Bindja e kryeministrit për një mandat të katërt që kalon nga teknologjia
Është e qartë tashmë tërheqja e Ramës ndaj Emirateve, këtij shteti arab të Gjirit, të cilit i referohet për shumëçka e që tashmë, me ndihmën e tij, synon të shkojë drejt parasë së prodhuar në vend.
Duke folur në një konferencë rajonale me titull “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama deklaroi:
“Jemi duke përgatitur dhe besoj që do ta firmosim javët e ardhshme një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për të transformuar tërësisht letrat me vlerë. Ambicia jonë është që të prodhojmë paratë në vend, të gjitha llojet e letrave me vlerë”, tha kryeministri.
Ndërsa politikisht, ai e quajti fakt të kryer mandatin e katërt, vijimin e qeverisjes edhe pas 11 majit zgjedhor të vitit të ardhshëm.
“Në modelin e AI që po ndërtojmë, besoj se në mandatin tonë të katërt ne do jemi vendi i parë që do realizojmë prokurime 90% me AI, dhe me nivel të pakonkurrueshëm. Kjo do jetë një tjetër arritje falë kësaj mundësie që na jep teknologjia”, tha ai. /tesheshi.com/