Në Kuvendin Komunal të Leposaviqit këtë të enjte është votuar që kjo komunë t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Mitrovicë, Alban Uka.
“Në këto momente në Kuvendin Komunal të Leposaviqit përmes votimit pa asnjë kundërshtim u votua që Komuna e Leposaviqit t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës! Na priftë e mbara!”, ka shkruar Uka në Facebook.
Ndryshe, në AKK ditë më parë është anëtarësuar Komuna e Mitrovicës së Veriut, në mbledhjen e jashtëzakonshme.
Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në AKK ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit. /Telegraf