1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

PËR NJË FILLIM TË MBARË…

Më të lexuarat

Përderisa pushimi veror po i mbyll fletët e tij, shumë prindër i bëjnë përgatitjet e duhura, duke blerë materialet shkollore, që fëmijët e tyre t’ia fillojnë shkollës me të gjitha gjërat e nevojshme. Padyshim se kjo është e natyrshme dhe e domosdoshme. Me gjithë barrën e madhe materiale të vendosur sot mbi supet e njerëzve për shkak të kostos së lartë të literaturës dhe teksteve e që vështirë është e përballueshme për ta, megjithatë, tek një pjesë e tyre, koncentrimi më i madh është vetëm tek aspekti material, që nënkupton se shpesh harrohet apo neglizhohet aspekti tjetër i cili ka të bëjë me mbjelljen e dashurisë për dituri, ngulitjen e saj thellë në vetet e fëmijëve dhe rinisë, si dhe motivimin për mësim e studim tek ta.
Të gjithë jemi dëshmitarë se kohëve të fundit ka një zbehje të theksuar të interesimit për lexim e studim, bile nëse e krahasojmë me vitet e kaluara, do të kuptojmë se diagrami i nxënies së dijes është në rënie e sipër. Mund të ketë shumë faktorë që ndikojnë në këtë fenomen, si fjala vjen, ndikimi i madh i rrjeteve sociale, zhgënjimi i madh sa i përket çështjes së punësimit që ndodh menjëherë pas kryerjes së fakultetit apo studimeve postdiplomike, duke përfunduar si punëtor krahu, kamarier apo edhe i papunë e që zakonisht vjen si pasojë e jomeritokracisë në punësime, poashtu, joshja e madhe që ndodh tek dikush kur kupton se filan sportisti posedon pasuri marramendëse megjithë edukimin e tij të dobët shkollor sidhe shkaqe të tjera.
Në fillim të vitit të ri shkollor nxënësit kanë nevojë për rizgjim të ambicieve dhe ndezje të tyre. Pedagogët dhe psikologët janë të pajtimit se rrëfenjat dhe historitë e ndryshme nga biografitë frymëzuese janë prej ndikuesve më të mëdhenj tek njeriu dhe faktorëve më të rëndësishëm në edukim.¹
Historia jonë e lavdishme islame është e stërmbushur me shembuj të shumtë të dijetarëve që duhet të merren si model dhe yrnek për këtë çështje. Këto histori kanë të bëjnë me peripecitë e ndryshme të tyre gjatë kërkimit e diturisë si: udhëtimet e gjata të shoqëruara me lodhje të tepërt e humbje të pasurisë, durimi prej guri i varfërisë së skajshme, flakja e mirëqenies, gjumit, rehatisë e gjërave të tjera të këndshme për shkak të diturisë, përballimi i etjes dhe urisë së madhe gjatë udhëtimeve të mundimshme, pasioni i madh për blerjen e librave dhe leximin e tyre duke mos kursyer pasurinë për këtë etj.²
Në disa vende, sikurse në Indi, ishte zakon që kur fillonte viti i ri shkollor, në xhaminë e njërit prej fakulteteve të qytetit Lakno, çdo ditë pas namazit të ikindisë, të lexoheshin fragmente nga jetëshkrimet e dijetarëve islam.³
Ibn Kajimi ka thënë: “Ashikët e dijes janë më të pasionuar pas dijes dhe kanë dashuri më të madhe për të se çdo dashnor për të dashurën e tij, bile nuk i shpërqendron nga dija e as i huton bukuria e rrallë e ndokujt.”⁴
Një njeri kishte vërejtur tek Imam Ahmedi bojën e shkrimit dhe e kishte pyetur: Ke arritur këtë gradë të lartë dhe je bërë Imam i muslimanëve (deri kur më do të kërkosh dituri)? “Me (penë dhe) bojë të shkrimit deri në varr”, iu kishte përgjigjur.⁵
Nuk duhet harruar edhe faktin se njeriu çdo vepër që bën me të duhet ta synojë kënaqësinë e Allahut, prandaj nxënësve duhet t’ua përsërisim shpesh këtë gjë derisa t’ua ngulisim atë thellë në personalitetin e tyre, sepse sinqetiteti është shtysa më e fortë për kryerjen e veprave të mira.
Mos harroni të luteni për fëmijët tuaj që Allahu t’ju jap suksese në mësime, dije të dobishme e shoqëri të mirë ngase lutja do t’ua lehtësojë rrugën e dijes.

1- Shih librin: Safehat min Sabril Ulemai fq. 13.
2-Për më shumë rreth shembujve të tillë konsulto librin e Dr. Ali Imran të përthyer në shqip me titull: “Motivimi për lexim dhe studim”, botim i shtëpisë botuese: “Fjala e Bukur”.
3-Shih librin: Safehat min Sabril Ulemai fq. 14.
4-Revdatul Muhibin fq. 69.

  1. Menakibul Imami Ahmed fq. 36-37.

Shkroi: dr. Muhamed Broja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit