“Këto pamje të reja satelitore tregojnë për shkatërrimin total të një fshati musliman dhe shkaktojnë shqetësime serioze se niveli i shkatërrimit në veri të Arakanit mund të jetë shumë më i keq sesa që mendohej”
ANKARA (AA) – Fshatrat e shkatërruar nga djegia në shtetin e Arakanit nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë janë shfaqur përmes pamjeve të reja satelitore të publikuara nga organizata për monitorimin e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW), raporton Anadolu Agency (AA).
Pamjet flasin për djegien dhe shkatërrimin e 99 për qind të fshatit Chein Khar Li në qytetin Rathidaung të Arakanit.
Në fshat janë djegur 700 ndërtesa, ndërsa duke pasur parasysh sezonin e shirave munsonë, zjarri i përmasave të këtilla tregon se ai është ndezur me qëllim, theksohet në një deklaratë nga HRW.
“Është më keq sesa që mendohej”
Ndërkohë, drejtori i organizatës për Azinë, Phil Robertson, ka theksuar se pamjet tregojnë që fshati musliman është shkatërruar në tërësi.
“Këto pamje të reja satelitore tregojnë për shkatërrimin total të një fshati musliman dhe shkaktojnë shqetësime serioze se niveli i shkatërrimit në veri të Arakanit mund të jetë shumë më i keq sesa që mendohej. Megjithatë, ky është vetëm një nga 17 vendet që ne kemi lokuar, në të cilat kanë ndodhur djegie. Në terren nevojiten vëzhgues të pavarur për të zbuluar urgjentisht se çfarë po ndodh”, ka thënë Robertson.
Robertson i ka bërë thirrje qeverisë së Mianmarit të lejojë hyrjen e delegacionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të angazhuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së për gjetjen e mënyrave të reja për të vlerësuar abuzimet e të drejtave të njeriut dhe për t’i dhënë fund sulmeve ndaj civilëve.
Banorët muslimanë të Arakanit kanë ngelur të ngujuar në male
Nga ana tjetër, në një deklaratë të Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC) njoftohet se muslimanët e Arakanit që kanë ikur nga fshatrat Taung Bazar, Tin May, Kaung Taung, Shidar, Fatiya dhe Fansi në veri të qytetin Buthidaung, janë dëbuar në zona malore nga ana e ushtrisë.
Sipas deklaratës, numri i këtyre personave mund të jetë mijëra. Siç thuhet, muslimanët e Arakanit prej tri ditësh kanë ngelur të ngujuar në male për shkak të pengesës nga ana e ushtrisë.
Në audio-regjistrimet e dërguara nga banorët e ngujuar dëgjohet se si fëmijët përgjërojnë për ushqim, kurse popullata e rajonit bën thirrje që të shpëtohen nga ai vend, thuhet më tej në deklaratë.
Ndryshe, një numër i madh i civilëve ka humbur jetën javën e fundit nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit në shtetin e Arakanit.
Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.