Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, ka përcjellë mesazhin e urimit për besimtarët myslimanë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, ka përcjellë mesazhin e urimit për besimtarët myslimanë, ku citon se: “Dita e nesërme shënon fillimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, nisjen e sakrificave, reflektimit dhe dhënies së provave pafund të forcës së besimit.
Me këtë rast dëshiroj t’ju uroj nga zemra një agjërim sa më të lehtë e të mbarë! Si dhe të nënvizoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ky Rit shumëshekullor ka për shpirtrat e miliona besimtarëve anembanë botës, për forcën e brendshme të tyre si dhe për kthjellimin e mendjeve të tyre duke farkëtuar gjithmonë e më shumë besimin te i Plotfuqishmi.
Sakrificat tuaja të përditshme gjatë gjithë këtij Muaji të shenjtë rrisin dhe jetësojnë mrekullinë sa hyjnore aq edhe tokësore të besimit tuaj të palëkundur duke rritur nëpërmjet sprovave dashurinë për njëri-tjetrin, dhembshurinë e mëshirën për më të pafatët.
Ju uroj edhe njëherë një Ramazan sa më të lehtë, duke qenë i sigurt dhe i bindur se në përfundim të tij do të jemi të gjithë me mendje dhe shpirt të pastër e të kulluar, dhe bota e njerëzimi do të jenë edhe më të mirë!”, përfundon urimi i Presidentit.
Edhe Kryeministri Edi Rama i ka uruar sot të gjithë besimtarëve myslimanë gëzuar Muajin e Ramazanit duke postuar në Facebook, një foto të Xhamisë së Gjin Aleksit në Delvinë.
“Mirëmëngjesi dhe ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë gëzuar Muajin e Ramazanit, me këtë foto të Xhamisë së Gjin Aleksit në Delvinë. Ky monument kulture i ndërtuar rreth viteve 1600, xhami e njohur për sistemin e përkryer akustik dhe gërshetimin e kulturës vendase me atë post-bizantine e otomane, po i nënshtrohet për herë të parë restaurimit të plotë falë bashkëpunimit të shkëlqyer të Ministrisë së Kulturës me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Agjërim të lehtë!”, shkruan kryeministri Rama.
Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë për një agjërim të lehtë dhe të shëndetshëm!
Ai uron që ky muaj i sakrificës të sjellë në zemrat e tyre më shumë dashuri për njëri-tjetrin, më shumë paqe sociale dhe besim, më shumë gëzim në familjet e tyre dhe shëndet e më shumë solidaritet për të gjithë ata që sot ndjejnë nevojë për më shumë vëmendje, përkujdesje e përkushtim.
Sot fillon muaji i Ramazanit për të përfunduar më 24 Qershor. Data 25 Qershor shënon dhe festën e Fiter Bajramit.