1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

PARATHËNIA E IBËN MAXHES-Kapitulli i dyte-vazhdim

Më të lexuarat

5Hadithi nr. 17

Transmetohet nga Abdullah ibën Mugaffel se ai ishte ulur pranë djalit të vëllait të tij dhe ai gjuajti me gur. Abdullahu e ndaloi atë dhe i tha se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka ndaluar nga kjo dhe ka thënë: “Ai, guri, nuk gjuan gjahun dhe nuk e dëmton armikun, por vetëm thyen dhëmbin dhe verbon syrin.” Djali i vëllait filloi prapë të gjuajë me gur dhe atëherë (Abdullahu) i tha: “Të tregoj se i Dërguari e ka ndaluar, kurse ti prapë kthehesh e gjuan?! Nuk do të të flas më kurrë! Hadith sahih-autentik.

E transmetojnë Buhariu (“Kitabu edh-dhebaih ves-sajd –babu el hadhf vel bundukatu” nr. i hadithit 5479), Muslimi (“Kitabus-sajd vedh-dhebaih, babu- ibahat ma justeanu bihi ala el istijadi vel aduv-vi, ve kerahetul hadhfi”, nr, i hadithit 5026).Gjithashtu e transmetojnë edhe të tjerë, ndër ta edhe ibën Maxheh. Ky hadith me këtë shprehje është në Muslim.

El Munavij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “El-hadhf është të hidhet guri i kapur mes gishtit të madh dhe atij tregues.”

Ndërsa ibën Bet-tali, Allahu e mëshiroftë, thotë: “El-hadhf është gjuajtja e gurit apo shkopit me dorë.”

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith tregon se gjuajtja me gur është e ndaluar sepse nuk ka dobi në të dhe gjithashtu prej saj mund të vijë e keqja. Këtë rregull e merr çdo gjë që i përngjan gjuajtjes së gurëve.”

Me këtë ndalesë është për qëllim nëse gjuajtja e gurit bëhet në drejtim të njeriut apo ndonjë kafshe apo edhe nëse janë afër, edhe nëse gjuajtja nuk është në drejtim të tyre, sepse nga kjo gjuajtje nuk ka kurrfarë dobie, përveçse mund të shkaktojë dëmtimin e njeriut apo edhe të kafshës, si për shembull t’i thyhet dhëmbi, t’i verbohet syri ose t’i shkaktohet plagë në trup. Mirëpo nëse gjuajtja bëhet kur nuk është prezent askush apo në hapësirë, në natyrë, në drejtim të lumit apo detit etj., hadithi këtë nuk e përfshin. Allahu e di më së miri.

Nga ky hadith kuptojmë se muslimani në jetën e tij çdo gjë që vepron duhet ta konsiderojë se është duke bërë diçka në dobi të përgjithshme ose në të mirë të vetes ose të Islamit etj., e jo të bëjë ndonjë vepër prej së cilës nuk ka asnjë dobi as në këtë botë e as në botën tjetër.

Imam Neveviu thotë: “Në këtë hadith tregohet se lejohet bojkotimi i pasuesve të bidateve dhe kundërshtarëve të Sunnetit kur ata e njohin Sunnetin dhe e kundërshtojnë atë dhe ky largim prej tyre mund të jetë i përhershëm. Mund të mos i flasësh vëllait musliman për më shumë se tri ditë, por kur nuk i flet për qëllime personale dhe çështje të kësaj bote, ndërsa karshi pasuesve të bidateve lejohet të mos i flasësh edhe më shumë. Ky hadith përforcon disa hadithe të tjera të ngjashme me të, siç është edhe ngjarja e Ka’b ibën Malikut.”

Gjithashtu në këtë hadith tregohet një mënyrë nga mënyrat se si të ndryshohet e keqja, d.m.th. në këtë rast duke mos i folur tjetrit, nëse ajo bën dobi. Në rast të kundërt nuk lejohet të mos i flitet muslimanit, por ai duhet mësuar dhe këshilluar, por kjo varet krejt nga personi i cili vendos të mos i flasë dikujt dhe nga personi i braktisur. Në këtë çështje shikohet a ka dobi apo jo, sepse nganjëherë me braktisjen e dikujt e keqja vetëm sa shtohet edhe më shumë, ndërsa nganjëherë e keqja largohet dhe i braktisuri kthehet dhe pendohet. Për këtë shembullin më të mirë e kemi tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kur disa shokë të tij të afërt bënin diçka në kundërshtim me Islamin, për t’i mësuar sillej ashpër me ta, siç është rasti kur e pa njërin se kishte unazë ari. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ia hoqi unazën nga gishti dhe ia hodhi duke mos i folur. Por ndodhte të sillej butë me të huajt dhe munafikët, në mënyrë që t’i kthente në Islam. Rasti i Ka’b ibën Malikut me dy shokët e tij është shembulli më i mirë. Edhe pse ishin nga muslimanët e sinqertë, vetëm pse munguan pa arsye në njërën nga betejat vendimtare të Islamit, Allahu e urdhëroi të Dërguarin që t’i braktisë ata për një kohë të caktuar, ndërsa munafikët, edhe pse e kundërshtonin të Dërguarin ditë e natë, i Dërguari nuk i bojkotoi dhe sillej mirë me ta. Këtu shfaqet shumë qartë dobia dhe dëmi i bojkotimit të muslimanit dhe realiteti se dobia dhe dëmi duhen pasur parasysh gjatë braktisjes së dikujt. Për këtë temë janë shkruar shumë shkrime, por ne u munduam që të japim rezymenë e kësaj çështjeje, Allahu e di më së miri.

Sa i përket gjuajtjes së gjahut me gur apo ndonjë mjet të mprehtë, dijetarët kanë rënë në mospajtim rreth lejimit të tij. Ata që e ndaluan thanë se kjo konsiderohet vrasje e gjahut dhe Allahu e ka ndaluar ngrënien e mishit të gjahut të vrarë, mirëpo ibën Mulekini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Rastet e gjahut të gjuajtur me ndonjë mjet janë tre: dy të lejuara dhe një e ndaluar. Dy rastet e lejuara janë: a) nëse me sendin e gjuajtur (qoftë shtizë, thikë, sëpatë, shpatë etj.) e vret gjahun me anën e mprehtë të tij duke i derdhur gjakun, ai lejohet edhe nëse nuk arrihet të theret gjahu; b) nëse e qëllon me anën e rrafshët të mjetit gjuajtës, por arrin ta therë para se të ngordhë gjahu. Ndërsa rasti i tretë, kur është e ndaluar ngrënia e mishit të tij, është nëse e godet gjahun me pjesën e rrafshët të mjetit gjuajtës dhe nuk arrin ta therësh gjahun para se të ngordhë.”

Referencat:

1.”Sunen Ibёn Maxheh” me verifikim tё haditheve, nga dijetari shqiptar Muhamed Nasirudin Albani, me përkujdesjen e dijetarit Mesh’hur ibёn Hasen Al Selman. “Mektebet el mearif-Rijad”. Botim i parё.

2. “Fet’hul Barij sherhu Sahih el-Buhari”, Ibën Haxher El Askalani, “El Mektebetu el-asrije”, pa vit botimi.

3. “El-minhaxh sherh Sahih Muslim ibën Haxhaxh”, Neveviu, me verifikim të shejh Halil Me’munë Shejha, Darul Ma’rife-Bejrut, pa vit botimi.

4. “Fejdul Kadir”, sqarimi i “Xhami’Sagir” të imam Sujutit, autor Abdurreuf El Munavij.

5. “Et-tevdih li-sherh el xhami’ es-sahih”, autor ibën Mulek-kin, me verifikim

nga “Darul fellah”, me përkujdesjen e Halid Err-Rrabat dhe Xhum’a fet’hi. Botimi i parë 2008.

6. “Sherh Sahihul Buhari”, autor Ali ibën Halef, i njohur si Ibën Bet-tal, me verifikim të Ebu Temim Jasir ibën Ibrahim, Mektebet Err-Rruzhd, Riad, botimi i parë 1420 h

Pӫrgatiti: Mr. Fidan XHELILI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit