-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Paralajmërohen masa të reja kundër pandemisë

Më të lexuarat

Në javën e ardhshme në Kosovë pritet të hyjnë në fuqi masat e reja kundër koronavirusit, kanë paralajmëruar nga sektori i gastronomisë, ku pritet të përfshihet edhe dëshmia e vaksinimit për të marrë pjesë në disa aktivitete.

Nga Shoqata e Gastronomëve dhe Oda e Hotelierisë dhe Turizmit thanë se pas takimeve me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, përveç qytetarëve edhe stafit të sektorit të gastronomisë, do t’u kërkohet që të dëshmojnë se janë vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-COVID, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar, përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, tha Oda e Hotelierisë dhe Turizmit.

Ndërkaq, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës paralajmëroi se do të ketë ndryshime edhe sa i përket orarit të punës.

“Orari i operimit të bizneseve do të rritet deri në ora 12:00 të mesnatës, sipas rregulloreve komunale, e po ashtu vlen e njëjta edhe për klubet e natës të cilat do të funksionojnë deri në ora 03:00 të mëngjesit, duke mundësuar një operim më të lehtë për të gjitha domenet e gastronomisë”, njoftoi kjo shoqatë.

Nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë konfirmuar këto masa të reja, por ministri Vitia, gjatë seancës plenare të së premtes, paralajmëroi se janë duke shqyrtuar masat e reja kundër pandemisë.

Ditëve të fundit, në Kosovë janë rritur rastet me koronavirus dhe të premten Kosova regjistroi 271 raste të reja me COVID-19. Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve në Kosovë janë me variantin Delta.

Infektimet sipas grupmoshës.
Infektimet sipas grupmoshës.

Varianti Delta, që është bërë dominues në Kosovë, është më ngjitës. Por, studimet e fundit sugjerojnë se personat e vaksinuar, në rast se infektohen me këtë variant, kanë simptoma më të buta të sëmundjes COVID-19.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit