1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Pandjeshmëria hungareze

Më të lexuarat

16 milionë euro ka shpenzuar së fundmi qeveria hungareze, për të financuar një fushatë dezinformimi kundër kuotave detyruese të shpërndarjes, që po imponon BE në lidhje me krizën e refugjatëve. Fushatë, që ka nisur në kuadrin e referendumit, që pritet të zhvillohet më 2 tetor. Rezultati i referendumit, që me shumë gjasa do të jetë negativ, do të përdoret si një mjet politik për të kundërshtuar vendimin evropian, për shpërndarje të refugjatëve, në emër të vullnetit të sovranit. Pavarësisht se Komisioni Evropian e ka shprehur opinionin e tij në lidhje me këtë çështje, se asnjë rezultat referendumi nuk mund të përdoret si arsye për t’iu shmangur detyrimeve që burojnë nga fryma ligjore e BE, kjo nuk e ka stepur aspak politikën hungareze.

Por, fushata që po zhvillohet aktualisht në Hungari, ka marrë vëmendjen e organizatave të të drejtave të njeriut, ndër të cilat Human Rights Watch ka denoncuar fushatën e ksenofobisë qeveritare.

“Jo vetëm që qeveria hungareze po ushqen ndjesitë negative dhe armiqësore kundrejt azilkërkuesve dhe migrantëve, por ajo po ua bën sa më vështirë të jetë e mundur jetën atyre, që po përpiqen të hyjnë në vend. Në gusht, qeveria lajmëroi se do të ndërtojë një gardh të dytë “të përmirësuar” në kufirin e saj me Serbinë, i projektuar që të bllokojë azilkërkuesit, që hyjnë në vend. Ajo ka filluar gjithashtu rekrutimin për 3 mijë “gjuetarë të rinj kufiri” për të patrulluar kufirin së bashku me 10 mijë trupa policore dhe ushtarake. Sistemi abuziv kufitar i vendit, refuzon sistematikisht mbrojtjen për ata që janë në nevojë dhe shtyn azilkërkuesit mbrapsht në Serbi, disa herë në mënyrë të dhunshme.”

Denoncimi i situatës nga HRW, nuk ndalet vetëm ndaj gjendjes në Hungari, por kritikat e saj drejtohen edhe ndaj heshtjes së Bashkimit Evropian:

“Komisioni Evropian, ka ngelur praktikisht i heshtur përballë këtyre zhvillimeve, pavarësisht faktit se ato bien në kundërshtim me standardet evropiane.”

Në fakt, në broshurën prej 18 faqesh të propagandës së qeverisë hungareze, tërheqin vëmendje dy detaje që ngjallin interes, i pari lidhet me një hartë, që cakton zonat e kuqe në Evropë, ku sipas qeverisë hungareze, shtetet kanë humbur kontrollin e tyre, pra në të ashtuquajturat geto evropiane, në qytete si Parisi, Berlini, Londra, Brukseli, Marseja, etj. Nuk ka kaluar shumë kohë, ku nga Brukseli do të vinte edhe një deklaratë nga Ministri i Punëve të Jashtme të qeverisë konservatore hungareze, se “po të ngatërroheshe në dy apo tre rrugë të Brukselit, duhet të vraposh që të ngelesh në jetë”. Një deklaratë, që nuk vjen thjesht si një shqetësim personal, mbi një moment real të përjetuar diku, nëpër rrugët e “frikshme” të Brukselit, por që vjen e strukturuar me një axhendë të qartë migrimi, që politika hungareze ka kohë që po e ndjek.

Detaji i dytë, lidhet me një faktor të rëndësishëm, siç është sovraniteti i vendit. Kemi një kapërcim interesant në logjikë, që transferon me “elegancë” politikën e solidaritetit dhe të humanizmit si detyrim ligjor ndërkombëtar dhe evropian, tek “liria e popullit për të vendosur për fatin dhe të ardhmen e tij”.

“Ne nuk mund të lejojmë, që e ardhmja e vendit tonë të vendoset nga të tjerët. Vetëm ne hungarezët, mund të vendosim se, me kë duhet të jetojmë.”(Broshurë propagandistike, f.2, Referendumi 2016 kundër zhvendosjeve të forcuara. Le t’i çojmë Brukselit një mesazh, që edhe ata të mund ta kuptojnë gjithashtu!)

Pra, jo vetëm që kemi një transformim të detyrimit ligjor, në “liri të popullit për vetëvendosje mbi të ardhmen e vendit”, por ky lloj formulimi shfaq dhe një lloj mungese komoditeti, ndjesi pakënaqësie si edhe kompleks inferioriteti, ndaj vendimmarrjeve që vijnë dhe imponohen, nga një mekanizëm ku Hungaria jo vetëm ka aderuar me dëshirë dhe vullnet të qartë, por edhe është anëtar me të drejta të plota. Nga ku vjen dhe detyrimi për të zbatuar të gjithë frymën legjislative, që buron nga ky organizëm. Ky transferim i detyrimit ligjor dhe humanitar në përballje me krizën e refugjatëve, tek “liria e popullit për të vendosur për të ardhmen e tij”, ndonëse kamuflon një axhendë të pastër ksenofobie ndaj migrimit, ai nuk mund të mos shikohet në filtrin historik të një Hungarie, që ka njohur periudha të gjata frustrimi kombëtar, jo vetëm në përmbyllje të luftërave, por edhe gjatë periudhës nën dominimin sovjetik.

Histori shtypëse

Në të gjithë ish-bllokun komunist të vendeve të Lindjes, Hungaria do të bënte përjashtim, me tensionin dhe frustrimin e lartë kombëtar që shfaqte. Çekosllovakët, kishin dalë nga lufta në anën e fituesve, ndërkohë që Hungaria e gjeti veten në kampin humbës. Rumania ishte gjithashtu në anën e kampit humbës, por ajo arriti të ruajë thuajse të gjithë territorin e saj, me përjashtim të Besarabisë të ripushtuar nga rusët. Polonia, i kishte humbur territoret në Lindje, por ajo kishte rimarrë të tjera territore në Perëndim. Hungaria, që gjatë luftës arriti të merrte një pjesë të ish territoreve të saj, iu imponua paqja poshtëruese e vitit 1919. Nuk kishte asnjë fitore me të cilën ajo të mund të krenohej, duke u shndërruar gradualisht në një vend kombëtarisht i pakënaqur. Për më tepër, ishte edhe e pushtuar nga trupat sovjetike, ndryshe nga vendet e tjera të ish-bllokut. Çekosllovakia, deri në vitin 1968 nuk kishte trupa sovjetike në territorin e saj. Rumania ishte e pushtuar njësoj si Hungaria, nën të njëjtin pretekst, por që prej vitit 1955, drejtuesit e vendit ngritën menjëherë problemin e trupave sovjetike në raportet e tyre me Moskën dhe përmes konsensusit, tërheqja e këtyre trupave u miratua në vitin 1958.

Po në ndryshim gjithashtu, nga të gjithë vendet e ish-bllokut komunist të Lindjes, Hungaria do të njihte edhe një prej revolucioneve, me pasoja jo pak të rënda për vendin. Revolucioni, apo siç njihet ndryshe kundër-revolucioni i parë anti-komunist, i vitit 1956. Do të ishte përgjatë vjeshtës së vitit 1956, kur mijëra persona do të dilnin rrugëve të Budapestit, për të kërkuar lirinë e shtypit, kthimin në demokraci, si dhe largimin e trupave ruse nga vendi. Situata do të merrte një tjetër kurs, duke e shndërruar lëvizjen paqësore në një kryengritje të armatosur dhe luftë për çlirim, në momentin që qeveria kërkon ndërhyrjen dhe ndihmën e trupave ruse. Krijimi i Paktit të Varshavës më 1955, lejonte nëpërmjet një formaliteti të thjeshtë juridik, zhvendosjen e trupave ruse aty ku qeveritë e vendeve përkatëse e pranonin këtë gjë. Brenda 24 orëve do të fillonte goditja ndaj rebelëve të armatosur dhe guerileve urbane, me mjete të gjykuara si të papërshtatshme, tanke dhe topa, në një bashkëpunim të plotë të policisë sekrete hungareze, me trupat sovjetike. Për 11 ditë Budapesti u shndërrua në arenën e përplasjeve të përgjakshme. Më 4 nëntor, sovjetikët pushtojnë Budapestin dhe të gjithë qendrat e rëndësishme në vend. Imre Nagy, heroi tragjik i revolucionit, arrestohet nga sovjetikët, deportohet në Rumani, pastaj risillet në Hungari disa muaj më vonë për të marrë pjesë në procesin kundër tij, që u mbyll me ekzekutimin vetëm dy vite më vonë, më 1958.

Por, ky kundër-revolucion kishte përmasa të mëdha shtypëse. 2 mijë të vdekur nga përleshjet e armatosura në Budapest, më shumë se 35 mijë arrestime të shoqëruar më pas me 22 mijë procedime penale, rreth 400-500 ekzekutime, dhe ndër të tjera rreth 200 mijë refugjatë, që i ikën konfliktit të armatosur, duke gjetur strehim në Evropë por edhe në Amerikën e Veriut.

Është pikërisht ky moment i rëndësishëm historik, ku rreth 200 mijë refugjatë, u mirëpritën me solidaritet dhe humanizëm, nga vendet e tjera, që ri-vjen si kujtesë në thirrjen e HRW: “Nëse qeveria hungareze do t’i rikujtojë vetvetes dhe hungarezëve këtë histori, ajo mund të ndihmojë në krijimin e një sjellje më pozitive dhe mirëpritëse ndaj refugjatëve nga Siria dhe çdo kujt tjetër, që kërkon shpëtim në Hungarinë e sotme”.

Por, është kjo kujtesë historike, që fatkeqësisht është fshirë dhe shkatërruar, duke privuar gjenerata të tëra nga rëndësia e memories së revolucionit, pasi regjimi sovjetik me ndihmën e hungarezit Janos Kadar në krye, e privoi si Hungarinë por edhe hungarezët nga rëndësia e memories së revolucionit dhe pasojave, që ai solli për një komb të tërë, duke përfshirë këtu edhe kujtesën mbi solidaritetin e padiskutueshëm në mirëpritjen e 200 mijë refugjatëve hungarezë, që i iknin krizës, tensionit dhe konfliktit. Për një vend dhe historinë e tij kombëtare, është shumë i rëndësishëm krijimi i mundësisë për reflektim, mbi atë çka kryhet. Jo vetëm në kuptimin e dobisë, që sjell procesi i reflektimit mbi kuptimin e akteve që kryhen, por ai shërben edhe për shmangien dhe ripërsëritjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla në të ardhmen. Nga ana tjetër, ai është i rëndësishëm edhe në kuptimin e ndikimit, që ai ushtron mbi identitetin aktual të kombit, i cili nuk ekspozohet si një e dhënë absolute, por është i ekspozuar ndaj një procesi në transformim të vazhdueshëm.

Amnezia e përzgjedhur, apo qoftë edhe amnezia kolektive, ku sistemi kërkon të errësojë memorien kolektive të ngjarjeve të veçanta të historisë së saj, të cilat i gjykon si jo shumë brilante, në kontekstin e vlerave bashkëkohore në një moment të caktuar, apo si shoqërisht mbartëse të realiteteve të vështira apo edhe të rrezikshme, nuk janë të shëndetshme mendërisht dhe shpirtërisht për një komb. Çlirimi nga barra e tyre, nëpërmjet një procesi reflektimi analitik, jo vetëm ndihmon në kuptimin dhe dallimin e vlerave dhe anti-vlerave të tyre, por i paraprin së ardhmes në barrierat që ngrihen ndaj mos lejimit të penetrimit të rrezikut ri-përsëritës të tyre. Kjo mungesë reflektimi historik, si ndaj bashkëpunimit nazist dhe krimeve të kryera gjatë asaj epoke, por edhe reflektimi i munguar ndaj periudhës në vijim, kanë sjellë pasoja, që i gjejmë rëndom të reflektuara në politikën dhe shoqërinë hungareze. Jo rastësisht, në parlamentin hungarez shikojmë të përfaqësuar politikisht një shtresë të konsiderueshme të elektoratit nga më ekstremistet në Evropë, partinë naziste të kryqeve të thyer, një gardë milicësh, që operon duke dhunuar dhe goditur më të dobëtit e shoqërisë, të frymëzuar nga ideologjia naziste dhe një frymë dhe mungesë tolerance vetëm në rritje. Fenomene, që janë të pamundura të mos riprodhohen, pasi memoria nuk mund të fshihet nga amnezi të pjesshme, nga amnezi të përzgjedhura, apo qoftë edhe kolektive, ajo ka forcën të pushtojë gjithmonë të tashmen, edhe kur jemi më se të bindur se, e kemi fshirë përfundimisht atë./DITA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit