Ky shkrim nuk i fut të gjitha gratë në një thes!!!
Ish pranverë. Lulet e para sa kishin nis me çelë. Aromë e tyre dehëse, ma kujton të parin takim me Ermirën, sociologën e rallë në Tiranën gjithë zhurmë. Sebep për afrim, u bë një fotografi që për të dyjat ishte e veçantë dhe kuptimplotë. Ajo e dashunonte Kosovën, më shpirt, prandaj bashkë me ca miq, nisëm me udhëtu shpesh nëpër katër anët e Kosovës. Kemi shkelur fshatra e qytete, jemi ulë n’sofra të shtruara me zemër plot, kemi provu fli e krelanë, e kemi pirë çaj me kikirikë! Zemra e gjanë e kosovarëve ishte mikëpritëse e frymëzim për ne që s’ngopeshim së sodituri bukuritë e fshatrave gjithanej.
Një pasdite, gjyshja jem si zonjë e randë që është e priti Mirën për kafe. Dy gra të forta, të rrituna në kohë e vende të ndryshme, po i shpalosnin faqet e jetës, si për t’i dhanë zemën njëra – tjetrës. Gjyshja, një jetime e rritun në katund, që kujdesej për vëllezëritë, gatuante dhe punonte nëpër fusha fliste për shkollën, luftën e jetën, si me i pasë kalu shtatë jetë në një. Derisa e dëgjonim, fluturonim nëpër histori të harruara… Vuajtjet që i kallzontë nëna plakë, përpjekjet dhe zhgënjimet, dukeshin si hiperbola nëpër romane. Cuditërisht, fati (a fatkeqësia) i gruas nuk ka ndërruar dhe aq, as tani shumë vite mbas.
“N’kët dynja, krejt bahen, krejt mrrihen… veç njeri me u ba, asht zor. Nji ftyrë e kena te tanë!”, tha gjyshja teksa mbante filxhanin e kafesë në duart e bardha, borë. Mira më këqyri me butësi, e ma kujtoj që s’ka gjë më të bukur se me qenë njeri, me i respektu e me i dashtë tjerët, edhe vetën, pa dallim!
Gra me zemër t’mirë
Qëkur e mbaj veten mend, s’jam ndalë s’përkrahuri gratë e Kosovës. E edukueme prej prindërve me parime t’nalta e përkushtim të madh për nxanjen e dijës, kaherë isha mësue se duhet me luftu shumë për me mbërrijtë diçka; e s’duhet asnjëherë me e ul kokën a me këput udhën e dijes, veçse jam çikë/grue! Nana, një shtëpiake e shkëlqyer më ka rrëfyer që herët përrallat më të bukura, më ka kalitur durimin e shpresën, më ka shtuar kureshtjen e pasionin dhe më ka nxitë më lyp urti edhe atje ku unë, isha e bindun që s’ka portë!
Kështu, kam vazhdue pa e kthy kokën mbrapa. As kam shit’ e as kam ble’ mend. “Gratë e shtëpisë” që “karrieristet n’shkëlqim e sipër” i përqeshnin nuk më janë dukur ndonjëherë më pak të vlerëshme se gratë me titujë akademik. Madje, në këto vite jetë, zonjat modeste shpesh më kanë bërë borxhlie prej mirësisë dhe zemërgjerësisë që kanë dhuruar pa ojna e bojna.
Pasqyrat që thyhen
Bell Hooks dikur shkruante plot shqetësim për mungesën e ndjesisë së “motërzimit” mes grash. Sipas saj, për dallim nga burrat që lehtë arrijnë të ndajnë bashkësinë e “vëllazërisë”, gratë janë më pak të hapura për mbështetje dhe bashkëpunim, më pak të gatshme për t’i dal krahë njëra-tjetrës.
Për ironi, kudo vihet re se është zor e ndoshta e pamundun me u’a çel ndonjë dritare grave që u janë errësu sytë mbas Partisë. Trishtim i thellë me i pa gratë tuj u “burrnue” veç sa me nxënë një karrige t’thyer prej së cilës kanë me u rrëzu dikur. Fortë e idhët është e vërteta se gratë i kanë lënë të gjitha mënjanë veç sa me i’a bo qejfin “Shefit”. Më rëndohet ajri sa herë i shoh vajzat që me grim e lecka përpiqen me fsheh injorancën e tyre. Madje, më dhimbsen ato gra që me takat e shtrembëruara i shtypin motrat, shoqet, miket e koleget!
Ndonëse një pjesë e fajit për gjithë këtë shthurje është e sistemit që deri më tani ka favorizuar modele të tilla grash e burrash të paditur, kurse pjesa tjetër e përgjegjësisë, padiskutueshëm, mbetët në kurriz të grave që mendojnë se ‘udha e shkurtë’ është ma e lehta dhe ma e sigurta për me arrijtë diçka në jetë! Kësisoj, egoja e shfrenuar e përdishmërisë sonë të zymtë, s’para njeh kufijë a parim prej ku përcaktohet e mundëshmja dhe e pamundëshmja, e mira dhe e keqja, apo e dobia dhe dëmi. Përditë e më pak, vajzat e reja gjejnë pasqyra, model për jetën. Të turbulluara janë ujërat që s’rrjedhin, po ama i hutojnë mendjet e lehta, në vendin tonë të vogël.
Pak shpresë për ditë ma t’lehta
Ndërsa shkojnë e vijnë stinët, njerëzimi e ndjenë në palcë peshën e rëndë të injorancës, e mbi të gjitha, mungesën e humanizmit. S’kanë me peshë fjalët, as këngët e zogjëve n’mal, e madje as ora diellore e fshatares që gatuan qumështin e djathin gjithë dashni. Sot, bota është e deputeteve që s’lidhin dot dy fjalë, mësueseve që s’dijnë mirë shkrim-lexim, shtëpiakeve që fëmijët i rrisin tek “komshijtë” dhe atyre që për karrierë japin çdo gjë!
Ndonëse për këtë fakt, gjyshja përditë thotë se me qenë njeri, është lumtuni e shenjtë, kurse Nana jem përditë ma kujton që duhet me mësu shumë, për me qenë “zonja e Vetes” e me hap horizonte plotngjyrëshe. Derisa ligjëronte në salla të mëdha, mbushur me student të njomë, Ermira s’pushonte së përsërituri në leksionet e saj se gratë duhet ta çmojnë vetën, ta duan njëra-tjetrën dhe asnjëherë të mos shkelin mbi dinjitetin e njeriut. Sepse me durim, dije dhe punët, preken qiejtë!
Fjolla Spanca