Valter Nasufi
Bota përgjatë historisë ka pasur shumë periudha të zymta që shumëkush lutet të mos kthehen më.
Shekulli i XX ishte errësira më e madhe që nga epoka e obskurantizmit. Luftërat e shekullit të kaluar shuan jetën e jo më pak se 87.000.000 jetë njerëzish, pa llogaritur numrin e të plagosurve, të të gjymtuarve apo të të dëmtuarve të tjerë. Të tilla shifra tronditëse eklipsohen moralisht për kundruall totalit të përgjithshëm të viktimave të cilët humbën jetën për shkak të ideologjisë komuniste, Apo siç shprehet edhe Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij “Jashtë Kontrollit”, i cili mes të tjerash tregon se me të drejtë shekulli XX i vë vulën si shekulli i megavrasjeve: nga numri i individëve të pambrojtur të çuar në vdekje qëllimisht për shkak të urrejtjes dhe pasioneve doktrinar . (Zbigniev Brzhezhinski, 1993:19)
Në emër të doktrinës së Hitlerit dhe pasioneve të tij, shkaktoi vrasjen e qëllimshme të rreth 6.000.000 çifutëve, përafërsisht të 800.000 ciganët, pasi edhe çifutët edhe ciganët qenë parapërcaktuar për t’u zhdukur, të më shumë se 2.000.000 polakëve, me përpjekje të veçanta për të vrarë të gjithë inteligjencën polake; të ndofta 6.000.000 robërve sovjetik të luftës(shumica rusë dhe ukrainas)..;si dhe të paktën të 2.300.000 të njerëzve të vrarë gjakftohtësish nëpër Evropë, ku gjysma e viktimave i përket vetëm Jugosllavisë. (Zbigniev Brzhezhinski, (1993:20)
Për rrjedhojë Hitleri shkaktoi vdekjen e 17.000.000 qenieve njerëzore.
Megjithatë Stalini dhe Maoja ia kaluan, Stalini trashëgoi nga Lenini një makineri vepruese të efektshme për shkatërrimin masiv të kundërshtarëve politikë dhe shoqërorë, të cilën e përmirësoi me kalimin e kohës. Lenini masakroi popullsi fshatare të cilat sipas tij i dukeshin të parëndësishëm “-llogaritet të jena zhdukur nga 6-8.000.000 njerëz” (1993:20)
Pas Leninit në pushtet erdhi Stalini, i cili ngjashëm me paraardhësin e tij kishte politika të njëjta të shfarosjes së popullsisë, si mjet për ta mbajtur nën kontroll. “Më pas ky numër thuajse u trefishua nga Stalini, i cili shkaktoi sipas disa përllogaritjeve minimale, vdekjen e jo më pak 20.000.000 personave, mbase edhe të më shumë se 25.000.000.” (1993:21)
Taktikat komuniste staliniste ishin të ndryshme, pushteti si instrument autoritar dhe legjitim i forcës dhe i dhunës, apo siç do të thoshte Veberi “shteti ka monopolin e dhunës”, por që ideologjia komuniste gjakpirësit në pushtet i tejkaloi me vite dritë këtë monopol. Diktatura komuniste, përdorte të gjitha format e mundshme që masën ta kishte gjithherë në nënshtrim.
Njëra prej tyre ishte edhe ngritja e kampeve të përqendrimit. “Kësisoj në kampet e Stalinit mendohet të kenë vdekur rreth 1.000.000 robër lufte” (1993:21) Njerëzit të cilët vdisnin nga pushkatimet, puna e rraskapitëse dhe nga uria varroseshin bashkërisht nëpër gropa të mëdha nën tokë. “Fare pranë Minskut në fund të viteve 80 u zbulua një varrezë me rreth 200.000 viktima të ekzekutuara. Po kështu janë gjetur edhe varreza të tjera tejembanë hapësirës, pranë çdo qyteti të madh.” (1993:22)
Ata që kishte pushtuar ideologjia, ishin njerëz të errët, të cilët njerëzit i shikonin si numra, të dehumanizuar thuajse tërësisht nga ideologjia, e cila kishte larguar shpirtin njerëzor human me anë të doktrinës komuniste totalitare ndërtoi “njeriun e ri”. Duke mos ndjerë asnjë lloj keqardhje për gjithë ato jetë njerëzore që vdisnin dhe torturoheshin përditë. “Për udhëheqësit bolshevikë ky proces kishte të bënte me spastrimet klasore gjatë të cilave shoqëria purifikohej duke “likuiduar” kategori të tëra armiqsh.” (1993:22) Rrjedhimisht, vrasja si të thuash përbënte thjesht një funksion burokratik si për udhëheqësit që e urdhëronin vrasjet, ashtu edhe për ata që ekzekutonin.
“Pas vitit 1945 metodikat e Stalinit u zbatuan në mbarë Evropën Lindore. Në çdo shtet satelit u ngritën kampet e përqendrimit- më saktë kampet e vdekjes-ku armiqtë e regjimit të ri punon derisa vdisnin. (1993:24) Të njëjtën metodologji ndoqi edhe diktatura komuniste në Shqipëri, ku numërohen me mijëra të përndjekur edhe të vrarë gjithashtu. “Instituti i Kërkimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka publikuar në raportin vjetor, në të cilin thuhet se gjatë regjimit komunist, 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike në raportin e dorëzuar në Kuvend, ka publikuar një sërë statistikash, për vuajtje që kanë pësuar shqiptarët gjatë regjimit “hoxhist”.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59.009 u internuan në kampe të përqendrimit, ndërkohë 7.022 prej tyre kanë humbur jetë.”( http://www.gazetatema.net/web/2016/03/28)
“Është fyerje morale që në vazhdën e gjerë të denoncimit të gjerë të krimeve të Stalinit të kryera gjatë gjithë kohës të bllokut sovjetik, siç quhej dikur, asnjë nga funksionarët e policisë sekrete të Stalinit, komandat kampi përqendrimi, torturues ose ekzekutues, nuk është vënë përpara gjyqit për krimet e Stalinit. “ (1993:24) Gjithashtu, lirshëm mund të tërheqim paralele edhe me rastin e Shqipërisë. As në Shqipëri nuk ka ndodhur diçka e tillë, askush nuk është dënuar për krimet gjatë 5 dekadave të komunizmit.
Edhe debati politik i viteve te fundit për hapjen e dosjeve të diktaturës, ka pasur bujën e vetë, sepse që të dyja palët e partive të mëdha në Shqipëri, PD dhe PS ndihen të kërcënuar nga hapjet e tyre, ngase kështu do të ndodhte një shukim i madh shoqëror. Sepse sipas disa dëshmitarë të cilat kanë qenë të përndjekur politik në atë kohë, thonë se njerëzit të cilët na kanë gjykuar dhe torturuar, sot gjinden në gjendje të lirë, dhe çfarë është më e keqja se ata janë edhe në poste të larta shtetërore si, drejtor e të ngjashëm.
Të duket sikur për sakrificat për hir të nënës parti të cilët ata kanë pasur, janë materializuar duke i shpërblyer me poste në këto 24 vjetët e fundit. Edhe Kina komuniste pas Luftës së Dytë Botërore nuk mbeti prapa, Ideologjia e Maos e bazuar kryesisht në atë komuniste vrau shumë njerëz. Vetëm në revolucionin përgjatë viteve 70 humbën jetën rreth 2 milion njerëzve.
“Duke pasur parasysh madhësinë e popullsisë së Kinës si dhe indiferencën e regjimit aktual për jetën e njeriut, shifra prej rreth 29.000.000 jetë njerëzisht si kosto për epokën komuniste ka të ngjarë të jetë e zvogëluar, veçanërisht për arsye se ajo nuk merr parasysh humbjen neto të popullsisë së Kinës, e shkaktuar nga pasojat demografike të këtyre vrasjeve.” (1993:25)
Nëse i përmbledhim të gjitha shifrat që i cekëm më lart do na dal një shumë e tmerrshme. Përpjekjet e dështuara për ndërtimi e komunizmit në shekullin XX konsumuan jetën e rreth 60.000.000 qenieve njerëzore, duke bërë komunizmin dështimin më të kushtueshëm në të gjithë historinë.
Në këtë mënyrë gjatë shekullit XX, në kasaphanat e motivuar politikisht, janë zhdukur në mënyrë të qëllimshme jo më pak se 167.000.000-madje ka shumë të ngjarë të jenë mbi 175.000.000. (1993:26) Që i bie përafërsisht 2/3 e popullsisë së Shteteve të Bashkuara, ose sa Britania dhe Gjermania të marra së bashku. Ky është numri më i madh i viktimave se totali i të gjithave luftërave të mëparshme, konflikteve civile dhe përndjekjeve fetare gjatë gjithë historisë së njerëzimit.