9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Panairi me birra e qofte në qendër të Durrësit gjatë Ramazani, një gafë edhe antiperëndimore!

Më të lexuarat

Nga Roald A. HYSA

 

Nuk mund të lihen manash sensibilitetet e një bashkësie të tërë njerëzish, në një kohë përkushtimi dhe adhurimi siç është muaji i agjërimit, Ramazani. Një herë mund të jetë rastësi, por dy herë është me të vërtetë diçka bajate

Brenda një periudhe të shkurtër, bashkësisë muslimane të Durrësit iu desh të ballafaqohej dy herë rresht me Bashkinë dhe programet e saj publike: një ekspozitë me thënie të Nënë Terezës në shkallët e xhamisë, dhe një program veror reklamimi të një lloj birre alkoolike.

 

Në të dy rastet muslimanët durrsakë që janë jo të pakët në numër, u ndjenë të fyer për shkak të moskonsultimit me ta, pikërisht për shkak të sensibilitetit që paraqisnin.

 

Ndërkohë, Myftinia e Durrësit i ka trajtuar me shumë kujdes këto probleme, porse nuk ka hasur në mirëkuptimin e Bashkisë dhe të stafit të lartë drejtues. Në të dy rastet, Bashkia me dashje apo pa dashje ka cenuar realisht bashkëjetesën dhe harmoninë qytetare të qytetit të lashtë. Myftinia e Durrësit, në vazhdën e traditës së bashkëjetesës me të gjithë grupimet sociale në Durrës, po tregon vetëpërmbajtje, edhe për shkak të presionit të brendshëm që ka pasur nga bashkësia myslimane. Besimtarët janë ndjerë të fyer pikërisht pse këto programe po zbatohen në një kohë kur për të gjithë muslimanët është muaji i madhnueshëm i Ramazanit.

 

Në një kohë reflektimi dhe paqeje shpirtërore atyre iu duhet të përballen me pamje sfiduese dhe njëkohësisht të shqetësohen nga zhurma e lartë e megafonave publicitarë.

 

Është një fakt historik që Myftinia e Durrësit ka hequr dorë nga pjesë të hapësirave të veta vakuf për t’i shërbyer qytetit me hapësirat publike të nevojshme për një jetë urbane në zhvillim. Por nuk shihet të gjejë në një mirëkuptim ndaj kërkesave të saj legjitime, pavarësisht justifikimeve banale që ju vijnë. Xhamia kryesore e Durrësit ka qenë pikërisht në sheshin ku sot Bashkia reklamon birrat alkoolike dhe qoftet, a thua se jeta e qytetarit durrsak ka nevojë vetëm për to. I ofrohen pamjet e nënë Terezës çdo besimtari dhe Bashkia as që nuk e merr parasysh vetëm faktin që në atë hapësirë ka vend vetëm për Xhaminë e Madhe.

 

Sado që mund të justifikohet me çështjet e pronësisë, se janë hapësira publike e mund të shfrytëzohen nga gjithkush, por kjo nuk do të thotë t’i vendosësh dy komunitete fetare të përballen. Nëse deri tani nuk ka pasur konfrontim, kjo ka ndodhur falë dashamirësisë së Myftiut të Durrësit, i cili këtë shqetësim nuk ia ka adresuar publikut të gjerë mysliman, por ka kërkuar me këmbëngulje të zgjidhet me mirëkuptim në bazë të hapësirave ligjore institucionale.

 

Keqpërdorimi i hapësirës publike nga sponsorët e ndryshëmm sidomos në favor të reklamimit të produkteve alkoolike është një fenomen i ndaluar në perëndim, jo vetëm thjesht për respekt të komuniteteve fetare. Promovimi i pijeve alkoolike shkon ndesh edhe me parimet e një jete rinore të pastër dhe të larguar nga veset. Ndërkaq, Bashkia mund të promovojë sportet verore të rërës, volejboll e futboll, sporte të cilat kanë gjetur përhapje të gjerë në lindje dhe në perëndim midis të rinjve.

 

Me pak para të fituara mund të shkatërrosh një harmoni të tërë të ngritur me vite të tëra e me mundim, dhe që kontribuuesja kryesore ka qenë bashkësia muslimane e Durrësit me Myftininë e vet. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit