3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Partitë politike premtuan ‘përralla’, humbin besimin

Më të lexuarat

Partitë politike, vlerësohet se po e humbin në vazhdimësi besimin e qytetarëve të Kosovës. Këto të dhëna dalin si rezultat i sondazheve, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

Korrupsioni, nepotizmi, pasurimet e dyshimta, mungesa e ndëshkimit penal e deri te premtimet pa asnjë mbulesë, veçohen si faktorët që kanë ndikuar në rënien drastike të besimit te partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre në institucionet e shtetit, në të dyja nivelet.

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë kryesisht dy lloje të deklaratave pa asnjë mbulesë, që liderët dhe politikanët kosovarë i bëjnë, qoftë gjatë fushatave zgjedhore apo ushtrimit të mandatit në institucione.

“Të parat, janë deklarata dhe premtime të cilat bëhen pa një mbulesë dhe jashtë kompetencave të bartësve të këtyre posteve”.

“Pra, janë premtime që nuk mund të realizohen dhe nuk varen në vullnetin e këtyre politikanëve dhe lloji tjetër i premtimeve e deklaratave, të cilat nuk janë realiste, siç ishte rasti me deklaratat për krijimin e 200 mijë vendeve të punës”, thotë Krasniqi.

Deklarata e tilla, sipas Krasniqit, prodhojnë disa efekte. Së pari, ai thotë se përmes tyre dëmtohet konkurrenca mes partive politike në fushatë dhe nxitë edhe partitë tjera që t’i shtojnë premtimet pa mbulesë, por që në anën tjetër si pasojë negative sjell rritjen e mosbesimit te votuesit.

“Çfarëdo dalje e ulët në zgjedhje, përveç që dëmton legjitimitetin e partive politike u jep mundësi më shumë këtyre partive të cilat nuk janë serioze dhe nuk i bartin përgjegjësitë të cilat i kanë marrë nga qytetari të mos i ushtrojnë në institucione”, ka thënë Krasniqi.

Duke u thirrur në hulumtimet vendore e ndërkombëtare, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O’Connell thotë së humbja e besimit te partitë politike, do të duhej të përbënte një shqetësim të madh.

“Është shqetësim i madh që njerëzit në Kosovë ju besojnë më së paku partive politike. Po ashtu është shumë keq që personat e akuzuar për krime vazhdojnë të qëndrojnë nëpër parti politike”, ka thënë ambasadori britanik.

Këtë deklaratë ambasadori O’Connell e ka dhënë në konferencën “Lansimi i programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë”, ku kishte dalë si rezultat se partive politike u besohet më së paku në Kosovë.

Marrë parasysh deklaratat pa mbulesë të liderëve e përfaqësuesve politik, Albert Krasniqi thotë se mediat, shoqëria civile dhe publiku në përgjithësi, duhet t’i mbajë përgjegjës ata liderë dhe ato parti politike që politikën e tyre e mbështesin në një strategji të tillë premtimesh, të cilat në asnjë rast nuk mund t’i realizojnë.

Në fushatën e vitit 2014, kryetari i Lidhjes Demokratike, aktualisht kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte premtuar edhe ndërrimin e simboleve të shtetit nëse LDK do të vinte në pushtet.

“Ne do t’ia kthejmë Kosovës flamurin dardan që e keni përpara, si flamur shtetëror të Republikës së Kosovës, të cilin e propozoi presidenti Ibrahim Rugova. Ne do t’ia kthejmë Kosovës, me pëlqimin e të gjithëve, himnin “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, që po ashtu e deshi Rugova”, pati deklaruar Mustafa.

Ndërkohë që nga premtimet pa mbulesë, analistët veçojnë edhe ato të ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, tani presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi për krijimin e 200 mijë vendeve të punës.

Thaçi, edhe nga pozita e presidentit, vlerësohet se doli mjaftë kontravers me premtimet e tij për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Këto ditë është thënë qartë se Lista Serbe nuk do të votojë kurrë për ushtrinë e Kosovës, pasi ata punojnë me interesa të Qeverisë së Serbisë. Kjo do të thotë që ne nuk mundemi të shkojmë me ndryshimet kushtetuese, por me projektligj”, kishte deklaruar fillimisht Thaçi.

Por, pas presioneve ndërkombëtare, Thaçi e ndërroi mendjen dhe deklaratën, duke thënë se ende kishte hapësirë për negociata me serbët.

“Unë konsideroj se institucionet tona ende e kanë kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.

Nisur nga premtimet pa ndonjë plan zbatimi në praktike, analisti nga Demokraci Plus, Driton Selmanaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në të kaluarën, votuesit edhe mund t’u besonin premtimeve pa asnjë mbulesë të liderëve dhe partive politike.

Por, për rrethanat aktuale, ai thotë se elektorati është i vetëdijesuar çka e dëshmojnë edhe sondazhet e ndryshme të cilat partitë politike i rendisin si më së paku te besueshmet në Kosovë.

“Po del që besimi ndaj institucioneve dhe partive politike është minimal dhe se trendi tregon rënie të vazhdueshme. Ky është rreziku më i madh”.

“Në shoqëritë të cilat nuk besojnë në elitat e tyre politike, në institucionet publike, ekziston rreziku i daljes nga kontrolli, rreziku nga veprimet jo racionale, jodemokratike, sepse një shoqëri e mbanë kompakt besimi reciprok”, ka thënë Selmanaj.

Një gjendje e tillë mos besimi, i shtyn më pas votuesit që të mos dalin në zgjedhje, çka sipas Selmanaj, vërehet rënie e përqindjes së daljes në zgjedhje nga procesi në proces.

Partitë politike po ballafaqohen me krizën e ofrimit të ofertave serioze zhvillimore, thekson Selmanaj. Andaj sipas tij, kur dëgjohen premtime të tilla, njeriu mund të mendoj se po dëgjon përralla.

Krahas partive në pushtet, edhe opozita, sipas Selmanajt, në vend se të ofrojë një program zhvillimor prezanton vetëm qasje ndryshe për proceset e mëdha politike, por të cilat nuk e përmirësojnë me asgjë jetën e qytetarëve të vendit.

“Opozita në vend që ta sfidojë qeverinë me ofertë konkrete programore për zhvillimin e vendit, opozita ka zgjedhur tema nacionale si Asociacioni, Demarkacion i FSK-ja, e kështu me radhë, që të bëj opozitën. Por, kjo nuk është ofertë. Kjo tregon për ndërrim të qasjes, por jo atë të zhvillimit, të cilën populli i Kosovës e pret dhe e dëshiron”, vlerëson Selmanaj.

Krahas defekteve tjera me të cilat po ballafaqohen partitë politike në Kosovë, ato janë kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtar edhe për mungesë transparence, fshehje të fondeve dhe për pengim të reformave demokratike. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit