2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Panoramë e frikshme nga xhehenemi e personit që urdhëronte për të mirë dhe ndalonte nga e keqja por e vepron të kundërten e asaj që urdhëron

Më të lexuarat

Një panoramë e frikshme
Usame ibnu Zejdin ibnu Harithe (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Kam dëgjuar profetin a.s të thotë: “Në ditën e gjykimit do të merret një person dhe do të hidhet në zjarr. Do t’i nxirren të përbrendshmet e barkut e do të rrotullohen ashtu si rrotullohet gomari rreth mullirit. Banorët e zjarrit do të mblidhen rreth tij dhe të habitur do ta pyesin: O filan, çfarë ke? A nuk ishe ti, që urdhëroje për mirë dhe ndaloje nga e keqja? Po –thotë ai, urdhëroja për mirë por nuk veproja mirë, ndaloja nga e keqja dhe e veproja atë”.[1]

Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Nuk ka dyshim se kjo është një skenë e frikshme dhe e tmerrshme, por megjithatë ky është shpërblimi i drejtë për atë, i cili është shfaqur si njeri i mirë dhe reformator në dynja, por që në të vërtetë ka qenë një njeri i shthurur. Ky është ai njeri, i cili fenë e mori si prestigj që të jetë i shquar ndër njerëz, të arrijë besimin e tyre e të tregohet me gisht, se ai është një fetar i përkushtuar, që duhet patur zili dhe e mbron fenë. Por ky njeri vepron kështu për shkak të njerëzve e jo për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Për këtë arsye ai neglizhon në kryerjen e obligimeve dhe bën mëkate, kur është larg syrit të të tjerëve dhe është i veçuar.
Por Allahu i Lartësuar është i mirëinformuar për atë që e fshehin zemrat. Asgjë nuk i fshihet Atij dhe Ai është që i di të gjithë të fshehtat. Po ashtu engjët shkruajnë të gjithë veprat dhe thëniet e njeriut. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “ Për çdo fjalë që e thotë, i gatshëm është përcjellësi që e shkruan atë.”[2]

Një poet ka thënë:
Nëse një ditë veçohesh mos thuaj
U veçova, por thuaj më shikon Vëzhguesi
Mos mendo se Allahu është i pavëmendshëm
dhe se atë që e fsheh mos mendo se Ai nuk mund ta dijë
Nëse ky njeri do të ishte i zgjuar dhe i kujdesshëm për të shpëtuar veten nga ndëshkimi i Allahut, nuk do të kryente gjynahe dhe mëkate, megjithëse ndër njerëz njihej si njeri i mirë që urdhëronte për mirë dhe bindje. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “A i urdhëroni njerëzit për mirë dhe harroni vetet tuaja, ndërkohë që e lexoni librin?! A nuk logjikoni?!”[3]
Si fillim muslimani duhet të këshillojë vetveten e të kryejë obligimet. Në të njëjtën kohë duhet t’i ftojë njerëzit për mirë, që ftesa e tij të jetë e sinqertë dhe të ndikojë tek të tjerët, kështu që ajo të jetë e pranueshme e të fitojë kënaqësinë. Nëse nuk vepron kështu, atëherë Allahu është i zemëruar me të. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “O ju të cilët keni besuar, pse thoni atë që nuk e veproni? Nuk ka zemërim më të madh tek Allahu se të thoni atë që nuk e veproni.”[4]
Sa e bukur është fjala e imam Shafi ‘iut, kur i këshillon edukatorët dhe ftuesit që të kenë kujdes nga kjo sëmundje shkatërruese. Atëherë lexoji fjalët e tij:
O ti njeri që mëson të tjerët
A nuk vlen mësimi edhe për ty
Përshkruan ilaçin për të sëmurin dhe të rraskapiturin
Që të vlejë dhe ti vetë je i sëmurë
Fillo me veten dhe ndaloje nga e keqja
Nëse mbaron atëherë ti je i mençur
Atëherë atë që e thua dëgjohet e merret shembull
Fjala jote dhe mësimi bëjnë dobi
Mos ndalo një sjellje e ti e vepron atë
Kjo është turp për ty e diçka e madhe
Përfytyroje portretin e frikshëm, që është përmendur në këtë hadith profetik, sa herë që shejtani të ngacmon që të kryesh mëkat, apo sa herë që të urdhëron vetja jote për të vepruar keq. Mos harro portretin e atij njeriu, që do të vijë në ditën e Gjykimit, i cili është njohur si njeri i devotshëm në dynja, por që çështja e tij do të zbulohet e po ashtu edhe mashtrimi i tij. Pastaj ai do të hidhet në zjarrin e xhehenemit, do të digjet, do t’i dalin zorrët dhe organet e brendshme nga barku, do të lidhet me to dhe do të rrotullohet brenda zjarrit, ashtu si rrotullohet gomari rreth mullirit. Kjo gjë i tërheq vëmendjen banorëve të zjarrit, megjithëse ata vetë po përjetojnë një ndëshkim të rreptë dhe çdokush është i interesuar me problemin e tij, por kjo është një skenë që i ka çuditur mjaft ata. Kur e njohën u çuditën. Ai që po ndëshkohej ishte ai, që i kishte urdhëruar për mirë dhe i kishte ndaluar që të vepronin keq në dynja. Ai tashmë ishte bashkë me ta në zjarrin e xhehenemit, duke përjetuar këtë skenë poshtëruese. E gjitha kjo bëhet, pasi atij nuk i bëri dobi për veten e vet këshilla për mirë, që ua jepte njerëzve. Po si mund të mendosh se këshilla e tij do t`u bënte mirë të tjerëve?!
Nëse këshilluesi është i verbër ndaj gabimeve të tij, nuk ka dyshim se këshilla e tij nuk do të zerë vend. Këshilla bën dobi, kur del nga zemra, por nëse ajo del nga gjuha dhe ai që e nxjerr atë nuk e vepron, atëherë ajo nuk i kalon veshët.
O Zot, kërkojmë mbrojtje nga dija që nuk ka dobi, nga zemra që nuk ka frikë, nga ngacmimet e shejtanit, kërkojmë që të na forcosh në rrugën e drejtë në kryerjen e obligimeve.

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Domosdoshmëria e praktimit të sinqertë të Islamit dhe kryerja e obligimeve.
2- Kujdesi që duhet patur nga syfaqësia dhe nga ndëshkimi i rreptë në zjarrin e xhehenemit për atë person, që shfaqet si i devotshëm dhe që fton për reformë, por në brendësi ai është i shthurrur.
3- Këshilla bën dobi, vetëm atëherë kur ai që këshillon e zbaton atë që thotë dhe largohet me sinqeritet nga ajo e keqe, që i ndalon të tjerët.
4- Nëse njeriu mundohet t’i mashtrojë njerëzit në dynja, do të ndëshkohet dhe do të shkatërrohet në ahiret si pasojë e mashtrimit të tij, sepse Allahut nuk i fshihet asgjë. Ai e di atë që e fsheh cepi i syrit dhe atë që e fshehin zemrat.
[1] këtë hadith e ka transmetuar imam Buhariu 6/238 dhe imam Muslimi :2989 [2] sure Kaf, ajeti: 18 [3] Sure El Bekare, ajeti: 44 [4] sure Es Saf, ajeti 2-3

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit