0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pasojat e tentimit izraelit për ndryshim demografik në Kuds

Më të lexuarat

Ndonëse bombardimet e fundit të Izraelit në Gaza mund të kenë tërhequr vëmendjen e dëbimit të familjeve palestineze nga Kudsi, përpjekjet e tyre për të bërë ndryshime demografike dhe përpjekjet për të kontrolluar kompleksin Al-Aksa në qytetin e shenjtë, sjellin më vete më shumë pasoja mbi sigurinë e rajonit.

Shkaku i krizave aktuale filloi dëbimi i familjeve palestineze nga Sheikh Jarrah, një lagje kryesisht palestineze në Kudsin Lindor, dy kilometra në veri të qytetit të vjetër, në rrugën për në malin Al-Masharif. Kjo u shndërrua në protesta dhe më pas policia izraelite sulmoi dhe rrahu njerëzit që ishin mbledhur për t’u lutur brenda Xhamisë Al-Aksa natën e Laylat al-Kadr më 10 maj.

Në fund të luftës gjashtë ditore të vitit 1967, kur Izraeli mori kontrollin e Kudsit Lindor, ai kishte rënë dakord për të mbajtur një “status quo” në kompleksin Al-Aksa, i cili përfshinte Qubbat as-Sakhra (Kupola e Shkëmbit) dhe kupolën e argjendtë të Xhamisë Al-Aksa. Vakëfi jordanez u lejua të administrojë me të. Hebrenjve u lejohej të kishin qasje deri në Murin Al-Buraq në anën perëndimore të Al-Aksës për të ruajtur qetësinë. Por, me kalimin e viteve, Izraeli, sipas një plani, jo vetëm që po dëbon muslimanët nga qyteti por po e bën gjithnjë e më të vështirë qasjen e tyre në Al-Aksa.

Shifrat tregojnë se popullsia e kolonëve izraelitë në Kuds po rritet me një ritëm më të shpejtë sesa popullsia e Izraelit. Sipas Entit Qendror të Statistikave të Izraelit, popullsia totale e Kudsit në vitin 2016 ishte 882.700, përfshirë 536.600 hebrenj, 319.800 muslimanë, 15.800 të krishterë dhe 10.300 të paklasifikuar.

Deri në fillim të shekullit të 20-të, muslimanët kishin një shumicë në qytet. Sipas regjistrave osmanë të taksimit, të regjistruar nga autorët Amnon Cohen dhe Bernard Lewis në librin e tyre “Popullsia dhe të Ardhurat në Qytetet e Palestinës në Shekullin e Gjashtëmbëdhjetë”, popullsia hebreje në vitin 1553 ishte 1.958, muslimanë 12.154 dhe të krishterë 1.956 në një popullsi totale prej 16.068.

Në vitin 1832, autorët Michal Oren-Nordheim dhe Ruth Kark, në librin e tyre “Kudsi dhe rrethinat e tij: Lagjet, Fshatrat”, regjistruan se qyteti kishte 4.000 hebrenj, 13.000 muslimanë dhe 3.560 të krishterë.

Sipas hulumtimeve dhe statistikave arabo-jordaneze, numri i hebrenjve arriti në 10.000 në vitin 1918 ndërsa i muslimanëve ishte rreth 30.000.

Regjistrimi i kryer nga britanikët pesë vjet pas Deklaratës së Balfour-it të vitit 1917 zbuloi një histori tjetër.

Numri i hebrenjve ishte rritur në 33.971 në vitin 1922, ndërsa muslimanët mbetën në 13.413. Numri i të krishterëve ishte 14.669. Popullsia e përgjithshme ishte rritur në 62.578.

Në vitin 1944, studiuesit Manashe Harrel dhe Ori Stendel regjistruan se popullsia hebreje ishte 97.000, ajo muslimane 30.600 dhe e krishtere 29.400. Menjëherë pas luftës së vitit 1967, këta autorë vendosën numrin e popullsisë hebreje në 195.700, muslimanë 54.963 dhe të krishterë 12.646. Popullsia totale e qytetit në kohën e luftës gjashtë ditore ishte 263.307.

– Ligjet diskriminuese

Përgjatë viteve, Izraeli ka miratuar ligje diskriminuese me një plan të përbashkët për të dëbuar muslimanët nga qyteti. Sipas ligjit, nëse një grua muslimane martohet jashtë qytetit, ajo humbë të drejtën për të jetuar dhe për të pasur pronë në qytet. Ky ligj është kundër çdo barazie gjinore dhe drejtësisë.

Disa vjet më parë, gjatë vizitës time në qytetin e Kudsit, një shtëpi dykatëshe e një familjeje arabe në qytetin e vjetër ishte okupuar në mungesë të tyre. Familja kishte shkuar për të marrë pjesë në martesën e një të afërmi jashtë qytetit. Kur u kthyen pas një jave, ata gjetën derën e hapur, sendet e tyre në rrugë dhe një familje hebreje që jetonte brenda. Atyre iu tha se autoritetet në mungesë të tyre ia kishin dhënë shtëpinë një familjeje hebreje pasi e gjetën atë “të braktisur dhe të mbyllur”. Incidente të tilla përsëriten shpesh në qytetin e shenjtë.

Një histori e ngjashme po përsëritej në Sheikh Jarrah, një lagje arabe relativisht e prosperuar, e njohur për restorantet e saj arabe dhe marokene, në lokalitetin e emëruar sipas një mjeku të shekullit të 12-të, varri i të cilit gjendet në lagje. Po ashtu është i vendosur edhe një pallat osman, i cili tani është shndërruar në hotel.

Në vitin 1956, Jordania, e cila ishte autoriteti qeverisës në Kudsin Lindor, kishte vendosur 28 familje palestineze, të zhvendosura në vitin 1948, në shtëpi të reja të ndërtuara nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët. Atyre iu dha pronësia mbi pronat brenda tre vjetësh në këmbim të heqjes dorë nga statusi i tyre i refugjatit.

Por, në vitin 1972, grupet e kolonëve pretenduan se toka ishte në pronësi të hebrenjve. Mbi këtë bazë, atyre iu dha mbështetje ligjore për të ngarkuar familjet palestineze me qira. Që nga viti 2002, dhjetëra palestinezë janë dëbuar nga lagjja si dhe që nga fillimi i vitit 2020, me bashkëpunimin e gjykatave izraelite, të cilët kanë urdhëruar dëbimin e 13 familjeve të tjera.

Mjetet e kombinuara politike, demografike dhe ekonomike të përdorura nga autoritetet izraelite për të shtypur karakterin e Kudsit dhe për të krijuar një ekuilibër demografik në favor të hebrenjve është një nga sfidat më të frikshme për sigurinë e rajonit. Më parë, Izraeli nuk e kishte lejuar autoritetin palestinez të vendoste vendvotime për zgjedhjet e Këshillit Legjislativ Palestinez të shtyrë tani, që fillimisht ishin planifikuar më 22 maj.

– Banorët nën presion

Luay Shabbaneh, kreu i Entit Qendror Palestinez të Statistikave në Ramallah, duke shkruar për gazetën “Jerusalem Quarterly” thotë se Qeverisë Palestineze i është ndaluar ofrimi i shërbimeve në qytet gjatë viteve. Nga ana tjetër, shërbimet e ofruara nga zyrtarët izraelitë nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë midis banorëve të qytetit.

“Këto pabarazi vendosin banorët nën presion të vazhdueshëm për të lënë qytetin dhe për t’i shpëtuar ndalimeve kundër ndërtimit dhe kostove të larta të marrjes së një leje ndërtimi që varion midis 25.000-30.000 dollarë, një kosto e lartë për palestinezët”, tha ajo.

Sipas një studimi të kryer nga Meir Margalit, ish këshilltar i Kudsit, kostoja e një licence ndërtimi në zonat palestineze për një apartament 200 metra katrorë shkon afro 100.000 dollarë. Kjo tarifë nuk përfshin pagesat shtesë të kërkuara për lidhjen e pronës për rrjetin e kanalizimit ose për angazhimin e avokatit. Qëllimi i kësaj taktike, për ta bërë koston e marrjes së një leje ndërtimi më të lartë se kostoja e vetë ndërtimit, është të detyrojë popullatën arabe të zhvendoset nga qyteti.

Krahas krijimit të ndryshimeve demografike, autoritetet izraelite gjithashtu po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë qasjen në Al Aksa për palestinezët, duke mohuar të drejtën për lutje dhe pelegrinazh.

Ndonëse turistët lejohen të vizitojnë Al-Aksën, Izraeli nuk lejon palestinezët, të cilët jetojnë vetëm disa milje larg në Bregun Perëndimor, të vizitojnë vendin e shenjtë. Banorët e Betlehemit (Bejt Lahm), një qytet palestinez vetëm 10 kilometra në jug të Kudsit, mund të shohin kupolën e argjendtë të Xhamisë Al-Aksa dhe Qubbat ari-Sakhra të artë që qëndrojnë lartë mbi qytetin, por nuk mund të udhëtojnë në Kuds. Një mësues në një shkollë të drejtuar nga OKB-ja në qytet më tha se ai e kishte vizituar qytetin rreth 14 vjet më parë dhe bëri lutje në vendin e shenjtë. Që nga ajo kohë, ai mund të shohë kupolën nga distanca.

Jo vetëm që ua mohon atyre të drejtën për t’u lutur dhe për të vizituar faltoret e Kudsit dhe pjesë të tjera të Bregut Perëndimor, por Izraeli gjithashtu ka ndërtuar rrugë dhe autostrada të ndara për palestinezët që të udhëtojnë deri në Detin e Vdekur dhe zona të tjera, e cila është lartësia dhe forma më e keqe e aparteidit. Izraeli jo vetëm që po praktikon aparteidin por gjithashtu po inxhinieron spastrimin etnik për të dëbuar arabët nga rajoni.

Gjithsesi, nuk ka shkurtore në asnjë lëvizje. Për të arritur në një përfundim logjik, udhëheqësit dhe njerëzit kanë nevojë për këmbëngulje dhe fuqizim duke krijuar gjithnjë e më shumë aleatë në frontin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Rrotat e historisë lëvizin por megjithëse ngadalë në disa raste. Marrëveshja midis të fortit dhe të dobëtit gjithashtu nuk zgjat shumë. Edhe për miratimin e një marrëveshjeje në tryezë, duhet të jetë politikisht dhe moralisht i fortë. Këto janë mësime të dhëna nga historia gjatë shekujve dhe nuk janë dëshmuar të gabuara.
/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit