimit imazhor për atë ditë, po promovohet vit pas viti nga shkollat dhe mësuesit. Janë vetë këta të fundit që po i parapërgatisin fëmijët tanë për atmosferën e asaj dite, për mënyrën se si duhet të paraqiten e të vishen. E kështu, fëmijët e shkretë ngrejnë në këmbë familje të tëra për të blerë kostumet e veçanta që na u dashkan për të pasur një “performancë” të denjë. Personalisht nuk jam aspak kundër festimeve, por nëse u dashka të festohet me patjetër një ditë shtesë përtej festave aktuale, atëherë le të shpiket një festë, ku t’i bëhet jehonë mirësisë e vlerave, e jo të festohet për shpirtra purgatorianë nën një atmosferë shpërfytyrimesh.

Mësuesve të shtrenjtë, që i kam miq këtu, u them dashamirësisht: Të dashur, ju keni një përgjegjësi të madhe mbi supe. Ju u jepni ushqimin e përditshëm trunor dhe shpirtëror fëmijëve tanë. Duke qenë kaq të rëndësishëm, juve ju takon të bëheni promovues të gjërave të vërteta e të mira, e t’u thoni “Jo” këtyre trendeve të së keqes, që po fitojnë gjithnjë e më shumë terren ndër ne. Ju e dini më së miri, se një brez i rritur dhe i edukuar me të mirën e vlerën e saj, do të thotë një e ardhme më e mirë dhe më e shëndetshme për këtë vend.

Prindërve të dashur, miqve të mi, që ashtu sikurse edhe unë mund të vihen në pozita të sikletshme duke u detyruar madje në ndonjë rast që të mos i çojnë fëmijët e tyre në shkollë ditën e Halloween-it, u them përzemërsisht: Të dashur, nëse duam të rrisim fëmijë me vlera të vërteta, me festa të vërteta, që kanë një domethënie të vërtetë (qofshin ato fetare apo historike), atëherë ne nuk duhet të biem pre’ e presionit të turmës, e cila na dikton të bëhemi pjesë e një gjëje të pakuptimtë. Me qetësi dhe këmbëngulje, ne duhet t’ua shpjegojmë edhe fëmijëve tanë kuptimin e pakuptimtë të festimeve të tilla.

Miqve të dashur që janë totalisht indiferentë ndaj çështjes në fjalë e që mendojnë se ca festime më shumë s’i bëjnë keq askujt, u them sinqerisht: Çdo festim e ka një domethënie, e çdo domethënie rrënjoset thellë brenda njeriut. Ne duhet ta vlerësojmë me kujdes simbolikën e gjithçkaje që përjetojnë fëmijët tanë, sepse edhe vetë festat e festimi ndikojnë në masë të konsiderueshme në ndërtimin e karakterit të tyre si dhe në mendësinë e tyre të mëpasme. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit