-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Për atë që dëshiron të hyjë në Universitetin e Jetës

Më të lexuarat

Nga: Dok. Aid el Karni

Për atë që dëshiron të hyjë në Universitetin e Jetës

Jeta presupozon njohjen e obligimit dhe kryerjen e tij, teksa gjërat e tjera s’janë tjetër, veçse krunde që pluskojnë. Jeta në rrugë të Allahut është strukturim, çlirim dhe triumf. Jeta do ishte më e mirë pa të ligjtë dhe dështakët, por është e shkruar që dynjaja të jetë e mangët dhe kalimtare. Është e lehtë për njeriun të jetojë, por është e  vështirë për të që të jetojë si të dojë. Jeta është libër, kush e kupton tekstin e tij, jeton i lumtur, por të marrët nuk e marrin mundin të lexojnë, jeta është një zgjua që mirëpret të gjallët dhe hedh tej të vdekurit, jeta është një betejë të mirat e së cilës nuk i fitojnë përveçse guximtarët, ndërsa fati që i pret frikacakët është privimi, jeta është një shans i vetëm që nuk vjen më, nëse tregohesh i vëmendshëm me të, fitove, përndryshe, nëse të ikën, vdis i dëshpëruar, askush nuk ta jep suksesin për lëmoshë, të gjithë janë të padurueshëm, dorështrënguar dhe ankohen, prandaj bazohu tek vetvetja dhe mbështetu tek Allahu. Nëse ngel në shkollën e jetës, askush nuk do të të pranojë, edhe engjëjt në zbritshin të ndërmjetësojnë për ty, e po korre sukses në Universitetin e Jetës, strategët do të përulen para teje, duke të respektuar dhe vlerësuar.
Nëse jeta është tryezë, gotë, krevat dhe mëndafsh, ahere kafshët ajo po i ënd më shumë, por jeta është arsye që mendon, dorë që ndërton, laps që përvijon, dituri në rreshta e shkruar dhe haraç i parfumuar. Në jetë gjendet një tabelë mbi të cilën është shkruar “Kujdes! Është e ndaluar të afrohesh!” Frikacakët dhe dembelët e lexojnë dhe sakaq largohen, kurse të urtët dhe guximtarët e shkulin dhe mësyjnë atë, jeta nuk qëndron tek dëshmitë e diplomat mburravece dhe nuk është lavdi e trashëguar, por ajo është dush që bëhet me djersët e sakrificës, pikat e gjakut të shpagimit, gulçimat e njerëzve të palodhur. Nëse zhytesh në detin e jetës dhe smirëzinjtë me tulla të godasin, kjo nënkupton se tanimë ke arritur pallatin e lavdisë dhe je bërë artileria e nderit dhe krenarisë, njëzetenjë shkrepje po bëhen në përshëndetje të mbërritjes tënde. Nëse yt atë në jetë është ulur në krye të vendit dhe ti s’po bën asgjë, dije se njerëzit do të të ulin vetëm në bisht. Jeta i uron mirëseardhjen të moshuarit të paepur dhe refuzon të riun e plogësht, jeta nuk i mat njerëzit me metër, as nuk i peshon mishrat e tyre me kilogramë, por pesha qëndron tek arsyetimi dhe merita tek interesimi, jeta është një treg i madh që funksionon sipas ofertës dhe kërkesës, ç’të japësh do marrësh, në jetë s’do arrish që floririn ta blesh me dërrasa dhe nuk do arrish ta marrësh falas ushqimin e drekës, jeta është garë dhe i hipuri mbi gomar kurrë nuk do t’ia kalojë kalorësit.
Nëse e shikon jetën me shpirt të hijeshuar, ajo shndërrohet në bahçe të begata me frute, lumenj dhe bilbila, por nëse e shikon atë më shpirt të vrenjtur, ajo të shëmbëllehet në përvijimet e brejtura të pallateve të boshatisur dhe varreve të kalimtarëve. Jeta e lumtur është ndërgjegjja e gjallë, shpirti i dëlirë, trupi i shëndetshëm dhe uni i kënaqur. Jeta e mjerë është jargavitje pas materiales, tru i zbrazur nga njohja, un i ndyrë nga mëkatet, trup ku kullosin epidemitë. Çliroje vetveten nga tirania e pasurisë, idhulli i egos dhe djalli i smirës, bëhu në këtë jetë një hurmë, frutat e së cilës treten lehtë, mos u bëj kungull i tharët shkretinor, i pështirë dhe shterp. Hurmat janë të larta dhe frutat e tyre janë të tubuara, ndërsa kungujt e thartë të shkretëtirës janë të shkretë dhe frutat e tyre janë të helmatisur dhe t’i këpusin venat. Bëhu në jetë sikurse bleta, që vërtitet nga lulja në lule, ua merr nektarin dhe pastaj bën mjaltin e kulluar. Mos u bëj si miza që ulet në pisllëk, merr mikrobe, infekton plagët dhe ndyn trupat.  

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit