Rrjeti për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit, KRIK në Serbi publikoi të martën emrat më të njohur nga Serbia që përfshihen tek “Dokumentet e Panamasë”, përkatësisht që kanë shfrytëzuar shërbimet e studios ligjore panameze “Mossack-Fonseca”.
Disa nga emrat e përfshirë kanë qenë nën hetim ose të akuzuar për vepra penale që kanë të bëjnë me të bërit biznes në parajsat fiskale. Në mesin e emrave është ai i afaristit Valdimir Deliq, mik familjar dhe partner afarist i kryetarit të Bashkisë së Beogradit, Sinisha Mali.
Gjithashtu është edhe emri i afaristit serb Igor Sabo, i cili ishte ndjekur edhe për keqpërdorime në procesin e privatizimit në Serbi.
Në dokumentet e Panamasë përfshihen edhe emrat e personave që besohet se ishin të lidhur me ish-presidentin Sllobodan Millosheviq dhe aferën e fshehjes së 1 miliard markave gjermane gjatë viteve të ’90-a në Qipro, transmetoon tch.
Sipas investigimit “Dokumentet e Panamasë”, paratë dhe bizneset ruse hyjnë shpesh në Serbi të fshehura pas kompanive të regjistruara në “parajsat fiskale”.
Në mesin e tyre janë katër rusë të pasur që bëjnë biznes në Serbi duke përdorur praktika të tilla dhe disa prej tyre janë në listën e personave që u është ndaluar lëvizja në Bashkimin Evropian.
Oligarku rus Igor Rotenberg, shkruan KRIK, në rrugë të tilla ka blerë aksionet e kompanisë ndërtimore “PPT Ingeniering”, ndërsa afaristi serb Milan Popoviq ka hyrë në partneritet me miliarderin rus Konstantin Malofejev, i afërt me presidentin Vladimir Putin.