10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Panorama përmbyllëse – Shenjat e përgatitjes

Më të lexuarat

Sigurisht, konceptet për të cilat folëm pak më parë, — pra që Allahu i ka kushtuar një derë të Xhenetit vetëm agjëruesve e që emërtimi i kësaj dere është unik, — janë të mahnitshme, por ajo çka të bën përshtypje më së shumti nga ky hadith, është “panorama e mbylljes së derës”. Kjo panoramë është e mrekullueshme si për atë që Allahu do t’ia mundësojë të hyjë nëpërmjet saj me agjëruesit, ashtu edhe për atë që do të privohet nga hyrja me ta.

Hadithi është vërtet mbresëlënës. Në sahihun e Buhariut, Sehli transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një derë që quhet Rejan. Besimtarët do të hyjnë në të Ditën e Kiametit. Askush tjetër, përveç tyre, nuk do të hyjë në të. Atë ditë do të thuhet: “Ku janë agjëruesit?” Ata ngrihen në këmbë dhe askush tjetër, përveç tyre, nuk hyn nëpërmjet saj.” Pasi e bën të qartë dy herë, Pejgamberi ﷺ vazhdon: — “Pasi ata të hyjnë, dera mbyllet dhe në të nuk hyn më askush tjetër.”
Shprehja “Pasi ata të hyjnë” u referohet agjëruesve, të cilët hyjnë nëpërmjet Derës Rejan, e më pas dera“mbyllet dhe në të nuk hyn më askush tjetër”. Përfytyrojeni atë derë madhështore, Derën Rejan, që mbyllet me hapin e agjëruesit të fundit që hyn në të! Është një pamje mahnitëse! Është e tillë si për agjëruesin që Allahu e fut nëpërmjet asaj dere dhe e sheh atë duke u mbyllur pas tij, ashtu edhe për atë që pret shpërblimin, por që privohet nga hyrja nëpërmjet kësaj dere.

Kjo panoramë e nxit njeriun që t’i druhet Allahut gjatë agjërimit, në mënyrë që Ai t’ia pranojë atë, si dhe ta shpeshtojë agjërimin, me qëllim që të dallohet me të.

Konceptin e fundit për të cilin do të flasim sot, mund ta emërtojmë si “shenjat e përgatitjes”.

Shenjat e përgatitjes

Në dy sahihët, kur përmendet beteja e Tebukut, thuhet: I Dërguari i Allahut ﷺ e zhvilloi këtë betejë kur u poqën frutat dhe kur mbretëronte hija. Prandaj Allahu i Madhërishëm nuk arsyetoi askënd, por u kërkoi të gjithëve që të marrin pjesë në betejë. Ai thotë: “Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë, dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!” (Teube, 41). Pastaj Allahu i përmendi hipokritët dhe të tjerët që kërkuan të lirohen, të cilët ishin ftohur shpirtërisht dhe donin të shpëtonin nga pjesëmarrja në këtë luftë, ku Allahu i kishte thirrur të gjithë njerëzit. Kur i përmend arsyet e tyre, Allahu thotë: “Nuk do të të kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre, ata që besojnë në Allahun dhe Ditën e Kiametit. E Allahu i di mirë ata që ruhen nga gjynahet. Ty do të kërkojnë leje vetëm ata që nuk besojnë në Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe që zemrat e tyre dyshojnë. Ata luhaten në dyshimin e vet.” (Teube, 44–45). Më tej, Allahu ua hodhi poshtë argumentet dhe arsyetimet, duke ua nxjerrë në pah gjendjen, ku shihet mungesa e sinqeritetit në dëshirën e tyre për pjesëmarrjen në luftë përkrah të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai thotë: “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur…” (Teube, 46). Pasha Allahun, ky është një argument që zbulon thellësitë e shpirtit të njeriut! “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur…”, por ata nuk janë përgatitur aspak. Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton se zemrat e tyre as që kanë pasur ndonjë pikë qëllimi për të marrë pjesë në luftë.

Ajeti: “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty…” nuk kufizohet vetëm për kapitullin e luftës, por ka edhe kuptim të përgjithshëm. Për këtë arsye, dijetarët e etikës islame e paraqesin këtë ajet në shumë kapituj të adhurimeve në dituri dhe vepra. Një ndër ta është Ibn Kajimi, i cili e përmend ajetin në fjalë në librin “Miftah darus-seadeh” (Çelësi i derës së lumturisë). Në këtë libër, ai ka shkruar kapituj të gjatë mbi krahasimin mes diturisë dhe pasurisë, duke përmendur dallimet mes tyre dhe duke sjellë argumente për vlerën e diturisë kundrejt pasurisë. Ndër gjërat që Ibn Kajimi konstaton brenda këtyre kapitujve të gjatë, është fakti se dituria shërben si pajim i udhëtarit drejt Allahut, gjë që argumentohet me ajetin: “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur…” (Teube, 46); pra, dituria është përgatitje për rrugëtimin drejt Allahut. Ibn Kajimi thotë: “Ai që synon një gjë, përgatitet mirë për të.” Ky është kuptimi i përgjithshëm i ajetit “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur…” (Teube, 46). Prandaj njeriu që gjendet në prag të Ramazanit, duhet të pyesë veten:

A e kam zemrën të mbushur me vendosmëri për të agjëruar?

A e kam zemrën të mbushur me vendosmëri për t’iu druajtur Allahut gjatë agjërimit?

A e kam zemrën të mbushur me vendosmëri dhe synim serioz për t’u falur natën dhe për t’i shfrytëzuar çastet e Ramazanit me lexim të Kuranit?

“Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur…” (Teube, 46).

Në shpirtin njerëzor duhet të shfaqen patjetër gjurmë. Për shembull, njeriu i sinqertë preokupohet për pakësimin e gjërave që mund ta shpërqendrojnë qysh para ardhjes së Ramazanit, si dhe mundohet t’i kryejë punët e tij pa nisur ky muaj. Përse vallë? Sepse ai dëshiron të jetë i lirë për adhurim gjatë atij muaji. Kurse njeriu i painteresuar mund të përgatitë ambientin për qëndrim nate në kotësi e në lojëra, apo mendon për programe televizive dhe seriale gjatë Ramazanit. Mes këtyre të dyve ka një dallim të madh.

Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur…”. (Teube, 46) Njeriu që dëshiron diçka, përgatitet për të. Nuk na ka hije që të vijë ky muaj fisnik e t’i gjejë zemrat tona në pakujdesi e të hutuara, duke mos u shqetësuar aspak. Zemrat tona duhet të trazohen nga mallëngjimi për muajin Ramazan. Ky është një argument për vullnetin e sinqertë në adhurimin e Allahut gjatë këtij muaji fisnik.

Këto ishin disa nga konceptet që do të trajtonim në këtë takim të tretë.

Shpresoj të takohemi sërish së shpejti, në dashtë Allahu, në takimin e katërt të këtij lloji, rreth temës “Konceptet e Ramazanit”. Allahu na dhëntë të gjithëve sukses drejt gjërave që Ai i do dhe që është i kënaqur me to!

Allahu është më i Dituri dhe më i Urti!

Mëshira, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin, Pejgamberin tonë, mbi familjen dhe shokët e tij!

Ibrahim_Sekrani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit