Rruga drejt Pejës e klerikut serb, “prapaktheu” në Merdare
Diplomacia e Prishtinës, pra Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, ka refuzuar kërkesën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfiri, për të vizituar Patriarkanën e Pejës.
Ministria theksoi se vizitat nga Serbia nuk do të lejohen përderisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk lejon vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Serbi dhe “nuk ndalon fushatat kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në procesin e integrimit si dhe në procesin e njohjes, si dhe vazhdon të përdor gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet ndaj Kosovës dhe përfaqësuesve të saj”.
“Serbia, siç dihet, ka krijuar një grup ministror për shkeljen e Marrëveshjes Themelore dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me një qasje të tillë dhe luftë kundër Kosovës në çfarëdo mënyre, nuk do të ketë miratim të vizitave të tilla”, thuhet në deklaratë.
Shtohet se Serbia inkurajohet të zbatojë Marrëveshjen Themelore dhe të veprojë reciprokisht në lidhje me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.
Kisha Ortodokse Serbe njoftoi në faqen e saj se Patriarku serb Porfiri, i cili me shtatë peshkopë të tjerë duhej të mbërrinte pasdite në selinë e Kishës Ortodokse Serbe, në Manastirin e Patriarkanës së Pejës, u ndalua në vendkalimin Merdarë nga zyrtarët e Autoritetet e Kosovës dhe pa asnjë shpjegim, kanë njoftuar se u ndalohet hyrja në Kosovë.
Siç u tha, Patriarku dhe peshkopët duhej të merrnin pjesë në fillimin e seancës së rregullt vjetore të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe. /tesheshi.com