1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Panteoni i Berlinit “House of One” – Justinian Topulli

Më të lexuarat

nga hoxhë Justinian Topulli

Panteon është një fjalë me origjinë greke që do të thotë “gjithë perënditë”, dhe në kulturat politeiste apo pagane, veç të tjerash, panteoni ishte një godinë ku vendoseshin të gjithë idhujt, apo perënditë dhe hyjnitë që adhuroheshin dhe njiheshin si zota. Kjo praktikë ishte një lloj sinkretizmi fetar ku çdokush mund të gjente dhe t’i lutej hyjit të tij apo të gjithëve bashkë. Në disa kultura hyjnitë dhe zotat e ndryshëm shihen si shpërfaqje të të njëjtit Zot, ndaj të adhurosh njërin prej tyre është sikur e ke adhuruar vetë Njëshin apo edhe reflektimet e tjera të tij.

Gjithsesi, pa u zgjatur shumë dhe pa hyrë në thellësi të doktrinave politeiste, panteiste, moniste etj., mund të themi se p.sh. në Romën e lashtë kishte një godinë të tillë, e cila ekziston edhe sot, e cila shërbente si një vend kulti ku mblidhte të gjitha perënditë romake. Ky objekt më pas u kthye në një kishë katolike dhe i tillë ka mbetur deri sot. Të krishterët nuk mund të pranonin që të përfshinin Zotin e tyre në një tempull të tillë pagan, por e zbrazën atë nga të gjitha hyjnitë romake dhe e kthyen atë vetëm në kishë, ku adhurojnë Zotin e tyre.
Qabeja në Mekë edhe pse qe ndërtuar nga Profeti Ibrahim (alejhi selam) si një vend adhurimi vetëm për një Zot, për Krijuesin e vetëm të kësaj bote, ajo me kalimin e kohës u shpërfytyrua në një panteon ku adhuroheshin edhe 360 idhuj, të cilët ishin vendosur në të. Kur Allahu dërgoi Profetin e Tij të fundit, me të cilin shfuqizoi (abrogoi, anuloi) të gjitha fetë e mëparshme dhe përcaktoi atë si udhërrëfyesin përfundimtar dhe të vetëm të njerëzimit, e urdhëroi të pastronte Shtëpinë e Tij, Qabenë, nga idhujt dhe perënditë e tjera dhe t’i rikthente asaj funksionin monoteist që kishte pasur që në gjenezë të saj.

Panteoni dhe monoteizmi islam nuk bashkëjetojnë dot bashkë në të njëjtin objekt kulti, sepse Islami nuk e pranon vërtetësinë e asnjë feje tjetër, për më tepër fe të cilat kanë në doktrinën e tyre shirk, siç është triniteti etj. Kështu që panteoni i Berlinit është një sinkretizëm i dështuar fetarisht dhe duhet refuzuar si model i gabuar dhe absolutisht i panevojshëm fetarisht për synimin që trumbetohet.

Dialogu, mirësjellja, paqja, toleranca dhe bashkëjetesa me ithtarët e feve dhe besimeve të tjera, nuk kanë absolutisht nevojë, por fare ama, për të tilla risi heretike. Për më tepër kush jep garanci se ndonjë musliman që falet aty nuk konvertohet në një fe tjetër, apo së paku beson se këto fe të tjera janë njëlloj dhe shpëtimtare si Islami? E kjo është një tjetër pasojë negative e të tilla nismave absurde, të paprecedente në historinë e Profetit dhe brezave të parë të Islamit, që kanë bashkëjetuar me të krishterët dhe hebrenjtë në të njëjtat vende dhe kishin të njëjtat nevoja dhe arsye, që jepen edhe sot, për justifikimin e ndërtimit të të këtyre objekteve, e megjithatë kurrë nuk u shkoi në mendje, askujt, të bënin të tilla sinkretizma.

E gjithë fatkeqësia në këtë mes është se promotori dhe përligjësi i të tilla bidateve, Fetullah Gyleni, shihet nga ithtarët e tij me syrin e evliasë, dhe të një lloj mehdizmi apo mesianizmi, apo pagabueshmërie, që do t’i kthejë Islamit lavdinë e tij të dikurshme, ndaj dhe janë të gatshëm të justifikojnë çdo ide dhe veprim të tij, pa doktrinave islame ja gjejnë interpretimin!

Në të vërtetë nuk janë sytë e mendjes ato që verbohen, por zemrat nga fanatizmi i urryer sektar, i këtyre viktimave udhëhumbur. A kanë vallë forcë karakteri të dalin kundra ideve të tij dhe të harrojnë bukën, shkollimin dhe punësimin që grupimi i tij u ka dhënë, apo ndjenja e besnikërisë dhe mirënjohjes do të mbizotërojë mbi të vërtetën islame?! Kjo është një dilemë morale mes të cilës ata duhet të zgjedhin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit