Nga kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut informojnë se Pendarovski ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk Erdoğan, duke e falënderuar atë për donacionin turk për përballjen me COVID-19
Shkup
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot ka realizuar bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke e falënderuar atë për donacionin turk për përballjen me COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftojnë nga kabineti i presidentit Pendarovski, ai personalisht dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i ka shprehur falënderime presidentit Erdoğan për pajisjet mjekësore që arritën si donacion nga Republika e Turqisë, duke shtuar se aleanca dhe solidariteti midis vendeve janë të rëndësishme në këto ditë të vështira kur përballen me COVID-19.
Dje, një avioni i dërguar me porosi të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Maqedoninë e Veriut solli pajisje mjekësore të dhuruara, të cilat përfshijnë maska, kostume mbrojtëse dhe sete për diagnostikim të shpejtë.
Përpos Maqedonisë së Veriut, ndihma të ngjashme u dërguan edhe për katër vende të tjera të Ballkanit.
“Njëkohësisht, presidenti Pendarovski shprehu solidaritet dhe mbështetje për Turqinë në përpjekjet e saj për të trajtuar COVID-19, duke pasur parasysh se Turqia është ndër dhjetë vendet më të prekura me afro 40.000 të infektuar dhe më shumë se 800 të vdekur. Në këtë kontekst, ai shprehu ngushëllimet e tij për personat që humbën jetën dhe uroi shërim të shpejtë për pacientët me COVID-19”, thuhet në kumtesë.
Presidenti Pendarovski gjithashtu ka informuar presidentin Erdoğan për gjendjen në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet për ballafaqimit me koronavirusin, duke theksuar se gjendja është stabile dhe se Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para në rajon që filloi aktivitetet për ballafaqim me pandeminë.
“Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski shtoi se vendi po përgatitet për sfidat me të cilat pritet të përballet ekonomia pas përfundimit të pandemisë, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të fuqishme ekonomike midis dy vendeve”, thuhet në kumtesë.
Nga kabineti i Pendarovskit informojnë se dy presidentët u shprehën të kënaqur për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe.
Pendarovski po ashtu ka falënderuar Erdoğanin për mbështetjen afatgjate dhe të konsiderueshme të Turqisë për arritjen e një prej qëllimeve strategjike të vendit, anëtarësimin në NATO.