4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Për kopjimin dhe mashtrimin

Më të lexuarat

Në vitin e parë të karrierës sime si asistent i ri, derisa kontrolloja provimin e një studenti, vërejta se i kishte bërë gabimet e njëjta në një detyrë si një student tjetër. Meqë të dy ishin ulur pranë njëri-tjetrit gjatë provimit dhe i njihja mirë nuk e kisha vështirë të nxjerr përfundimin se kush ka kopjuar, e kush e ka bërë të mundur kopjimin. Sidoqoftë, unë vendosa të jem rigoroz dhe i anulova të dy provimet duke vënë mbi to shënimin „kopjim“ dhe duke refuzuar t’i kontrolloj detyrat tjera të këtyre dy studentëve. Shumë shpejtë e kuptova ç‘ gabim kisha bërë. Po atë ditë, më thirri më telefon profesori im, i cili, pasi më kritikoi për shënimin poshtërues „kopjim“, e quajti sjelljen time arbitrare dhe më tërhoqi vërejtjen që herën tjetër të mos nxjerr përfundime se studentët kanë kopjuar pa i zënë në vepër. Për më tepër, nuk kam të drejtë t’i ndëshkoj duke mos i kontrolluar detyrat tjera që mund të mos ishin të kopjuara, e aq më pak ta ndëshkoj studentin që e ka punuar detyrën vet, por i ka dhënë kopjen tjetrit.

Në fakt, profesori im, tani në pension, kishte plotësisht të drejtë. Ne ishim edukuar në këtë frymë – je i shkathtë nëse kopjon, je shok nëse i bën të mundur tjetrit të kopjojë. Unë i kisha ndëshkuar „të shkathëtin“ dhe „shokun“ që, në asnjë rrethanë, nuk meritojnë të ndëshkohen. Kopjimi dhe mashtrimi në shkollë, asnjëherë nuk kanë qenë turp në Kosovë, e nuk janë as sot. Kam njohur dhjetëra prindër që ua bëjnë detyrat fëmijëve të tyre në klasat e para të fillores vetëm që të marrin nota të larta, e të mos flas për qindra vëllezër e motra që ua shkruajnë esetë dhe ua bëjnë vizatimet sugarëve të familjes. Pastaj, referatet e famshme që kopjohen gjeneratë pas gjenerate, kopjet e formulave që përgatiten me kujdes për provimet e matematikës e fizikës. Ende e mbaj në mend kur një shoku im që kishte një të afërm poet, e lexoi një poezi për feniksin që, gjoja e kishte shkruar vet, ndërsa ne, në atë moshë të vogël, nuk dinim çka është feniksi. Morri pesë dhe lëvdata si edhe shumë kopjues dhe mashtrues të tjerë, me gjithë se mësimdhënësit e dinin se nuk janë punime origjinale. Por, edhe ata ishin edukuar në frymën e njëjtë se nuk është turp të kopjosh dhe të mashtrosh në shkollë, përderisa nuk të zënë në vepër.

Megjithatë, problemi kryesor paraqitet kur fëmijët vazhdojnë të kopjojnë dhe të mashtrojnë edhe atëherë kur të rriten. Ata që kopjojnë hartime në klasën e katërt ose sjellin në shkollë detyra që ua kanë bërë të tjerët, do të vazhdojnë me këtë avaz edhe kur të rriten, sepse nuk dinë ndryshe. Kështu, kemi dhjetëra e qindra diploma baçelor, master dhe të doktoratës që janë rezultat i kopjimit ose mashtrimit, shpesh në bashkëveprim me profesorët që do të duhej t’i kundërviheshin dukurive të tilla. Ka në mesin e këtyre profesorëve njerëz që, thjeshtë, janë të pavëmendshëm ose joprofesionalë, por edhe të tillë që e bëjnë me shumë kujdes llogarinë e tyre, duke u ndihmuar kopjuesve, mashtruesve dhe injorantëve të fitojnë kualifikime të larta në këmbim të ndonjë interesi politik, financiar ose klanor.

Ironia më e madhe është se shumë nga këta kopjues, mashtrues dhe injorantë me diploma false zënë vend pikërisht në institucione akademike, ku e riciklojnë vetveten dhe sojin e vet. Ata janë garancia se mentaliteti i kopjimit dhe mashtrimit do të vazhdojë të mbijetojë në këtë shoqëri.

Dukagjin Pupovci

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit