9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Pasojat e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian

Më të lexuarat

Fushata filloi zyrtarisht këtë javë në Britani përpara referendumit që do të mbahet më 23 qershor për pyetjen nëse vendi duhet të qëndrojë në Bashkimin Evropian.

Ka patur një sërë paralajmërimesh nga institucionet ndërkombëtare për tronditjen e mundshme ekonomike të daljes së Britanisë nga BE-ja, por megjithatë sondazhet i tregojnë të dyja kahet me rezultate të barabarta.

Me fillimin e fushatës, grupi në favor të qëndrimit në BE, i quajtur “Britania më e fortë në BE”, u inkurajua nga një paralajmërim i Fondit Monetar Ndërkombëtar, për një dëm të rëndë rajonal dhe botëror nëse Britania voton për largimin nga BE-ja.

“Do të shikonim një krisje të BE-së dhe zvogëlimin e rolit të saj në skenën botërore. Nëse ndodh kështu, do të dobësohet një nga dy qendrat më të mëdha të pushtetit në Perëndim, që janë BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Do të bëhet më e vështirë të trajtohen problemet botërore dhe do ta izolojë më shumë SHBA-në, ndërkohë që do të forcojë qendra të tjera botërore, si Rusinë dhe Kinën,” thotë Simon Tilford, i Qendrës për Reformimin Evropian.

Edhe kreu i Bankës Botërore shprehu shqetësimet e tij për daljen e Britanisë nga BE-ja:

“Sipas parashikimit tonë, ekonomia do të përkeqësohet më tej për shkak të pasigurisë.”

Fushata kundër qëndrimit në BE e hedh poshtë këtë argument. Një ndër udhëheqësit e saj është kryetari i bashkisë i Londrës, Boris Johnson:

“Mendoj se duhet të dalim nga ky sistem dhe të arrijmë një marrëveshje të re të tregtisë së lirë që do të sigurojë hyrjen e lirë të mallrave britanike në kontinentin evropian.”

BE-ja është tregu i lirë më i madh në botë. Grupet e biznesit pro BE-së thonë se Britanisë do t’i duhet të rinegociojë marrëveshje individuale të tregtisë së lirë nëse del nga Bashkimi Evropian.

“Rinegocimi i këtyre marrëveshjeve për tregtinë me volum të madh me SHBA-në, si dhe me Lindjen e Largët dhe të Mesme, do të ishte një sfidë e jashtëzakonshme,” thotë Elizabeth Shanahan, e Rjetit të Biznesit Ndërkombëtar Irlandez.

Zonja Shanahan thotë se Londra nuk duhet ta marrë për të mirëqenë pozicionin e saj si kryeqyteti financiar i Evropës.

“Në rast të daljes nga BE-ja, që shpresoj të mos ndodhë, mendoj se gjëja e parë që do të bëjnë ministrat e financave të Francës dhe Gjermanisë, do të ishte përcaktimi i një qendre të re financiare, që nuk do të jetë Londra.”

Mbështetësit e fushatës për daljen nga BE-ja thonë se Britania do të kishte shansin për ndërtimin e marrëdhënieve më të forta tregtare me vende jashtë Evropës, si Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Sidoqoftë, Presidenti Barack Obama pritet të shprehë mbështetjen e tij për qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Evropian gjatë vizitës që do të bëjë në Londër javës tjetër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit