Ushtria siriane thotë se rimarrja e qytetit të lashtë Palmira do të ndihmojë për të filluar operacione të mëdha kundër grupit Shtetit Islamik. Ndërkohë, drejtori i antikiteteve në Siri deklaroi se qendra tashmë historike do të marrë një rëndësi edhe më të madhe, ngaqë arriti t’i mbijetojë fushatës së militantëve:
Forcat pro-siriane me mbështetjen ajrore të Rusisë, rivendosën kontrollin në Palmira, pas një pushtimi 10-mujor nga Shteti Islamik. Gjatë kësaj periudhe ISIS shkatërroi disa monumente 2 mijë vjeçare, njofton Zëri i Amerikës.
Organizata me seli në Britani “Observatori sirian për të drejtat e njeriut” tha se ofensiva ka lënë të vrarë 400 militantë, si dhe mbi 180 luftëtarë pro-qeverisë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se ndjehet i inkurajuar nga planet e Sirisë për të mbrojtur dhe së fundi restauruar Palmirën.
“Ne ndjehemi të inkurajuar dhe me fat që forcat siriane e kanë rimarrë kontrolin e Palmirës, pasi e mundën ISISI-in dhe që tani janë të afta t’i ruajnë dhe mbrojnë këto pasuri të përbashkëta njerëzore dhe kulturore. Ndjehem gjithashtu i inkurajuar nga njoftimi se qeveria siriane do të përpiqet, që jo vetëm ta mbrojë, por edhe ta restaurojë qytetin”, – tha zoti Ban Ki-moon.
Presidenti sirian Bashar al-Assad e përshëndeti rimarrjen e Palmirës, që ai e quajti “arritje të rëndësishme dhe dëshmi të re të efiçencës së ushtrisë siriane në luftën kundër terrorizimit.”
Drejtori i antikiteteve Maamoun Abdulkarim u zotua për rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga Shteti Islamik, përfshirë Harkun e Triumfit dhe Tempullin Baalshamin:
“Puna restauruese mund të përfundojë nga fundi i vitit 2016. Ne kemi aftësi të mëdha dhe ekspertizën e duhur në drejtorinë e përgjithshme të antikiteteve dhe në muzeumet tona. Tashmë kemi kryer me dhjetra punë restauruese në Palmira.”
Militantët shkatërruan relike që ata mendonin se ishin objekte të rëndësishme kulti në zonat ku morën kontrollin gjatë dy viteve të fundit në Siri dhe Irak.
Marrja e Palmirës nga forcat siriane është një tjetër disfatë për Shtetin Islamik. Tre muaj më parë edhe ushtria irakiane shënoi një fitore të rëndësishme, duke e dëbuar ISIS-in nga Ramadi në Irak. Këtë javë ushtria irakiane njoftoi gjithashtu fillimin e një ofensive të madhe për rimarrjen e kontrollit të qytetit Mosul.