-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Paralajmërimet për grevë, flasin ekspertët e arsimit: Veprimet e sindikatës vrastare për arsimin dhe të ardhmen e vendit

Më të lexuarat

Ndonëse kanë mbetur edhe disa ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar se do të mbajnë grevë pa afat, duke filluar nga data 24 ose 25 gusht, për shkak të siç thonë mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës. E lidhur me këtë njohës të çështjeve të arsimit në një deklaratë për Telegrafin vendimin e SBASHK-ut e quajnë të paarsyeshëm dhe vrastarë për arsimin si dhe për të ardhmen e vendit.  

Njohësi i fushës së arsimit, Halim Hyseni, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se veprimet e sindikatës janë bërë vrastare për arsimin e Kosovës dhe sipas tij kërcënimet dhe shantazhet për greva nuk janë në dobi të mësimdhënësit dhe as të nxënësit.

“Veprimet e sindikatës janë bërë, më vjen që jam duke përdorë fjalë jo të përshtatshme, ‘vrastare’ për arsimin e Kosovës dhe për të ardhmen e këtij vendi. Kërcënimet dhe shantazhet për greva nuk janë as në dobi të mësimdhënësit, as të sindikatës dhe janë jashtëzakonisht të dëmshme për fëmijët tanë, të cilët do të vazhdojnë të tregojnë rezultate të dobëta në të ardhmen në të gjitha programet e ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Tutje Hyseni u shpreh se faktori kryesor “pse nxënësit nuk po tregojnë sukses”, janë veprimet sindikale, për të cilën tha se është shndërruar në një lloj oligarkie.

Halim Hyseni, njohës i çështjeve të arsimit

“Faktori kryesor pse nxënësit tanë nuk po tregojnë sukses janë veprimet sindikale e cila është shndërruar në një lloj oligarkie, për përfitimet e veta, të anëtarëve të sindikatës, në një mënyrë kanë korruptuar dhe personelin e arsimit, pasi ata mendojnë që është në interes të tyre, e kjo nuk është në interes të tyre. Sindikata gjithmonë ka vepruar si një lloj makinerie për fushata elektorale…Kjo gjithmonë ka fituar benefite nga partitë politike”, ka thënë ai.

Tutje Hyseni u shpreh se ka vërejtje edhe për qeverisjen aktuale. Ai tha se kontrata kolektive e nënshkruar para disa vite për shkak të benefiteve që janë paraparë nuk do të mund t’i përballonte as SHBA-të, e lëre më Kosova.

“Kam vërejtje edhe në qeverinë e tashme. Edhe qeveria a po frikësohet apo ka diçka tjetër nuk e di, por ka mjaft argumente që qeveria e tashme ta padit sindikatën për kontratën kolektive në të cilën është paraparë që qytetarët e Kosovës ta financojnë SBASHK-un. Askund në botë nuk tatohet qytetari për ta mirëmbajt një sindikatë”, tha Hyseni.

Ai vlerësoi se edhe prindërit duhet të reagojnë me grevën e SBASHK-ut.

“Sindikata ose duhet të ndalet dhe nëse nuk ndalet me këto veprime, arsimi i Kosovës nuk mund të dal fare nga kriza, pasi është bërë peng i SBASHK-ut. I kemi dhe prindërit tanë të papërgjegjshëm, sikurse ata të ishin të vetëdijshëm në atë se çfarë po ndodh në arsim, ata do të ngriheshin në këmbë dhe do të kërkonin që kjo sindikatë të falimentojë dhe dikush të marr përgjegjësi, dhe të formohej një sindikatë e re që të punoj në të mirë të klientëve, e klientët janë nxënësit”, vlerësoi ai.

Hyseni tutje theksoi se SBASHK-u që nga viti 2014 ka vepruar në bashkëpunim me partitë politike në pushtet dhe në dëm të edukimit dhe arsimit të Kosovës.

“Komplet çka vepron sindikata nga viti 2014 në bashkëpunim me partitë politike në pushtet, kanë qenë drejtpërdrejt në funksion të zgjedhjeve dhe në dëm të edukimit dhe arsimit të Kosovës”, theksoi njohësi i çështjes së arsimit.

Edhe Rinor Qehaja, për Telegrafin vlerësoi se SBASHK-u nuk ka arsye për grevë, edhe pse siç tha ai mësimdhënësit meritojnë paga të dinjitetshme.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit

“Me koeficientet e propozuar në Ligjin e ri për paga për mësimdhënës nuk besoj që SBASHK ka arsye për grevë, sikurse që nuk ka arsye as ndërprerje e procesit mësimor për shkak të shujtave deri në miratim të plotë të Ligjit për paga. Jam shumë i bindur në vullnetin e mirë të mësimdhënësve për fillim të vitit të ri mësimorë. Mësimdhënësit tanë meritojnë paga të dinjitetshme dhe kjo nuk mund të mohohet”, tha ai.

Qehaja tutje u shpreh se kërcënimet për greva duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.

Sipas tij, profesioni i mësimdhënësit duhet të kthehen në veprimtari me interes shtetëror me reagime sindikale të kufizuara.

“Është po ashtu e rëndësishme që ky cikël i ri përsëritshëm i kërcënimeve për greva të merr fund njëherë e përgjithmonë, rishikimi i ligjit për greva është domosdoshmëri, profesioni i mësimdhënësit duhet të kthehen në veprimtari me interes shtetëror me reagime sindikale të kufizuara”, tha ndër të tjera Qehaja.

Ndryshe, në ditën kur BSPK dhe SBASHK-u mbajtën konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kishte pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Jeton Demi.

Siç njoftohet, në takim është diskutuar për çështje të rëndësishme në arsim, ndryshimet e nevojshme legjislative në këtë sektor dhe ato të cilat janë në proces të ndryshimit, përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023, si dhe të drejtën e nxënësve për të vijuar mësimet pa asnjë pengesë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë akterët, përfshirë edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës, marrë parasysh rëndësinë që ka roli i prindërve në të gjitha proceset në arsim.

Sipas një komunikate të MAShTI, Nagavci dhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi u pajtuan që çdo kërkesë e arsyeshme dhe e argumentuar të shtyhet përpara, në mënyrë që ky këshill të jetë sa më efektiv në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që ka.

Më poshtë mund t’i lexoni kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme

Përcaktimi i Pagës Minimale

Miratimi i Ligjit për Paga

Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit