16.3 C
Pristina
Saturday, June 29, 2024

Pastërtia e trupit dhe pastërtia e zemrës

Më të lexuarat

Ibnu Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Profeti a.s po kalonte përpara dy varreve dhe tha: “Ata të dy po ndëshkohen. Ata mendonin se veprimi që kryenin ishte gjë e lehtë. Njëri prej tyre nuk pastrohej nga urina, ndërsa tjetri merrej me thashetheme”.[1]

Kuptimi i disa idiomave:
Nuk pastrohej nga urina: Nuk ruhej.
Thashetheme: Përcjellja e fjalëve të njerëzve duke shpifur.

Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Disa mëkate muslimani i kujton të lehta e nuk i jep rëndësi, por ato kanë një përfundim të keq dhe me rrezik. I dërguari i Allahut i ka udhëzuar shokët e tij për dy çështje, për të cilat njerëzit shpeshherë janë të pakujdesshëm, por që tek Allahu konsiderohen si mëkate që meritojnë ndëshkim. Për këtë arsye në një transmetim tjetër i dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk po ndëshkohen për ndonjë gjë të madhe. Ata mendonin se veprimi që bënin ishte gjë e lehtë, por në fakt është shumë e rëndë,  d.m.th: tek njerëzit nuk konsiderohen si mëkate të mëdha, por tek Allahu konsiderohen si të tilla. Një domethënie tjetër e këtij hadithi është, se këto dy çështje nuk kanë ndonjë vështirësi të madhe për të mos i lënë, por pakujdesi e njerëzve i ka bërë që të mos nxitojnë që të pendohen.
Çështja e parë, me të cilën profeti a.s na ka paralajmëruar në këtë mësim edukativ, është moskujdesi që tregon myslimani, që nuk ruhet nga spërkatja e urinës në trup apo rrobë. Papëstërtia i ngjitet në trup dhe në rrobë, ose ai nuk pret që ta përfundojë urinën dhe kur çohet disa pika bien mbi rrobë, që e bën atë të papastër. Mirëpo kjo ia prish namazin. Përderisa kjo është gjendja e tij, kur në shumicën e rasteve që falet nuk ruhet nga papëstërtia, atëherë ai nuk e ka plotësuar një kusht kryesor të pranimit të namazit, që është  pastërtia e trupit dhe e rrobës. Gjithashtu ai është i papastër dhe nga rrobat i vjen erë e keqe, që i detyron njerëzit të largohen nga ai. Feja Islame ka nxitur për pastërtinë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Allahu i do ata që pendohen dhe që pastrohen”. Sure El Bekare:223
Është detyrë e myslimanit, që t’i japë rëndësi pastërtisë, të ruhet e të largohet nga papastërtia dhe shkaqet, që të çojnë tek ajo. Imam Darakutni transmeton, se i dërguari i Allahut ka thënë: “Pastrohuni nga urina, sepse shumiva e njerëzve në varr, dënohen për shkak të mospastrimit”.
Ndërsa  për pastërtinë e zemrës, profeti a.s ka tërhequr vëmendjen në hadith për pastrimin e saj nga smira, zilia e të tjera si këto sëmundje shkatërruese. Këtë e tha për për personin e dytë, i cili dënohej në varr, sepse merrej me thashetheme. Thashethemet janë sëmundje të dëmshme dhe shkatërrojnë lidhjet mes muslimanëve. Ai i cili përcjell fjalët tek një person tjetër me qëllim të keq e për të futur armiqësi ndërmjet dy personave, patjetër që në zemër  mbart smirë dhe urrejtje për të dy dhe dëshiron që të largojë dashurinë, që kanë mes tyre.
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar, që të largohemi nga ata që merren me thashetheme e as të mos dëgjojmë fjalët e tyre edhe nëse në pamje të parë duken sikur na këshillojnë. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Mos e respekto atë që betohet shumë e është i poshtër, përbuz njerëzit dhe është thashemexhi”. Sure El Kalem:10-11
Thashemexhi është ai njeri, i cili merret me thashetheme përcjell fjalët, që të prishë marrdhëniet mes njerëzve. Na del për detyrë që ta paralajmërojmë për mëkatin e madh dhe të rrezikshëm, si dhe për ndëshkimin e Allahut që e pret dhe zemërimin e Tij. Imam Buhariu dhe imam Muslimi transmetojnë nga Hudhejfa i cili ka thënë: I dërguari i Allahut ka thënë: “Thashemexhiu nuk do të hyjë në xhenet”.
Thashethemi është mëkat i madh dhe sëmundje e gjuhës. Prandaj muslimani e ka për obligim, që ta ruajë gjuhën, sepse ajo do të jetë shkaktare e shkatërrimit të tij në ditën e Gjykimit. Imam Buhariu transmeton nga Ebu Hurejra se i dërguari i Allahut ka thënë: “Njeriu flet me një fjalë, që nuk i jep rëndësi, por që e zemëron Allahun dhe ajo bëhet shkak që të hyjë në zjarrin  e xhehenemit”.
I dërguari i Allahut na ka lajmëruar për gjendjen e dy njerëzve, që dënoheshin në varr si argument se dënimi në varr është real dhe se jobesimtarët dhe mëkatarët ndëshkohen në varr. Varri është kopsht prej kopshteve të xhenetit ose gropë prej gropave të zjarrit. Njeriut të devotshëm, i zgjerohet varri deri në rrezen e shikimit, ndërsa për jobesimtarët dhe mëkatarët ai ngushtohet, saqë edhe kockat u kërcasin, ashtu siç është transmetuar në shumë hadithe.
Në plotësim e hadithit është transmetuar se profeti a.s ka marrë një degë palme, e ka ndarë në dy pjesë, pastaj çdo copë e ka mbjellë në secilin prej varreve duke thënë: “Shpresoj që t’u lehtësohet dënimi, derisa akoma nuk janë tharë”.
Kjo është një orientim profetik, që dëshmon për rëndësinë e lutjes për të vdekurin, kërkimit falje për të dhe kujdesi që duhet patur nga shkaqet, që të çojnë në zemërimin e Allahut.

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Kujdesi që duhet patur për të qenë i pastër në trup, në rrobë dhe kur të kryejmë nevojat personale.
2- Kujdesi që duhet patur nga thashethemet dhe largimi nga thashemexhiu.
3- Dënimi i varrit për mëkatarët është i vërtetë.
4- Prej mrekullive të profetit a.s është, se Allahu e lajmëroi atë për këta dy persona, që po dënoheshin në varr dhe e lajmëroi për shkakun e dënimit të tyre, me qëllim që muslimanët të marrin mësim.
[1] Transmeton imam Buhariu: 215 dhe imam Muslimi: 292

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit