-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Pas Demaçit edhe Qosja: Rugova tradhtar, armik i UÇK’së, i bënte dhurata Millosheviçit

Më të lexuarat

Ditë më parë, Mandela i Kosovës Adem Demaçi u përball me kritika të mëdha, pas deklaratës së tij që Ibrahim Rugova nuk ishte hero.

“Rugova nuk ka vdekur për kombin dhe nuk pati fuqi asnjëherë të nderojë heronjtë në Prekaz” do të shprehej Demaçi, që ka kaluar 28 vite të jetës së tij në burgjet serbe.

Deklarata e tij ngjalli debat në Kosovë, pasi një pjesë e opinionit publik (si Mark Krasniqi) e konsideron atë arkitekt të Pavarësisë.

Për “Gazeta Shqiptare”, një opinion mbi Rugovën, Demaçin dhe Krasniqin, por edhe mbi atë që ndodhi gjatë luftës e në liri, e jep prof.Rexhep Qosja, në pjesën e katërt të intervistës së tij. Ai ndalet ndër të tjera edhe në kujtimet e tij në Rambuje.

G.Sh: Këto ditë, profesor, kemi pasur rastin të lexojmë shumë shkrime, qoftë përkrahëse, qoftë sulmuese për veprimtarin e shquar politik, Adem Demaçi, pas një deklarate që ai kishte dhënë për zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe, në kuadrin e saj, edhe për shtatoren e posangritur të Ibrahim Rugovës në Prishtinë. Ç’ka mendoni ju për këtë bisedë të tij si dhe për ato që u shkruan për të?

R.Qosja: Adem Demaçi ka një cilësi të veçantë, që në atë masë nuk e ka asnjë intelektual tjetër as në Kosovë, as në Shqipëri: është jokonformist. Kjo cilësi u shpreh edhe në bisedën e tij të fundit, që i solli shumë sulme dhe shumë fyerje prej partizanëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mund të jetë edhe prej disa fundamentalistëve të llojeve të tjera. Të gjithë këta e harruan atë që e gjithë oligarkia politike e harroi prej ditës kur Adem Demaçi doli prej burgjeve serbe: harruan se Adem Demaçi ishte dhe mbetet Mandela shqiptar, ishte dhe mbetet figurë e jashtëzakonshme e historisë shqiptare, me meritat më të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kur Mandela doli prej burgut, bashkëkombësit e tij – ata që merreshin dhe ata që s’merreshin me politikë, e pritën me përkushtim të madh. I siguruan mirëqenie, këshilltarë, truproja, kushte pune dhe, në fund, e zgjodhën kryetar të shtetit. E ç’ka bëmë ne, ç’ka bënë të partishmit tanë për Mandelën tonë? E lanë shumë vite pa rrogë, pa pension, pa kushte për veprimtari politike! U harruan prej tyre që nga dita kur doli prej burgjeve të gjitha sakrificat e tij dhe u harruan sepse prijësit e partive të posakrijuara pas rënies së komunizmit në Jugosllavi, sidomos ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u frikësuan, shumë u frikësuan, se ai, Adem Demaçi, do të bëhej çka i takonte të bëhej: prijësi politik i lëvizjes kombëtare në Kosovë. Lidhja Demokratike e Kosovës e frikësuar prej autoritetit që Adem Demaçi gëzonte në popull, nxiti mospajtime, të mos them fushatë, jo gjithnjë të fshehtë, ndaj tij, por të mbuluar me frazeologji të rrejshme, të kohëpaskohshme, për meritat e tij – të shkuara! Udhëheqja e kësaj partie frikësohej prej pikëpamjeve politike të Adem Demaçit, që e kundërshtonte politikën e quajtur paqësore të Lidhjes Demokratike, e cila në thelbin e vet, siç do të dëshmohet dhe siç do të quhet më vonë edhe prej disa diplomatësh të huaj, ishte politikë nënshtruese.

G.Sh: Akademiku Mark Krasniqi tha se do të kishte qenë mirë që Demaçi të kishte vdekur para se të dilte nga burgu si kundërpërgjigje e pasi Demaçi deklaroi se Rugova nuk ishte hero…

R.Qosja: Deklarata morbide e ish kryetarit të Partisë Demokristiane të Kosovës, por trabant i Lidhjes Demokratike, Mark Krasniqi, se do të ishte mirë sikur Adem Demaçi të kishte vdekur para se të dilte prej burgut, e tregon shumë qartë panikun politik që ekzistenca e Mandelës shqiptar i shkaktonte Lidhjes Demokratike trashëgimtares së Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe mjerimin e tij njerëzor! Ibrahim Rugova ishte simboli i kësaj politike, që në të vërtetë e kishte ndërtuar Fehmi Agani, me të cilën anëtarëve të organeve qendrore dhe lokale të Lidhjes Demokratike u bëhej e mundshme të gëzonin disa privilegje materiale, që në atë kohë e në ato kushte, në atë varfëri të Kosovës, nuk ishin të vogla.

G.Sh: Pse i dalin kundër Demaçit sot?

R.Qosja: Ata deri sot kur po i shkruaj këto fjalë do të bëjnë çmos, me gojë e me shkrime, me gënjeshtra e me mashtrime, që të harrohen përbërësit politikë jetëshkrimor të “simbolit” të asaj politike, Ibrahim Rugovës, që atë e komprometojnë rëndë politikisht. Ata bëjnë çmos që të harrohet se ai ishte anëtar, që në rini, i Lidhjes Komuniste; ai ishte zëvendëssekretar dhe sekretar i organizatës themelore të Lidhjes Komuniste në Institutin Albanologjik; ai ishte veprimtar i Komitetit komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, që shfrytëzohej për tryeza, tribuna, sesione, në të cilat trajtoheshin tema politike mbi nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar pas demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore në vitin 1981; ai do ta trajtojë diferencimin politik pas demonstratave të vitit 1981 proces të gjatë për stabilizim politik e shoqëror të Kosovës; ai do të bëhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – detyrë që nuk e pranojnë disa të tjerë, i rekomanduar prej organeve partiake të Prishtinës; ai do ta regjistrojë LDKnë në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë; ai do të miratojë programin e LDKsë në të cilin Kosovës i caktohej një status më i varfër autonomie se në Kushtetutën e vitit 1974, të cilin program LDKja nuk do ta botojë në përmbledhjet e dokumenteve partiake sado është i botuar në gazetën shqipe Republika, që dilte në Slloveni; ai do të kundërshtojë demonstratat e studentëve në vitin 19971998; ai do ta kundërshtojë armiqësisht UÇKnë duke e quajtur dorë e zgjatur e Serbisë, kurse anëtarët e saj duke i quajtur njerëz të frustruar; ai do të jetë protagonist i zgjedhjeve të organizuara e të quajtura prej Lidhjes Demokratike, zgjedhje “të lira dhe demokratike”, natyrisht, nën dhunën dhe terrorin e Serbisë; ai do të zgjidhet kryetar i Kosovës, i Kosovës së pushtuar prej Serbisë së Millosheviçit, natyrisht pa kundërshtimin e Millosheviçit dhe të trabantëve të tij politikë në Prishtinë; ai në prag të fillimit të bombardimeve, në pyetjen se çka t’i thuhet popullit që të bëjë tani, në kushtet e bombardimeve, do të përgjigjet: le të bëjë sekush çka ia merr mendja atij; ai do të shkojë në Beograd, te Millosheviçi, gjatë bombardimeve, me ç’rast do t’i çojë dhurata të stolisura me kordele; ai në bisedë me Millosheviçin, me atë rast, në Beograd, do të pajtohet për formimin e qeverisë (kuislinge) në Kosovë; ai përpos të tjerësh, për funksionarë të lartë të kësaj qeverie kuislinge do të propozojë nënkryetarin e LDKsë, Fehmi Aganin dhe Iljaz Kurteshin, kurse për të gjetur kandidatë të tjerë për këtë qeveri do ta çojë në Maqedoni, ku ishin mbledhur shumë shqiptarë të zhvendosur me dhunë prej Kosovës, adjutantin e tij kryesor; ai do të takohet në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, gjatë bombardimeve, edhe me kryetarin e Serbisë, Millan Millutinoviçin, të cilit, siç do të thotë vetë Millutinoviçi, në Televizionin e Beogradit, duke e quajtur nikoqir i mirë, po ashtu do t’i çojë dhurata; ai do të kërkojë, në atë kohë, prej SHBAve dhe prej Bashkimit Evropian që të ndërpriten bombardimet kundër Serbisë; ai, me dëshirën e Millosheviçit dhe me aeroplan të Serbisë do të çohet në Itali për t’u angazhuar për ndërprerjen e bombardimeve; ai do të deklarojë në atë kohë në një televizion zviceran se Millosheviçi e jo opozitarët e tij është e vetmja figurë politike serbe me të cilin mund të bisedohet për paqe. E të tjera e të tjera. Një kritikë e fortë për Rugovën…

Po. Ja këtij njeriu, me këso të dhënash biografike politike, kryetari i Prishtinës do t’i ngrejë përmendore shumëmilionëshe në kryeqytetin e Republikës së Kosovës dhe në këtë përmendore me rastin e inaugurimit të saj për çudi do të vërë buqetë lulesh kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryeministri i Kosovës, përfaqësuesi politik i UÇKsë gjatë Luftës, Hashim Thaçi! Se këtë përmendore e bën ishzyrtari komunal dhe krahinor në kohën e terrorit të Millosheviçit në Kosovë, Isa Mustafa, nuk është e çuditshme, por e çuditshme, shumë e çuditshme, është, pse në të vë buqetë lulesh nxënësi shpirtëror dhe politik i Adem Jasharit dhe përfaqësuesi politik i UÇKsë në kohë të Luftës, Hashim Thaçi!

E çuditshme ishte po ashtu, se te varri i këtij njeriu për nderime shkojnë, me lule e pa lule, edhe disa figura politike nga Kosova dhe Shqipëria. Këta mund të mos i dinë të dhënat e paraqitura në këtë bisedë për sjelljet e mjerueshme, tradhtare të këtij njeriu para Luftës dhe, sidomos, gjatë Luftës në Kosovë, por ata e dinë se ndërkombëtarët prej fillimeve e përdornin për qëllimet e tyre në ishJugosllavi: për mbajtjen e Kosovës në kuadrin e Serbisë. E Kosova në kuadrin e Serbisë mund të mbahej vetëm me atë politikën paqësore, në të vërtetë nënshtruese, fyese për dinjitetin e popullit shqiptar, që bënte që një polic serb t’i dëbonte për tre minuta treqind shqiptarë prej tregut të Prishtinës, me ato “zgjedhjet e lira e demokratike” nën çizmen e Millosheviçit dhe me zgjedhjen kryetar, në të vërtetë, bajraktar të Kosovës së pushtuar e të nënshtruar të atij njeriu për të cilin përfaqësuesja e SHBAve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, zonja Xhejn Kirkpatrik, kishte thënë pas një takimi memzi të siguruar për takim me të: “Po ky qenka i mjerë; ky s’po merrka vesh asgjë në politikë”.

G.Sh:Çfarë u tha në Konferencën e Rambujesë, ku ju keni qenë i pranishëm?

R.Qosja: Në Konferencën e Rambujesë delegacionit të Kosovës do t’i bëhet trysni e madhe për t’u pajtuar me atë “zgjidhje” që e lente Kosovën nën sovranitetin e Serbisë; se Bernar Kushneri do t’iu thotë tre anëtarëve të Këshillit Administrativ të Kosovës, Hashim Thaçit, Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Qosjes, pasi Millosheviçi i humb zgjedhjet në Serbi: “Ne jemi këtu (në Kosovë) jo për Kosovën po për të rrëzuar Millosheviçin”; se SHBAtë do të vendosin të shpallet Kosova e pavarur në vitin 2002.

Të gjitha këto të vërteta, prandaj e bëjnë vënien e buqetave të luleve në varrin dhe në përmendoren e Ibrahim Rugovës, të ngritur me rrenat, mashtrimet dhe falsifikimet e dhunuesve të historisë së Kosovës, prej figurave politike shqiptare akt kundërhistorik kurrë të mirëkuptuar në historinë e Kosovës.

Adem Demaçi e quajti Ibrahim Rugovën antihero dhe frikacak. Të dhënat për sjelljet politike të këtij njeriu disa vite para Luftës dhe gjatë Luftës, domethënë në kushtet më dramatike për popullin shqiptar në Kosovë, për çdo popull historik nuk janë frikë po tradhti – tradhti, që me procedurë të shpejtuar e dënojnë gjykatat ushtarake të çdo populli historik. Kaq kësaj here.

Po për qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës e të partive satelite të saj ndaj Adem Demaçit pas daljes prej burgut, për politikën e quajtur paqësore të Lidhjes Demokratike e të partive satelite të saj dhe për qëndrimet e veprimet politike e të tjera të udhëheqësve të LDKsë e të partive të tjera satelite të saj, sidomos të Ibrahim Rugovës të vërtetat e plota do të mund të mësohen vetëm kur të hapen e të shfrytëzohen arkivat e Serbisë, ku janë çuar, si po thuhet, të gjitha dosjet e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës e, mandej, edhe arkivat e disa shteteve perëndimore, para së gjithash të SHBAve, të Gjermanisë, të Britanisë së Madhe e të Francës. Deri atëherë qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo qofshin do të ushqehen me gënjeshtrat, shpifjet, me mashtrimet, falsifikimet e shumëllojshme që vazhdojnë t’ua qesin përpara propagandistët e Lidhjes Demokratike e të disa ish-partive satelite të saj. (Gazeta Shqiptare)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit