Policia e Kosovës njofton se sot ka parandaluar një rast të kontrabandës me emigrantë në pikën kufitare në Vërmicë.
Në njoftim bëhet e ditur se rreth orës 05:30, patrulla policore nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Vërmicë, ka ndaluar një automjet, (auto-ambulancë) me targa vendore dhe gjatë kontrollimit, në automjet janë hasur gjashtë emigrantë ilegalë.
Tre nga ta thuhet se janë shtetas sirianë, ndërsa tre të tjerë nga Bangladeshi.
“I dyshuari mashkull, shtetas kosovar, i moshës 45 vjeçare është ndaluar dhe për këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prizren”, thuhet në komunikatën për media.
Rasti bëhet e ditur se do të trajtohet nga njësitet relevante policore dhe emigrantët do të trajtohen në bazë të procedurave. /Telegrafi/