Fraza sfiduese e Ramiz Alisë për Kadarenë në ’90-ën
Arkivi Shqiptar sjell në kujtesë një letër që ish-udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia, i ka dërguar shkrimtarit Ismali Kadare, duke patur aty frazën sfiduese “Mos harro atë ç’ka bërë shoku Enver për ty”.
E gjitha kishte të bënte me trazimet e para të regjimit, i cili do merrte si goditje dhe ikjen rebeluese të Kadaresë në Francë, në tetor 1990, pak muaj pas hapjes së ambasadave.
“Si sot, më 21 maj 1990, Ramiz Alia i shkruante Ismail Kadaresë ‘Mos harro atë ç’ka bërë shoku Enver për ty’.
Në maj 1990, Kadare e Alia mbanin një korrespondencë në terma politikisht korrektë. Ndërsa, në muajt që do të pasonin, në diskursin publik në Shqipëri do të diskutohej me theks linçues ndaj shkrimtarit, i cili në vjeshtë të atij viti, pati kërkuar azil politik në Francë.
‘Me këtë akt të shëmtuar ai braktisi popullin e atdheun duke u shëbyer armiqve të Shqipërisë, të popullit shqiptar’, shkruante Xhelil Gjoni në një telegram drejtuar Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë.
Në një mbledhje të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë më 29 tetor 1990, janë zhvilluar biseda me ‘të rinj e intelektualë’, ku mbaheshin qendrimi mbi ‘problemin Kadare’. ‘-I. Kadare iu përgjigj në mënyrë të poshtër akuzave të Perëndimit se gjoja ai ishte shkrimtar oborri në Shqipëri, duke shkuar pikërisht në oborrin e Perëndimit…Me ‘Ftesë në studio; I.K e dha sinjalin për tundimin e tij, ku parashtronte mënyrat dhe frikën se si një shkrimtar i sotëm mund të vritet nga Parisi. Me këtë libër sikur lë testamentin e shkëputjes nga Shqipëria.’- citohet të jetë thënë ndër të tjera”, shkruan Arkivi, duke sjellë më pas në vëmendje arritjet e Kadaresë.
“Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (‘Man Booker Prize’, ‘Princi i Asturias’ etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin ‘Nderi i Kombit’, si edhe nga shteti francez me urdhrat ‘Kryqi i Legjionit të Nderit’ e ‘Oficer i Legjionit të Nderit’.
Kadare ka përëbërë gjithnjë një debat në elitën shqiptare, për atë nëse ka qenë shkrimtar oborri apo një “i mbijetuar” si disident i kamufluar?
Kundërshtari më i madh i veprës së tij, i cili e cilëson tipikisht shkrimtar oborri, ka qenë e mbetet Fatos Lubonja. /tesheshi.com/