2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Patericat e sundimit – Justinian Topulli

Më të lexuarat

A e dini sesi pakicat i sundojnë shumicat?

E kush më mirë sesa një anglez mund t’ia jap përgjigjen e kësaj pyetje?

Frederick Lugard, Komisioner i Lartë Britanik për Afrikën Perëndimore flet në librin e tij “The Dual Mandate in British Tropical Africa” ndër të tjera edhe për një nga mjetet më efikase të kontrollit të pushtetit që është sundimi i tërthortë (indirect rule).

Në praktikë sundimi indirekt do të thoshte përdorimi i njerëzve me mendje apo karakter të dobët nga mesi i drejtuesve lokalë autoktonë dhe sigurimi i bindjes dhe besnikërisë së tyre përmes joshjes: postit, rrogës, titujve, nderimeve, shpërblimeve financiare, apo edhe frikësimit të shkarkimit dhe humbjes së privilegjeve.

Sigurisht që pati edhe mjete të tjera, siç qe edukimi dhe propaganda, por duket se pika më e fortë e sundimit kolonial britanik qe pikërisht përdorimi i patericave vendase, sepse ishin pikërisht këta udhëheqës lokalë ata që qëndronin dhe përballeshin me popujt e tyre. Në pamje të jashtme dhe të drejtpërdrejtë ishin ata që komandonin dhe sundonin dhe kishin liri lokale veprimi, por në realitet ata ishin vetëm vasalë të varur dhe të kompromentuar nga liria e veprimit që sundimi qendror i britanikëve iu jepte.

Për të mos shkuar më larg me anglezët dhe për t’iu kthyer realitetit tonë të KMSH, që sado që të ketë dallim funksionon gati njëlloj edhe pse në këtë rast kemi të bëjmë me administrim sektar klanor shqiptarësh për llogari të një organizate ndërkombëtare, siç është lëvizja gyleniste apo e hyzmetit, e cila beson verbërisht se është më e afta, më meritorja dhe e destinuar në mënyrë hyjnore mesianike të udhëheq muslimanët, dhe jo vetëm ata, por tërë botën!

Kështu që në fakt mbështetja tek elementi lokal, qofshin këta imamë apo myftinjë, nuk është vetëm trashëgimi e atyre që gylenistët zëvendësuan, por edhe taktikë e përkohshme dhe transitore. Së pari për shkak të pamundësisë autoritare në njerëz dhe mjete financiare, dhe së dyti për t’i dhënë legjitimitet fals administrimit qendror, duke mbajtur kështu të ulët nivelin e pakënaqësisë, kundërshtimit dhe refuzimit.

“Liria” e administrimit lokal të myftinive dhe xhamive apo ajo e davetit, siç mendojnë disa, është mashtrimi më i madh që i bëjnë vetes ata që mendojnë se vetëm duke ruajtur interesin lokal të xhamisë apo myftinisë do të ruhet edhe interesi i përgjithshëm fetar kombëtar i KMSH, ndërkohë që është absolutisht e kundërta.

Xhepave dhe bastioneve të lira të davetit, pas të cilave kapen dhe justifikohen shumica, një ditë do t’i vijë fundi nëse gjendja aktuale nuk ndryshon. Kush ka mendje kupton dhe kush ka zemër dhe brengë për ndryshim vepron atë që duhet. Tani është koha.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit