4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pazari Riad-Uashington për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

Më të lexuarat

Princi saudit: Krijimi i një shteti të pavarur palestinez, por për momentin izraelitët po u diktojnë sjelljen amerikanëve

Nga Susanne Koelbl & Özlem Topçu, Der Spiegel

Princi Turki Bin Faizal është një anëtar i familjes mbretërore saudite. Ai është djali i ish-mbretit Faizal, i cili u vra në vitin 1975. I lindur në Mekë në vitin 1945, Turki studioi në Shtetet e Bashkuara, dhe në vitin 1977 u bë kreu i Presidencës së Inteligjencës së Përgjithshme të Arabisë Saudite.

Pasi e drejtoi agjencinë për 24 vjet, ai dha dorëheqjen çuditërisht vetëm 10 ditë para sulmit të Al-Kaidës në SHBA në 11 shtator 2001. Më vonë, Turki përfaqësoi vendin e tij si ambasador në Londër dhe më pas në Uashington. Ai është bashkëthemelues i Fondacionit Mbreti Faizal dhe kreu i Qendrës Mbretërore Faizal për Kërkime dhe Studime Islame me seli në Riad.

Turki është i martuar, dhe është baba i tre vajzave dhe tre djemve. Djali i tij Abdulaziz është  Ministër i Sporteve që nga viti 2020. Princi 79-vjeçar udhëton nëpër botë si ambasador i politikave politike të vendit të tij. Në intervistën që dha për ne, Turki thekson gjithsesi se nuk mban asnjë pozicion zyrtar, duke i dhënë atij mundësinë e të folurit lirshëm.

 Pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin Hamasi vrau thuajse 1200 izraelitë, bota arabe nuk tregoi pothuajse asnjë simpati për viktimat. Pse?

 Edhe bota arabe ankohet për mungesën e simpatisë në Perëndim për mijëra viktimat palestineze.

Si ish-shef i inteligjencës së Arabisë Saudite, ju jeni i njohur me çështjet e sigurisë. A prisnit që Hamasi ta kryente atë sulm vrastar?

Si mund të pres që dikush të ushtrojë një dhunë të tillë ndaj dikujt tjetër? Megjithatë, çekuilibri në pyetjen tuaj, është se i referohet ekskluzivisht Hamasit. Unë nuk e kam menduar kurrë se izraelitët mund të shkaktonin këtë shtypje dhe agresion të egër mbi popullin palestinez. Duhet të kujtojmë se sulmi i 7 tetorit, ishte rezultat i një historie të gjatë të pushtimit izraelit të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Fundi i këtij pushtimi do të parandalojë përsëritjen e një ngjarjeje të tillë.

Deri para sulmit të Hamasit, vendi juaj po shkonte drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin. Procesi mendohej të përfshinte një marrëveshje gjithëpërfshirëse ushtarake me Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e mbretërisë. A është ende realiste në këtë situatë të tensionuar?

Ju keni harruar elementin e tretë të negociatave me Uashingtonin, i cili do të përcaktojë suksesin apo dështimin e marrëveshjes: krijimin e një shteti të pavarur palestinez, që do të përfaqësonte popullin palestinez me të gjitha të drejtat qytetare dhe të drejtat e njeriut.

Si po shkojnë në fakt këto bisedime?

Amerikanët na thonë se duan që ne të normalizojmë marrëdhëniet me Izraelin. Përgjigja jonë është se kjo do të ndodhë vetëm nëse ekziston një rrugë e sigurt për krijimin e një shteti palestinez. Ndërkohë, duhet të theksoj që ne nuk po negociojmë drejtpërdrejt me Izraelin. Arabia Saudite ftoi një delegacion palestinez para 7 tetorit, për të biseduar drejtpërdrejt me amerikanët se si duhet të jetë shteti i Palestinës.

Mendoni se një zgjidhje me dy shtete është ende e realizueshme pas sulmit të 7 tetorit, pas vdekjes së mijëra civilëve në Gaza, me 700.000 kolonë hebrenj në Bregun Perëndimor, disa prej të cilëve janë të përgatitur të përdorin dhunë, dhe me një Hamas të ripërtërirë?

Nëse nuk do ta mendoja si të mundur, nuk do ta kërkonim. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, e gjithë bota po bëjnë thirrje për një zgjidhje të konfliktit përmes themelimit të dy shteteve. Vetëm Izraeli refuzon ta pranojë një formulë të tillë.

Në Perëndim, por edhe brenda shoqërive arabe, ka pasur kritika se shtetet arabe nuk po bëjnë mjaftueshëm për palestinezët….

Kur Palestina u bë një protektorat britanik pas Luftës së Parë Botërore, Londra nisi të ftonte hebrenj nga e gjithë bota në Palestinë për të krijuar të ashtuquajturat vendbanime, që unë i quaj koloni. Populli palestinez u rebelua kundër ardhjes së atyre refugjatëve, të cilët ishin persekutuar nga evropianët, veçanërisht nga gjermanët.

Kështu qeveria britanike e shtypi popullsinë arabe. Në atë kohë, mbreti saudit Abdulaziz protestoi ndaj qeverisë britanike kundër politikave të saj. Deri më sot, të gjithë udhëheqësit e Arabisë Saudite kanë ofruar mbështetje financiare, humanitare dhe ndonjëherë edhe ushtarake për popullin palestinez. Në këtë aspekt, nuk kemi pse për çfarë të kërkojmë ndjesë.

Ky është një përshkrim shumë i njëanshëm. Hebrenjtë kanë jetuar në Palestinë edhe në shekujt e kaluar. Shumica e hebrenjve evropianë po iknin nga persekutimi dhe miliona prej tyre u vranë gjatë Holokaustit…

Po, por në Evropë. Pse i quajmë kolonialistë? Sepse u kanë marrë tokën të tjerëve, dhe kjo është ajo që po ndodh sot në Bregun Perëndimor.

Shumë mbështetës të Izraelit në mbarë botën janë kritikë ndaj kolonëve të sotëm. Në një intervistë të mëparshme për Der Spiegel, ju keni thënë se SHBA ishte fuqia e vetme që dëgjojnë izraelitët. A është ende e vërtetë?

Do të doja të përgjigjesha me një “Po”. Por sot nuk e kuptoj se çfarë po ndodh atje. Duket se nuk është më SHBA-ja ajo që u tregon izraelitëve se çfarë të bëjnë, por anasjelltas.

 Një nga supozimet e zakonshme, është se Netanjahu po përpiqet të rezistojë derisa mbështetësi i tij, Donald Trump, të rizgjidhet president në nëntor…

Unë nuk jam as psikiatër dhe as fallxhor. Nuk mund t’ju them se çfarë e motivon Netanjahun apo të tjerët. Por Trump ka bërë deklarata shumë negative mbi Netanjahun. Për shembull, se ai e tradhtoi kur dha urdhër për eliminimin e komandantit të brigadave iraniane Al-Kuds, gjeneralit Sulejmani në Irak, dhe Netanjahu u tërhoq në momentin e fundit.

Çfarë domethënie do të kishte për vendin tuaj rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë?

Nga presidenti Frenklin Ruzvelt tek Xho Bajden, vendi im ka gjetur një bazë bashkëpunimi me të gjithë liderët amerikanë. Ndonjëherë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira, ndërsa herë të tjera dallime të forta. Gjatë fushatës zgjedhore, Bajden ka thënë gjëra negative për Arabinë Saudite. Por pasi u zgjodh president ndryshoi mendje, dhe tani po punojmë ngushtë së bashku. E njëjta gjë vlen edhe për Trump, udhëtimi i parë i të cilit jashtë vendit si president i SHBA-së e ishte pikërisht në Arabinë Saudite.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit