1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Pasardhësi më i mirë

Më të lexuarat

Vdekja është një proces i pashmangshëm për çdo njeri. Të gjithë njerëzit, pa dallim, do të vdesin. Allahu ka thënë:

“Secili njeri do të shijojë vdekjen…” (Ali Imran, 185)

Ky fakt mbase shtyn njeriun që të mendojë për pasardhës. Dëshiron të ketë pas vdekjes dikë që do ta përkujtojë. Madje, edhe nëse nuk ka fëmijë biologjik, në kundërshtim me parimet fetare, adopton fëmijë, vetëm e vetëm që të mos “shuhet.”

Por, jo domosdo, pasardhësi nënkupton vetëm fëmijën. Pejgamberi, alejhis selam prezanton disa nga pasardhësit e njeriut, më të rëndësishmin prej të cilëve do të mundohemi ta klasifikojmë pak më vonë nga argumentet e përgjithshme fetare. Pejgamberi, alejhis selam ka numëruar shtatë gjëra, dobinë e të cilave njeriu mund ta ketë edhe pas vdekjes. Bezzari transmeton në Musnedin e tij nga sahabiu i nderuar Enes Ibn Malik se Pejgamberi, alejhis selam ka thënë:

“Njeriu, edhe duke qenë në varr pas vdekjes, përfiton dhe ka dobi nga shtatë gjëra: 1. nga mësimi i ndonjë diturie (të dobishme, çfarëdo që të jetë), 2. nga hapja e rrjedhave të lumit (që njerëzve t’iu shkojë uji), 3. apo të ndonjë pusi, 4. nga mbjellja e ndonjë palme, 5. nga ndërtimi i ndonjë xhamie, 6. nga lënia trashëgimi e ndonjë mus’hafi, dhe 7. nga pasardhësi që kërkon falje për të pas vdekjes së tij.” [Albani në Sahihu’l Xhamii, 33596, këtë hadith e klasifikon për hasen.]

Natyrisht, nga të gjitha këto njeriu më së shumti e do fëmijën, ngase është diç e mishëruar me natyrën e tij, por jo të gjithë kanë fëmijë…dhe jo të gjithë ata që nuk kanë fëmijë janë shuar. Shuarja e njeriut në fakt është nga mungesa e veprave të mira, që do ta përjetësonin atë në këtë botë. Pasardhësit mund të jenë për vite e vite por pas një kohe kujtimet harrohen dhe bashkë me to edhe paraardhësi. Shumë nga ne mund të kenë harruar gjyshërit ani pse janë ndoshta mbi njëqind bij, bija, nipër, mbesa, stërnipër…Por, pak nga ne mund të mos dinë për Isanë dhe Jahjanë, alejhimas selam, apo për dijetarët si Shejhu’l Islam Ibni Tejmije, Imam Neveviu, Imam Taberiu[1], të cilët nuk u martuan kurrë dhe nuk lanë pas vetes fëmijë…

Këtë, më mirë mund ta kuptojmë edhe nga Kur’ani, ku tërthorazi aludohet në këtë të vërtetë. Muhammedi, alejhis selam, kishte një djalë me emrin Ibrahim, i cili ende pa mbushur 2 vjet vdiq. Si për çdo prind, edhe për Pejgamberin, alejhis selam, ndarja shkaktoi dhimbje. madje,e dhe qau Pejgamberi, alejhis selam. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë detaje nga ato momente të vështira për Pejgamberin, alejhis selam…i cili derisa shihte përpara trupin e tij të pajetë tha:

“Vërtetë, syri loton, zemra pikëllohet, por nuk themi veçse atë që e gëzon Zotin tonë. Vërtetë, ne jemi të pikëlluar për ndarjen tënde o Ibrahim!”

Por, dhimbja nuk u ndal me kaq. Hipokritët dhe jobesimtarët shfrytëzuan këto momente të rënda për ta lënduar edhe më shumë shpirtërisht Muhammedin, alejhis selam dhe për t’ia shtuar dhimbjet, ani pse ai sillej mirë me ta, sidomos në këto momente[2]. Thanë se tashmë që i ka vdekur djali, ai nuk ka më pasues, nuk ka trashëgimtar, kështu që bashkë me të do të merr fund edhe feja e tij. Menduan se Islami është i lidhur për njerëzve ndërsa harruan se ajo është feja e Allahut, e cila nuk merr fund kurrë. Allahu, për rastin në fjalë, shpalli:

“E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (el-Keuther, 3)

Ajeti jo vetëm që demantoi atë thënie por sqaroi, madje drejtpërdrejt, se ai që do të shuhet, qoftë edhe me miliona pasardhës, është ai që nuk ka besim. Ajeti është shpallë për el-As Ibni Vailin, i cili e kishte quajtur Pejgamberin, alejhis selam ‘farësosur’, e si mund të jetë i tillë -pyet Muhammed Muhammed Abdu’l Letif[3]- kur të gjithë besimtarët kanë përkatësi të tij?! Kush mund t’i ketë bërë dobi njerëzimit më shumë se Pejgamberi, alejhis selam?! Kush ka më shumë pasardhës se Muhammed Mustafaja? A nuk janë sot në botë hiç më pak se një miliardë e gjysmë pasues të tij?! Më thoni, përgjatë gjithë historisë, ka njeri që përmendet më shumë se Pejgamberi, alejhis selam?!

Pra, pasardhësi më i mirë është vepra e mirë, prej së cilës kanë dobi njerëzit. Këtë kuptim të pasardhësve e patën edhe profetët tjerë. Ibrahimi, alejhis selam u lut:

“Më bën përkujtim të mirë ndër ata që vijnë pas,” (esh-Shuara, 84)

Ibrahimi, alejhis selam u lut[4]: “O Zot! Bë që unë të përmendem për të mirë tek njerëzit që vinë pas meje deri në Kiamet!”

Për Ibrahim dhe dy bijtë e tij, Is’hakun dhe Ja’kubin (nip), Allahu thotë:

“Dhe atyre (të gjithëve) u dhamë (të mira) nga mëshira Jonë, edhe i bëmë që të jenë të përmendur për të mirë (ndër njerëz).” (Merjem, 50)

Përveç mëshirës, Allahu bëri që ata nga të gjithë pasuesit e feve qiellore të përmenden për të mirë deri në amshim[5].

Kështu, pasardhësi më i mirë për njeriun është vepra e mirë që e përjetëson njeriun dhe bën që emri i tij të përmendet për të mirë nga të gjithë. Shumë njerëz kanë vdekur por jetojnë, derisa të tjerë, edhe pse të gjallë janë të vdekur. Ky mbase është dhe ngushëllimi më i mirë për bashkëshortët që nuk kanë fëmijë./Sedat ISLAMI


[1] Shejhu Abdu’l Fettah Ebu Guddeh në librin ‘El ulema el-uzab el-ledhine atheru’l ilme ala’z zevaxh’ numëron njëzet prej emrave të mëdhenj të shkencave islame që nuk u martuan ndonjëherë por që historia përjetësoi emrat e tyre.

[2] Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se derisa Pejgamberi, alejhis selam ishte duke qëndruar me shokët e tij, kaloi pranë tyre një kufomë e një çifuti, për të cilën, në shenjë respekti, u ngrit në këmbë. Kur e pyetën për këtë veprim, ai me habi ua ktheu përgjigjen: “Po a nuk është qenie njerëzore?!”

[3] Shih: el-Hatib, Muhammed Muhammed Abdu’l Letif, (1964) Evdahu’t tefasir, f. 764. Kajro: El-Matbatu’l misrijjeh ve mektebetuha.

[4] Ibid, f. 449.

[5] Ibid, f. 370.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit