Shqiptarët në përgjithësi dhe nuk janë të vetmit- e mbajnë veten për patriotë e atdhetarë të mëdhenj. Nuk janë të rralla rastet, kur në situata lufte ka pasur vërtet shqiptarë patriotë, që e kanë treguar këtë duke luftuar, madje duke dhënë edhe jetën.
Në kohë paqeje, shumica e shqiptarëve që rrahin gjoksin për patriotizëm, mjaftohen ta shpalosin këtë, vetëm duke bërë shqiponjën me gishta nëpër stadiume, apo duke festuar dhe kënduar “O sa mirë me qenë shqiptar”, por ndërkohë, nuk e kanë fare problem t’i bëjnë 99 të zezat këtij vendi, duke e zhvatur, vjedhur, djegur, shkatërruar, braktisur, betonizuar, duke u vrarë dhe sharë me njëri-tjetrin, duke nisur që nga postet politike dhe interesat ekonomike, e deri tek gardhi i avllisë apo degët e pemës së komshiut që kanë hyrë në territorin e tjetrit!
Shqiptarët, më shumë i besojnë të huajve -tek të cilët qahen vazhdimisht- sesa shqiptarëve të tyre, me të cilët i ndan interesi i ngushtë financiar, politik e ideologjik apo fetar.
Në kohë paqeje, disave u duket vetja patriotë të mëdhenj, duke stisur mitologji qesharake, për një prejardhje të lavdishme racore e gjuhësore të paqenë, disa të tjerëve, duke kthyer “shqiptarinë” apo “perëndimin” në fenë që duhet të besojnë shqiptarët, ndërsa disa të tjerëve iu duket vetja patriotë, duke sulmuar fenë e shumicës së bashkëkombësve të tyre, ashtu siç ka nga kjo shumicë tek-tuk, që kalojnë në ekstremin tjetër, duke mohuar me gojë atë që nuk ua thotë zemra… etj.
Problemi më i madh që kemi ne, si njerëz provincialë në mentalitet dhe në sjellje, është mungesa e theksuar e besueshmërisë tek njëri-tjetri, si dhe egoizmi i tepruar provincial, që karakterizohet nga smira e tepruar dhe dashakeqe ndaj tjetrit tonë, ku na tërbon suksesi dhe mirëqenia e tij, ku na josh çdo rrugë e paligjshme dhe amorale që na mundëson të njëjtën gjë, edhe pa meritë, duke na bërë kështu vetë ne, më të këqijtë e vetvetes, qoftë duke ia hedhur fajin gjithmonë tonit apo të huajit, si dhe duke mos u përpjekur asnjëherë që ndryshimin ta nisim nga vetja.
I Dërguari i Zotit, në një fjalë madhështore të tij ka thënë: “Askush nga ju nuk beson, për aq kohë sa nuk do për vëllanë e tij, atë që do për vete.” Po kështu, edhe ne si shqiptarë, asnjëherë nuk kemi për t’u bërë patriotë dhe atdhetarë të vërtetë, për aq kohë sa nuk duam për njëri-tjetrin dhe për këtë komb, atë që duam për vete.
Mendësia dhe kultura jonë e dobët komunitare, janë sëmundja jonë e kahershme, dhe vetëm kur të duam vëllanë tonë ashtu siç duam veten, do ta duam edhe këtë vend, edhe këtë komb, dhe nuk do ta dëmtojmë më atë, me vetëdije ose jo. Deri atëherë, kemi rrugë të gjatë për të bërë. Zoti na ndihmoftë!
Hoxhë Dr. Justinian Topulli