-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Për idiotët që turkun e quajnë pushtues, por jo gjermanin e italianin

Më të lexuarat

Nga Ermir HOXHA

“Turkofobët janë idiotë” – do e mbushte kësisoj gojën plot kryeministri Rama këtu e pak vite më parë, duke e shfryrë gjithë dufin e tij me këtë definim, ndaj një vale paragjykuese e deri dhe akuzuese, për raportet e ngushta mes tij dhe Erdoganit.

E gjitha erdhi pas një uljeje këmbëkryq të dy politikanëve në shtëpinë e një miku që në fëmijëri të liderit turk në Prizren. Ç’prej atij çasti, prej asaj deklarate, pati një tërheqje të valës turkofobe, e cila e ka burimin në një prej miteve më profane të historiografisë shqiptare nën komunizëm e jo vetëm, që në fakt materialin bazë e merr nga romantika nacionaliste e Rilindjes, për të ndërtuar më pas, me të dhe vetëm me të, pa asnjë qasje shkencore, gjithë konstruktin anti-turk, ku më e pakta nuk dallohet turku nga osmani.

Kjo valë ka rishpërthyer sërish, me rastin e vendosjes së një memoriali me viktimat e grushtit të shtetit të korrikut 2016 në Turqi, në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë. Një inisiativë e Bashkisë kryeqytetase tejet e diskutueshme, mbi kohën dhe formën, por që tej tyre ka rinxjerrë në pah një magmë urrejtje të pakuptueshme dhe irracionale, e cila zjen që nga elitat e deri te populli i thjeshtë, gjithnjë kundër turkut.

Një letër e lënë në memorial në një akt përdhosjeje, e quan atë, turkun, si pushtues. Ndodh kjo pas gati 30 vitesh dalje nga versioni i bunkerizuar i mendimit historik mbi të djeshmen osmane. Pra, e gjithë ajo literaturë, të gjitha ato fakte, ato dëshmi, ato të dhëna, ato qasje e përvoja, të cilat e kanë bërë më të qartë tablonë e së djeshmes 500-vjeçare nën sundimin otoman, nuk vlejnë ende për të shkulur te një masë shqiptarësh urrejtjen nga gjoksi e idiotësinë nga koka. Sepse do mjaftonte një qasje e thjeshtë, ajo krahasuese me pushtues e armiq, për të kuptuar se ç’mit i gënjeshtërt jua ka zënë ato vatra truri ku duhet të funksionojë dhe inteligjenca më minimale.

Fjala vjen, greku nuk na pushtuar kurrë, e megjithatë në e dimë se ekziston një armiqësi e tyre ndaj nesh, ku e hapur e ku e kamufluar, e gjithnjë e provuar. Dhe ka gjasë të jetë gjithnjë kështu. Pse? Sepse kanë pretendime territoriale ndaj nesh të nxitura nga mite nacionaliste dhe etnocentrike. Kaq. Kjo te turku nuk ekziston. Në kohë, është provuar jo armiqësia por e kundërta, miqësia dhe afeksioni ndaj shqiptarëve. Eshtë i pari vend që ka hequr vizat ndaj shqiptarëve dhe ku në çdo rast është vënë krah tyre politikisht, pa u kushtëzuar se kush udhëheq. Eshtë vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, e gjithashtu, është vendi që ka përcjellë një përbetim në 97-ën, për moscenim të hapësirës territoriale shqiptare. Po, ka sunduar për 500 vjet. Jo Turqia por Perandoria Osmane, e një karakteri multietnik e multifetar. Nuk ka sunduar vetëm hapësirat shqiptare por dhe ato rajonale e më gjerë, përfshirë vende afrikane e të Lindjes së Mesme.

Pyetje për idiotët: nëse nuk do kish qenë Perandoria Osmane, çfarë do ishte, kush do sundonte, ç’lloj do ishte sistemi politik dhe administrativ? Ata, idiotët, nuk arrijnë të bëjnë dallimin e rrethanave historike mes të djeshmes e të sotmes, ku për të djeshmen gjykojnë me standartin e të sotmes.

Kalojmë në një tjetër krahasim: Edhe gjermani e italiani pushtues kanë qenë. Madje kanë bërë dhe krime në popullatë civile, gjë që në 500 vite sundim osman nuk njihet, e megjithatë ne nuk i urrejmë. Përkundrazi i duam, i kemi aleatë. Marrim e japim si kombe miq me ta. Do donim madje që njërit prej tyre, Gjermanisë, t’ja jepnim nën administrim Shqipërinë nëse do ishte e mundur. Pse ndodh kjo? Sepse pavarësisht se na kanë pushtuar në një moment, edhe duke na vrarë, ata nuk trashëgojnë armiqësi historike ndaj nesh, nuk kanë ndonjë pretendim territorial. Ne thjesht jua justifikojmë të djeshmen e errët, për aq sa ka zgjatur, në bazë të kontekstit. Ndryshe me serbin. Ne e dimë që ai na urren. Sepse e ka historike urrejtjen, pasi te ajo luan rol pretendimi territorial. Ndaj, dalim sërish te turqit: ç’pretendim territorial kanë ata ndaj nesh? E ngaqë s’kanë sigurisht, për ç’arsye do ushqejnë armiqësi ndaj nesh, për të cilën ne duhet t’jua kthejmë me të njëjtën monedhë. Përkundrazi, në gjendje të esëllt të logjikuari, jetojmë nën sigurinë se asgjë e keqe s’mund të na vijë prej turqve, politikës së tyre, e pavarësisht se kush është në pushtet, islamist apo ateist, nacionalist apo kozmopolit, pasi është një raport i konsoliduar mirëbërje e ndërsjelltë me rrënjë historike. Në këtë pikë, edhe italianëve apo gjermanëve mund t’u druhesh në një moment, varësisht nga fakti se mund të kenë ndonjë birbo ksenofob në pushtet, por kurrë turqve.

Dinë idiotët të ekzistojë ndonjë deklaratë anti-shqiptare dalë nga goja e ndonjë ish-zyrtari osman apo më vonë turk? Ah, nëse e marrin për të vërtetë historike gënjeshtrën e sajuar bukur të “Nëntorit të dytë”, ajo është çështje tjetër.

Prej atij prodhimi kinematografik me lëndë të parë frymëzuese nacionalkomunizmin, ka dhe shumë shqiptarë që iu është mbushur mendja top se Isa Boletini në film nuk është Reshat Arbana, aktori që e luan, por vetë Baca Isë. Dhe kjo thjesht është idiotësi! /tesheshi.com/ 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit