3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Paske ndryshuar!

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Paske ndryshuar!

Një herë, u takova me dikë në mbrëmje, i cili më ngjau me dikë që e njihja. E përqafova me përzemërsi, e pyeta si ishte dhe akoma pa marrë përgjigje prej tij, i thashë:”Sa paske ndryshuar! Ku ke qenë? Nga bëhesh?”
Në sytë e tij vura re habi dhe pasi u qetësua stuhia e përshëndetjeve të ngrohta, tjetri më buzëqeshi dhe më tha:”E çuditshme! Nuk e kisha imagjinuar kurrë se më njihni, e jo më të më njihni kaq thellë, saqë interesoheni për detaje nga jeta ime. Madje, mendoja se jam një person që nuk i interesoj askujt.”
Asokohe e kuptova se e kisha ngatërruar me dikë tjetër, me dikë me të cilin ndante shumë tipare fizike të përbashkëta. Megjithatë, nuk ia prisha atë atmosferë të ngrohtë dhe ndjesi të mirë që i lashë. Madje, ia përforcova idenë se ishte njeri i rëndësishëm dhe në fakt ai është njeri i rëndësishëm, nëse do.
Pas kësaj ndodhie, kuptova se interesimi për ndryshimet e ndodhura, është diçka njerëzore që i ngjet kujtdo.
Kur thua njerëzi, të shkon mendja menjëherë tek qenia me mendje, e mendja nga ana e saj fillon e vogël dhe rritet e zhvillohet me kalimin e kohës, por mund edhe të mbetet e vogël për shkak të vargonjve të hekurt. Megjithatë, në të dy situatat, ajo kalon nga një nivel në një tjetër, ose thuaj nga një betejë në një tjetër.
Kjo mendje, mund të angazhohet me matjen e transformimeve tek të tjerët, qëndrimeve të tyre, studimeve dhe statusit, duke i analizuar një për një. Por… e keqja është se ajo – mendja – falë naivitetit të saj, harron të analizojë dhe perceptojë ndryshimet e vetes. Ajo përjeton një zhvillim normal, por jo ndryshim. E si mund të ndryshojë, ndërkohë që vetë ndryshimi për të konsiderohet turp, nga i cili kërkohet mbrojtja e Zotit!
Njerëzi, do të thotë të perceptosh situatat e reja të caktuara nga Zoti, të cilat janë në proces transformimi ” se ju, me siguri, do të kaloni nga një gjendje në një tjetër!” (Inshikak, 19)
Vetë Zoti është ai që shkakton ndryshime tek krijesat, kurse Ai vetë nuk ndryshon.  “në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme.” (Rahman, 29)
Xheneti është vendi i vetëm i cili i nxë të gjitha transformimet e njerëzve dhe i përmbush të gjitha nevojat, kërkesat dhe pasionet. “Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë.” (Zuhruf, 71)
“Për ata do të ketë aty fruta dhe çdo gjë që dëshirojnë.” (Jasin, 57)
Prandaj dhe xheneti është vendi i vetëm ku njeriu nuk do të kërkojë të largohet dhe nuk kërkon alternativë tjetër, nuk kërkon asnjë ndryshim dhe transformim. “ku do të qëndrojnë përherë, duke mos dëshiruar asnjë ndryshim.” (Kehf, 108)
Sakaq, këtu, vendet, kohët, situatat, kërkesat, objektivat etj… janë në gjendje ndryshimi dhe transformimi të pandërprerë, duke na thënë se kjo është pjesë e urtësisë hyjnore në krijimin e gjithësisë, sepse vetëm kështu bëhet dallimi mes njerëzve të krijuar dhe Zotit Krijues, të Urtë, të Përsosur, Madhështor dhe të Gjithëditur.
Feja në vetvete, erdhi për ti komunikuar këtij njeriu, me gjithë transformimet dhe ndryshimet e tij, atij që i bën zullum vetes, atij që ndjek rrugën e mesme dhe atij që paraprin me vepra të mira, myslimanit, besimtarit dhe bamirësit, vetes së qetë, asaj kritike dhe asaj të mbushur me ligësi. Ato janë stacione të cilat mund ta lartësojnë njeriun, ose ta poshtërojnë, duke mos e lënë qoftë dhe një ditë në një gjendje të vetme.
Njeriu e ka të pamundur të arrijë tek më e mira, veçse pas hulumtimit të thellë, përpjekjeve dhe punës së palodhur, gjë e cila, nuk i mundësohet kujtdo, nuk ndodh në çdo kohë dhe nuk gëzon mendim unanim.
Ndryshimi nuk është veçse një lloj ngjitjeje dhe lartësimi në udhën e përsosmërisë, është një përpjekje për më mirë. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Musa Esh’arij, profeti Muhamed a.s thotë:”Pasha Zotin, sa herë që betohem për diçka dhe më rezulton se alternativa tjetër është më e dobishme, e shlyej betimin që bëra dhe ndjek alternativën më të dobishme.” Atë që një njeri i përgjegjshëm e sheh dhe konstaton në një situatë, nuk mund ta konstatojë në një situatë tjetër.
Pjekuria njerëzore për të arritur sa më shumë dije dhe informacion, përvoja dhe eksperienca njerëzore e cila është burim dhuntish, talenti, aftësish dhe bindjesh, humori i maturuar të cilin Zoti ia fal kujt të dojë prej njerëzve etj… të gjitha këto, e ndihmojnë njeriun të jetë i matur në fjalë, vepra, reagime dhe zgjedhjet që bën.
Kam menduar se njeriu, kur plaket dhe fillon e interesohet për botën tjetër, këtë e bën i nxitur dhe shtyrë vetëm nga vdekja. Por, kam vënë re që kjo është një pjesë e të vërtetës dhe jo e gjithë e vërteta. Kam vënë re se shumë njerëz shtyhen dhe motivohen edhe për gjëra të tjera përveç vdekjes.
Ata motivohen nga vetëbesimi, i cili vazhdon e rritet, derisa të bëhet i padepërtueshëm për dyshimet dhe epshet.
Ata mund të jenë të motivuar edhe nga ndjesia se njeriu, në fund të fundit, ka nevojë për ndihmën e Zotit, në përballjen me sfidat, vështirësitë dhe problemet e jetës. Ata mund të motivohen edhe nga ndjesia e begative dhe mirësive të Zotit, të cilat ndjen sikur i kanë vërshuar në jetë.
Ndodhin shumë transformime të thella mbi individin dhe shoqërinë, shtetin dhe popullin… mbi të gjithë njerëzimin. Ato ndodhin në mënyrë të përshkallëzuar, por të organizuar, duke përfshirë gjithçka, pa përjashtim.
 Provoje kët6ë sa herë të takohesh me dikë që e njeh, ose nuk njeh, edhe nëse nuk e di si ka qenë dhe ku ka qenë, edhe nëse nuk i di transformimet e tij nga i varfër në të pasur dhe anasjelltas, nga suksesi në dështim, nga shëndeti në sëmundje, nga kujtimi në harresë, nga puna në papunësi, nga miqësia në armiqësi… provoje ti thuash: Çfarë janë gjithë këto ndryshime në jetën tënde? Ku ke qenë? Ku je tani…? por mos u zhyt në detaje. Do të kuptosh se ke qëlluar në shënjestër.
Bazuar në sa thamë, a mund të qëndrosh para vetes tënde për disa çaste dhe të jesh i çiltër me të, duke e pyetur haptazi dhe pa siklet, duke i marrë përgjigjet prej saj në mënyrë të përshkallëzuar? Kështu, do të ndërgjegjësohesh më shumë me veten dhe do i rrisësh aftësitë e tua për tu familjarizuar me ambientin përreth.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit