Disa dhjetëra qytetarë u mblodhën para godinës së ambasadës së Mianmarit në New York, ku kishte slogane me të cilat dënohej dhuna mbi muslimanët e Arakanit
NEW YORK (AA) – Para godinës së ambasadës së Mianmarit në New York është mbajtur protestë për dhunën dhe sulmet e ushtrisë së Mianmarit ndaj muslimanëve Rohingya në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).
Disa dhjetëra qytetarë u mblodhën para godinës së ambasadës, ku kishte slogane me të cilat dënohej dhuna mbi muslimanët e Arakanit.
Demonstruesit mbanin pankarta si “Ndalni vrasjen e Rohingya”, “Ndalni gjenocidin”, “Të drejtat e Rohingya janë të drejta njerëzore”, “Nuk guxojmë të heshtim”. “Heshtja është aprovim”. Një pankartë në New York ishte “Ruanda, Bosnja, ndërsa tani Burma. Ndaleni gjenocidin ndaj Rohingya”.
Minoriteti i dëmtuar musliman Rohingya, në krahinën Arakan të Mianmarit është shënjestër e sulmeve nga ana e ushtrisë së Mianmarit dhe grupeve militante budiste dhe është i detyruar që të arratiset në Bangladesh.
Në valën e re të sulmeve ndaj fshatrave muslimane në Arakan, ushtria e Mianmarit dhe militantët budistë nga 26 gushti dogjën dhjetëra fshatra duke vrarë një numër të madh të banorëve.
Autoritetet e Mianmarit nuk u lejojnë organizatave ndërkombëtare qasje në Arakan, prandaj bilanci i saktë i viktimave si pasojë e sulmeve ndaj pakicës lokale muslimane ende nuk është i njohur.
Organizatat joqeveritare lokale nga Arakani lajmërojnë se gjatë sulmeve në ditët e fundit janë vrarë së paku një mijë muslimanë, ndërsa disa burime flasin edhe për më shumë se një mijë.